Zjarret masive në Salamina të Greqisë i kanë marrë jetën 2 personave në zonën e Peristerias, ndërsa raportohet se rreth 364 të tjerë janë evakuuar. Ndërkohë 10 persona raportohet se kanë mbetur të plagosur.

Sipas mediave greke, një operacion i gjerë për evakuimin e civilëve përmes rrugëve detare është duke u zhvilluar aktualisht në ishullin e Salaminës, ku dy vatra të mëdha zjarri po përhapen me shpëjtësi.

Roja Bregdetare Helenike njoftoi se operacioni i evakuimit po zhvillohet në zonat detare pranë Peristerias, Kolones, Maroudit dhe Saterlit, nën koordinimin e Qendrës Operacionale të Rojës Bregdetare.

Në operacion janë angazhuar forca të Brigadës së Zjarrfikësve, mjete të Rojës Bregdetare, tragete, varka ndihmëse dhe mjete private.

Situata në ishull vijon të jetë kritike, pasi erërat e forta po vështirësojnë ndjeshëm përpjekjet për shuarjen e flakëve.

Zjarri i parë shpërtheu në zonën e Peristerias rreth orës 14:45, ndërsa rreth orës 15:00 u raportua edhe një vatër e dytë në zonën e Selinias.