TIRANË- 345 mln lekë është fondi që qeveria ka vënë në dispozicion për dëmshpërblimin e 15 bashkive, të cilat u përballën me zjarret masive gjatë verës 2025. Ministri i Mbrojtjes, Pirro Vengu, bëri publike shpërndarjen e fondeve, duke detajuar shumën që do të përfitojë secila bashki.

Bashkia që përfiton shumën më të madhe është Kruja me 146 milionë lekë, e ndjekur nga Gramshi me 86.6 milionë lekë. Fondi për Bashkinë e Krujës, më i madhi në 14 bashkitë, përfshin edhe shlyerjen e detyrimeve të prapambetura nga fatkeqësi të mëparshme.

Shpërndarja është bërë në bazë të bilanceve që secila bashki ka hartuar për dëmet e shkaktuara nga zjarri. Edhe pse Delvina ishte një ndër më të prekurat nga zjarret do të marrë vetëm 36 milionë lekë, të cilat deri më tani raportohet se do të shkojnë vetëm për dëmet në banesa dhe stalla. Edhe Gramshi që gjithashtu pësoi dëme të jashtëzakonshme, do të marrë vetëm 86.6 milionë lekë.

Maliqi do të marrë 1.2 mln lekë, fond që është parashikuar për dy banesa të djegura, ndërkohë që dëmshpërblimi për këto banesa është kryer më herët nga vetë bashkia, në muajin dhjetor 2025, me fondet e saj. Nga ana tjetër, buxheti i kërkuar nga bashkia e Maliqit për përballimin e situatës së zjarreve ka qenë rreth 70 milionë lekë të vjetra, por nga qeveria qendrore janë transferuar vetëm 12 milionë lekë, duke mbuluar vetëm një pjesë minimale të nevojave. Autoritetet vendore në Maliq, mbeten në pritje të fazës së dytë të transfertave të këtij kompesimi.

Në anën tjetër, bashkitë me përfitimet më të ulëta janë Librazhdi me vetëm 0.2 milionë lekë, Tepelena me 0.3 milionë lekë, Kukësi me 0.6 milionë lekë dhe Hasi me 0.7 milionë lekë.

Bashkitë dhe dëmshpërblimi që marrin
Delvinë – 36 mln lekë
Dibër – 10,5 mln lekë
Gramsh – 86,6 mln lekë
Has – 0,7 mln lekë
Rrogozhinë – 1,8 mln lekë
Krujë – 146 mln lekë
Kukës – 0,6 mln lekë
Librazhd – 0,2 mln lekë
Peqin – 4 mln lekë
Tepelenë – 0,3 mln lekë
Kamëz – 2 mln lekë
Maliq – 1,2 mln lekë
Finiq – 40 mln lekë
Dropull – 7,7 mln lekë
Malësi e Madhe – 6,6 mln lekë

Verën e vitit 2025 pati dëme serioze në disa bashki të vendit për shkak të zjarrit, ku përgjithësisht kryesonin bashkitë e jugut të Shqipërisë, Delvina e Finiqi, dhe Gramshi në Shqipërinë e Mesme. Sipas të dhënave nga Sistemi Evropian për Zjarret në Pyje gjatë vitit 2025 në Shqipëri u dogjën mbi 59 mijë hektarë pyje.