Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj është shprehur sot në seminarin për Zhvillimin Urbanistik të Tiranës sesi Bashkia e ka transformuar kryeqytetin duke investuar në zhvillimin e urbanistikës, e konkretisht edhe në gjelbërimin e mjedisit.
Duke patur parasysh protestën e studentëve kundër MAS, që po zhvillohet për të shtatën ditë radhazi, Veliaj e hapi fjalën e tij duke thënë se Bashkia e Tiranës synon që studentët të trajtohen me respekt dhe dinjitet, e kësisoj, ajo do investojë për përmirësimin e kushteve të konvikteve. Ai foli për planin dhe ndërhyrjen në Qytetin Studenti, teksa shtoi faktin se disa godina ndërkohë kanë pësuar transformime.
"Të përfitojmë nga eksperienca franko-gjermane. Në proces janë në fokus përmirësimi i kushteve në konvikte. Me rëndësi është trajtimi me dinjitet të studentëve. Ambasada e Gjermanisë ka dhënë një dorë ndihmuese për qytetin studentit. Të bëjmë më shumë, me pak para dhe Tirana për këtë është një shembull për të gjithë qytetet e Shqipërisë. Duam të krijojmë një paketë turistike. Jam i lumtur që BE ka akorduar 94 mln euro të adresuar tek fermerët. Për disa çështje, vendet në zhvillim ne mund të kalojnë edhe vende të zhvilluara. Secili mund të mbjellë një pemë për ditëlindjen e tij, apo për të kujtuar një gjysh apo një përvjetor martese”, tha Veliaj.
Duke krahasuar situatën aktuale me atë të pesë viteve më parë, Veliaj u shpreh se sot Bashkia e Tiranës përmes vendimeve të ndërmarra në kuadër të bashkimit të 24 njësive bashkiake ka aplikuar frazën "Bëjmë shumë, me sa më pak".
"Ne morëm një vendim të guximshëm për të bashkuar 24 njësi bashkiake. Kishim problem për të bërë qoftë dhe një urë sepse na rezultonte se edhe midis dy kryetarëve të komunave duhej të gjendej dakordësimi midis tyre. Falë këtij vendimi, Bashkia e Tiranës mund të bëjë investime të papara më parë. Nëse ne do të mbanim administratën e 24 njësive bashkiake do të kishim më shumë staf, por kemi vetëm 8 mijë. Tingëllon cuditshëm, por ne kemi bërë pikërisht më shumë, me më pak", u shpreh kryetari i Bashkisë së Tiranës, duke u fokusuar më tej edhe tek çështja e mjedisit të cilën e cilësoi si prioritet të Bashkisë së Tiranës.
"Ne biem në dashuri me një qytetë, ne protestojmë në një qytet, ne anëtarësohemi në një qytet, pra jemi tmerrësisht të lidhur ngushtë me një qytet. Jam shumë e lumtur që cështja e mjedisit është primare për Bashkinë e Tiranës. Ka shumë njerëz që thonë se varfëria është e lidhur ngushtë më papastërinë. Por nuk ka asgjë që ta konfirmojë lidhjen e varfërisë me papastërinë. Këto janë etapa që ne duhet t'i kapërcejmë", u shpreh ndër të tjera ai.