Pasioni për elektronikën e ka shoqëruar në çdo ditë të jetës së tij prej 44 vitesh. Edhe pasi ka mbushur moshën e pensionit, 68-vjeçari Zigur Çelaj e kalon ditën mes paisjeve elektronike.

Tekniku i televizorëve, siç e njohin në Vlorë, ende nuk don të mendoj se kur do të heq dorë nga profesioni që e dashuron si në ditën e parë të punës.

“Kam punuar përherë me pasion. E gjithë puna ime, për gjithë jetën ka qenë profesioni”, thotë ai.

Ai tregon se vite më parë kishte shumë më tepër punë, pasi njerëzit preferonin të riparonin televizorët dhe pajisjet e tjera elektronike. Me kalimin e viteve kjo situatë ka ndryshuar, pasi sot shumë pajisje zëvendësohen më lehtë sesa riparohen.

“Leku ishte me pakicë, s’mund të blinin të gjithë televizor të ri. Tani pak nga pak rrjeti ëhtë përmirëusar, janë uur çmimet, është rritur niveli ekonomik i klientëve. Nëse s’ka njërin në punë, ka tjetrin. Në përgjithësi ekziston mania për ta riparuar”, shprehet mjeshtri.

Dashurinë për profesionin e ka trashëguar edhe te djali i tij, i cili i qëndron pranë në punishte gjatë pasditeve ose në ditë të veçanta. Gjithsesi ai tregon se të rinjt nuk udhëhiqen nga i njëjti pasion si brezi i tij.

“Neve na ka bërë më profesionistë këmbëngulja, interesi dhe varfëria. Këta s’janë aq këmbëngulës dhe nevojtarë”, thotë Çelaj.

Për Zigur Çelajn, profesioni mbetet një punë që kërkon mbi të gjitha dashuri dhe pasion. Janë pikërisht këto dy cilësi që e kanë bërë të mos i ndahet asnjë ditë elektronikës. Ai thotë se qetësinë dhe kënaqësinë e gjen te puna dhe se do të vazhdojë ta ushtrojë këtë profesion për aq kohë sa do të ketë mundësi.