DURRËS - Një 52-vjeçare nga Armenia është arrestuar nga policia pasi organizonte prostitucion në Durrës, duke shfrytëzuar edhe një 22-vjeçare nga Peruja. Kjo e fundit është vënë nën hetim nga blutë, së bashku me 3 persona të tjerë.
Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan 2 pasaporta të shtetaseve të huaja, shuma parash, karta telefoni, bllok shënimesh etj.
Nga veprimet hetimore të kryera rezultoi se këto shtetase të huaja kishin marrë me qira dy apartamente, në zonën e Vollgës, lagjja nr. 1, dhe në zonën e Plazhit, lagjja nr. 13, Durrës, të cilat i kishin përshtatur për ushtrimin e prostitucionit.
Njoftimi i plotë i policisë:
Seksioni për Hetimin e Trafiqeve, në bashkëpunim me Forcën e Posaçme Operacionale, në vijim të goditjeve të njëpasnjëshme të realizuara gjatë fazave të operacionit policor të koduar “STORM”, për goditjen e shfrytëzimit për prostitucion, pas një hetimi dyjavor me metoda speciale, finalizoi fazën e 13-të të këtij operacioni.
Si rezultat i operacionit, në zonën e Vollgës, Durrës, u arrestua në flagrancë shtetasja L. H., 52 vjeçe, lindur dhe banuese në Armeni, e dyshuar si organizatore e këtij rasti të shfrytëzimit për prostitucion, për veprat penale “Prostitucioni” dhe “Përshtatja e ambienteve për prostitucion”.
Gjithashtu, gjatë operacionit u procedua penalisht një 22-vjeçare nga Peruja, si dhe tre shtetas nga qarku Durrës, për veprën penale “Prostitucioni”.
Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan 2 pasaporta të shtetaseve të huaja, shuma parash, karta telefoni, bllok shënimesh etj.
Nga veprimet hetimore të kryera rezultoi se këto shtetase kishin marrë me qira dy apartamente, në zonën e Vollgës, lagjja nr. 1, dhe në zonën e Plazhit, lagjja nr. 13, Durrës, të cilat i kishin përshtatur për ushtrimin e prostitucionit.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për veprime të mëtejshme.
Komente











