Mbledhja në FSHF me përfaqësues të klubeve të Superiores për hallin që i ka zënë me tifozët, dukej si një shaka për ta nisur vitin me pak humor. Sepse në mesin e sezonit që federata ndryshoi formulën me motivin për ta bërë më interesante garën, ka kuptuar që nuk ka tifozë në stadiume! Bukur…! Dikush nga të pranishmit, meqë një pjesë kanë qenë edhe gazetarë, duhet t’i ketë thënë se formula deri tani është një dështim spektakolar sa i përket numrit të njerëzve që shkojnë në stadiume në Kategorinë Superiore dhe se të gjithë bashkë kanë përgjegjësi për këtë situatë.
Megjithatë, duhet parë edhe pjesa pozitive: më në fund FSHF-ja pranon se ekziston ky problem dhe tani po përpiqet ta zgjidhë. Dhe sa për korrektesë, largimi i tifozëve nuk ka nisur këtë vit që u ndryshua formula, por kjo “shpikje” përshpejtoi “hemorragjinë” në shkallët e stadiumeve. Sepse prej vitesh po punohet pa mendim dhe Shqipëria sportive ndodhet në një paradoks të madh: nga njëra anë investohen miliona për stadiume të rinj dhe nga ana tjetër tifozët sa vijnë e pakësohen. Po cilat janë motivet e gjendjes ku jemi sot? Le t’i marrim me radhë:
– Emigracioni masiv. Shqiptarët, pjesa më vitale e vendit është larguar dhe vazhdon të ikë nga atdheu. Më së shumti për pamundësi financiare dhe mungese shprese për të ardhmen. – Mungesa e besimit. Shqipëria për disa vite me radhë vuajti trukimin masiv të ndeshjeve. Aq sa emblematik është një rast kur gazeta “Panorama Sport” me informacionet që kishte, arriti të publikonte një ditë më parë sesi do të dilnin rezultatet e ndeshjeve të fundjavës. Dhe ashtu ndodhi, me përjashtim të një rasti në Shkodër, ku gjithsesi u aktivizua një futbollist i pafederuar dhe Vllaznia e humbi “papritur” ndeshjen me Skënderbeun në tavolinë… Nuk u dënua askush për talljen që i bëhej opinionit me teatrot në fushë.
– Katrahura e FSHF-së me oraret… Sa tifozë mund të shkojnë në stadium në orën 13:00 ditën e hënë në Shqipërinë e boshatisur? Aty nuk shkojnë dot ata që janë në punë dhe as nxënësit e shkollave.
– Mungesë vizioni nga klubet. Sa prej atyre që kanë shkuar në stadium këtë sezon kanë marrë pjesë në një shorte? Fjala vjen, organizohet një shorte me bluzën e firmosur të Balajt, Rrapajt, Abazajt, Rashicës, Karabecit, etj, etj… Është një formë për t’i entuziazmuar tifozët. Sa prej tyre kanë përfituar një abonim 6 mujor, apo 1-vjeçar falas në stadium prej një shorteu të organizuar nga vetë klubi? Sa herë klubet tona këtë sezon kanë bërë thirrje që biletat për vajzat do të jetë falas? Sa klube kanë dërguar njerëzit e tyre nëpër shkolla për të shpërndarë njoftime se biletat për nxënësit do të jenë me 50 % të çmimit? Sa është çmimi nëse një pensionist abonohet për gjithë vitin? E plot mënyra të tjera për ta zbutur disi ambientin agresiv, por edhe për t’i nxitur njerëzit të shkojnë në stadium.
– Nivel i dobët i futbollit. Shqiptarët i duan skuadrat e qyteteve të tyre padyshim, por kur shohin nivelin e futbollit dhe gjendjen e stadiumeve, preferojnë shpesh të shohin nga divani një ndeshje të Premier Ligës ose të Serisë A…(Panorama Sport)
Shume I sakte shkrimi duhet vizion
Përgjigju