BERAT – Një grua 46-vjeçare ka shpëtuar nga flakët e zjarrit që përshinë banesën e saj mesditën e sotme në lagjen “30 Vjetori”, në qytetin e Beratit. Kanë qenë fqinjët ata që kanë njoftuar zjarrfikësen ,e cila pasi ka mbërritur në vendngjarje dhe ka hyrë në banesën njëkatëshe, ka gjetur në mes të tymit e flakëve një grua të asfiksuar dhe pa ndjenja.
 
46-vjeçarja, Vangjeli Zyka është dërguar me urgjencë në Spitalin Rajonal, ku ndodhet në gjendje të rëndë shëndetësore. Ajo ishte vetëm në shtëpi dhe nuk ka mundur të dalë dot jashtë për shkak të flakëve.
 
Mendohet se shkak i zjarrit është bërë një shkëndijë elektrike. Edhe pse flakët e zjarrit janë shuar në më pak se 30 minuta, dëmet e shkaktuara në banesë janë të mëdha.
 
Banesa e shkrumbuar është në pronësi të 52-vjeçarit Sabri Zyka, ish-drejtor i Drejtorisë së Shërbimit Pyjor në qarkun e Beratit gjatë viteve 2002-2010, i cili në momentin e ngjarjes nuk ndodhej në banesë së bashku me 3 fëmijët e tij.
 
Redaksia Online
(a.h/shqiptarja.com)