Zhurmnaja rreth ujësjellësit të Durrësit

Zhurmnaja rreth ujësjellësit të Durrësit

Foto ilustruese

-A është e shëndetshme të falimentojë një ndërmarrje e krimbur në borxhe? Po!

-Në 13 muajt e fundit, reforma në ujësjellësa ka ecur më shumë se sa në 32 vitet e fundit të marra së bashku

Uji është industri. Për të prodhuar një makinë përdoret sasi më e madhe e ujit se sa do duhej për të mbushur një pishinë noti. Për çdo produkt që prodhohet nevojitet ujë. Disa industri shpenzojnë më shumë ujë se sa disa të tjera. 10 litra ujë përdoren për të prodhuar një fletë letre. 91 litra për të prodhuar 500 gram plasmasë.

Potenciali i Shqipërisë për ujin e pijshëm dhe realiteti

Shqipëria është një nga vendet më të pasura në Europë për burimet ujore për frymë. Kapaciteti aktual i burimeve ujore të ujit të pijshëm të Shqipërisë e tejkalon me 3.1 herë nevojën që ka vendi për ujë. Por trashëgimia, keqadministrimi, indiferenca, abuzimi janë jashtëzakonisht të rënda dhe furnizimi me ujë i qytetarëve mbart ende probleme të mëdha. Edhe pse sistemi i sotëm i furnizimit me ujë të pijshëm, edhe në sajë të 900 milionë eurove të hedhura nga qeveria qendrore në vitet 2014-2022, prodhon 28 përqind më shumë ujë, sesa është nevoja për furnizim, shumica e qytetarëve nuk furnizohet 24 orë në 24.

Investim madhor i 6 viteve më parë në ujësjellës-kanalizime

Nga rreth 69% të prodhimit të ujit të pijshëm në vend deri në 1 janar 2023, nuk arkëtoheshin të ardhura, duke e rënduar çdo vit gjendjen financiare dhe duke rritur çdo vit humbjet. Më shumë se gjysma e humbjeve nuk janë teknike, por vetëm pasojë e keqadministrimit dhe e vjedhjes.

A ka falimentim të shëndetshëm?

Po! Sigurisht që ka, nëse një ndërmarrje është e krimbur në borxhe dhe nuk arrin të shërbejë si duhet qytetarët me një mall jetik, si uji i pijshëm. I tillë është rasti i ujësjellësit të dytë më të madh në Shqipëri, ndërmarrjes së ujësjellës-kanalizimeve të Durrësit.

Po pse mund të falimentojnë ujësjellësit si i johim deri tani?

Shkaku është një trashëgimi jashtëzakonisht problematike e menaxhimit të shumicës së 61 ujësjellësave në nivel bashkiak, që solli në shumë bashki cilësi të dobët të ujit të pijshëm, duke i detyruar qytetarët ta blejnë ujin që pijnë, mungesë të furnizimit me ujë të pijshëm, investime të shkuara dëm, për shkak të mungesës së koordinimit mes strukturave bashkiake dhe atyre në qeverinë qendrore, mungesë e laboratorëve të duhur dhe laboratorë ekzistues pa pajisjet e domosdoshme, si dhe borxhe shumë të mëdha, në nivele milionë dhe dhjetëra milionë euro, të akumuluara prej vitesh, nga një pjesë e mirë e shoqërive të ujësjellës-kanalizimeve.

Tabela 1. Problematika e trashëguar

• Cilësia problematike e ujit të pijshëm në shumicën e 61 ujësjellësave, duke i detyruar qytetarët ta blejnë ujin që pijnë

• Mungesa e ujit të pijshëm

• Investime të hedhura dëm për shkak të mungesës së koordinimit mes strukturave bashkiake dhe atyre ne qeverine qendrore

• Borxhe shumë të mëdha, në nivele milionë dhe dhjetëra milionë euro, të akumuluara prej vitesh

• Mungesa e laboratorëve të duhur dhe laboratorë ekzistues pa pajisjet e domosdoshme

• Mungesa e një ekspertize të domosdoshme, e cila nuk gjendet në çdo bashki

Ngjizja e reformës

Duke parë këtë situatë, Ministria e Energjitikës dhe Infrastrukturës kërkoi në nëndor 2021 një mendësi të hapur, me synimin kryesor ofrimin e një shërbimi më cilësor të ujit të pijshëm për qytetarët. Nisi takimet dhe konsultimet me të gjitha ndërmarrjet e ujësjellës-kanalizimeve dhe bashkitë që i menaxhonin.

Në maj 2022, pas konsultimeve, në përputhje me Strategjinë Kombëtare 2020-2030 të Menaxhimit të Ujit, Ministria ndermerr reformën e plotë të sektorit të ujit. Nga 58 shoqëri aksionere të ujësjellës-kanalizimeve, nën administrimin e plotë të 61 bashkive, shumica me probleme të jashtëzakonshme menaxhimi dhe akumulimi borxhesh, u krijuan 15 shoqëri rajonale, asambletë e të cilave po menaxhohen 51 përqind nga Ministria e Energjisë dhe Infratrukturës dhe 49 përqind nga bashkitë dhe vetë shoqëritë rajonale.

Fakti që qeveria qendrore ka 51 përqind të aksioneve ofron garancinë e furnizimit të këtij malli jetik, ujit, duke respëktuar, permes një pune të përbashkët midis pushtetit vendor dhe atij qendror, autonominë e pushtetit vendor, i cili do të jetë jo vetëm pjesë aktive e reformës, por edhe do të monitoroje procesin, duke përcjellë nga afër kërkesat dhe shqetësimet e qytetarëve anëtarë të komuniteteve të bashkive përkatëse. Që në qershor 2022, 40 bashki të vendit morën vendim për t’u bërë pjesë e reformës së plotë në sektorin e uji, të pasuara më vonë nga bashki të tjera.

Në këtë proces të thellë transformues, ku Ministria e Energjisë dhe Infrastrukturës garanton që për asnjë moment, për shkak të ndryshimeve, qytetarët të mos ngelen pa furnizimin me ujë, është mëse normale që shoqëri ujësjellës-kanalizimesh, të keqmenaxhuara dhe që kanë grumbulluar një sasi të tillë borxhesh, që i bëjnë të paafta të përmbushin detyrimet e tyre, të falimentojnë.

Falimentimi në mes të një reforme të plotë, është provë e funksionimit të skemës së re. Është i shëndetshëm, për t’i dhënë qytetarit një shërbim sa më cilësor të ujit të pijshëm, por edhe për të rritur faturimet e këtij malli jetik, dhe jo e kundërta. Shoqëria rajonale e re e krijuar, pas falimentimit të një ujësjellësi të madh, e ka te hapur rrugën për të zbatuar reformën. I tillë është rasti i Ujësjellës-Kanalizime Durrës.

Hapat premtues të reformës së ujit

Që nga qershori 2022, në 13 muajt e fundit, reforma në ujësjellësa-kanalizime  ka ecur më shumë se sa në 32 vitet e fundit të marra së bashku. 8 shoqëri rajonale, të krijuara nga reforma e ujit, kanë likujduar faturën e energjisë elektrike(detyrimi më i madh i ujësjellësave), duke e ulur borxhin e trashëguar me 13.8 milionë lekë. Gjashtëmujori i parë i vitit 2023, pra nga 1 janari i vitit 2023, momenti kur kanë filluar të funksionojnë shoqëritë rajonale, rregjistron një përmirësim, duke shënuar një ulje të ndjeshme të ujit pa të ardhura, nga 69.1 përqind në janar 2023, në 64.4 përqind në qershor 2023. Të 12 shoqëritë rajonale të krijuara nuk kanë krijuar detyrime të reja dhe kanë likujduar një pjesë të detyrimeve të trashëguara.

Të rregullojmë institucionet që rregullojnë tubat!

Plani konkret për reformën bindi donatorin kryesor, Bankën Botërore. Shqipëria po përfiton një mbështetje të konsiderueshme për reformimin e Sektorit të Ujit, nëpërmjet një financimi nga Banka Botërore, që përfshin një hua prej 75 milionë USD, si dhe një grant prej 6,3 milionë USD, miratuar nga Bordi i Drejtorëve i Bankës Botërore.

Emanuel Salinas, Menaxheri i Zyrës së Bankës Botërore për Shqipërinë, po me 13 maj 2022, cilesoi:”Nevojiten ndryshime radikale për përmirësimin e cilësisë dhe qëndrueshmërisë së shërbimeve të furnimizimit me ujë. Ne përgëzojmë Qeverinë për angazhimin në reformimin e këtyre shërbimeve në Shqipëri. Banka Botërore do të mbështesë sektorin përmes një instrumenti novator financimi të quajtur Program për Rezultate. Kjo do të thotë që në vend që të sigurohen financime për infrastrukturën, të përqendrohemi në mbështetjen e reformës institucionale, ose siç e themi në mënyrë jozyrtare ‘në vend që të rregullojmë tubat, të rregullojmë institucionet që duhet të rregullojnë tubat’.”

Përtej zhurmnajës për falimentimin e ujësjellësit të Durrësit, nganjëherë nuk ia vlen fare t’i qajmë hallin kalorësit që i varen këmbët.

M.T/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Resuli: 05/08/2023 16:43

    Se mos vetem Ujësjellësi i Duresit, pa shikoni ate te Gjirokastres. Ujesjellesi Gjirokaster kishte administrator z.Genti, viti 2021 me humbje 7 milion leke, viti 2022 humbja 11 milion leke Qeveria hapi nje ujsjelles te ri rajonaj, dhe drejtor prap i madhi Genti, viti 2022 u mbyll me humbje 3 milion leke (sa qesharake) Në qershor 2023 ujesjellesi i vjeter bën shkese per dorezim bilanci ne QKB, dhe firmoset nga z.Genti qe ka mbi 1 vit qe nuk eshte me administrator i ketij subjekti (kuptohet, dejuro, se defakto ndrysho puna????) Mbasi e shpuri në falimentim, u vendos dhe Likuidatori me profesion TAKSI, (po i doli llafazan), dhe e zevendesoi me një Likuidator tjeter, me profesion SKULPTOR, ????????????

    Përgjigju
  • Lind pyetja: 05/08/2023 10:12

    Si mund të falimentojë një ujësjellës shtëpi publike?

    Përgjigju
  • Anës ujit i palarë: 05/08/2023 09:42

    Është bërë ujesjellësi bordello në kuptimin e mirefilltë të fjalës.

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Sondazhi i Tiranës, PS i qëndron 18 mandateve, zbret PD me 4 deputetë! Surprizë partitë e reja me 8 mandate, fundoset PL-ja

Sondazhi i Tiranës, PS i qëndron 18 mandateve, zbret PD me 4 deputetë! Surprizë partitë e reja me 8 mandate, fundoset PL-ja