Tifozët e Interit janë të çmendur pas Romelu Lukakut. Sulmuesi belg që është goditja e madhe e zikaltërve në këtë merkato vere, i kërkuar me ngulm nga trajneri Antonio Conte mbërriti në aeroport rreth orës 2 të mëngjesit. 26 vjeçari u prit nga qindra tifozë të cilët i bënë edhe kërkesën e parë, gol ndaj Juventusit. Gjithsesi Interi e fitoi derbin e parë sezonal ndaj Juves në merkato.
Ish-sulmuesi i Manchester United ka një ditë të gjatë përpara ku do të hedhë edhe firmën në kontratën 5-vjeçare nga e cila do të përfitojë 7.5 mln euro në sezon. Lukaku donte vetëm Interin dhe dëshira e tij u plotësua. Zikaltërit paguan për "Big Rom" 65 mln euro plus 10 të tjera bonus ndërsa në një shitje të mundshme të tij nga Interi anglezët e United kanë të drejtën të përfitojnë 10 % të shumës.
Mungonte vetëm zyrtarizimi që ka ardhur. Juventusi dhe Manchester City shkëmbyen mbrojtësat e djathtë ku Danilo u vesh bardhezi dhe Joao Cancelo përfundoi tek City. Nga ky operacion Juvja del edhe me një fitim ekonomik prej 28.6 mln euro. Danilo ka kaluar edhe vizitat mjekësore me klubin e ri ndërsa në Angli po ashtu është prezantuar edhe Cancelo me fanellën e City-t.
Sot në Angli mbyllet merkato dhe janë gati lëvizjet e fundit. United paraqet tjetër ofertë për Mario mandzukic. David Luiz është shumë pranë kalimit tek Arsenal ndërsa argjentinasi Lo Celso do luajë me Tottenham sezonin e ardhshëm./Përgatiti Andi Kapxhiu