Zv/ ministri i Brendshëm, Stefan Çipa shprehet se Agjencia që do krijohet për Mbrojtjen Civile dhe do të përfshijë strukturat e Emergjencave dhe Rezervat e Shtetit, është një tjetër hap për të rritur kapacitetet menaxhuese për t’ju gjendur pranë qytetarit në çdo fatkeqësi.
 
Çipa ka folur edhe për situatën aktuale të zjarreve në vend duke deklaruar se ndërhyrja e strukturave ka bërë të mundur të shpëtohen territore të tëra pasuri shtetërore, private etj.
 
Por ai ka një apel për bashkitë që të forcojnë kapacitetet për përballimin e zjarreve.
 
“Zjarret masive të rëna në vendin tonë, angazhimi i strukturave dhe kontributi i tyre në procesin e shuarjes së zjarreve, është një apel që shteti dhe bashkitë duhet të planifikojnë dhe përmirësojnë kapacitetet teknike operacionale të mbrojtjes nga zjarri dhe fatkeqësitë e tjera.
 
Prandaj, sistemi i emergjencave civile dhe shërbimi zjarrfikës në bashki do të duhet të vazhdojë të rrisë kapacitetet e tij në fushën e parashikimit, zbutjes dhe parandalimit ndaj rreziqeve me metoda e mënyra të orientuara, siç është dhe kontributi me mjete e pajisje nëpërmjet kompanive private”.
 
Nga një investigim i Report Tv pak javë më parë rezultoi se pjesa më e madhe e bashkive nuk kishin kapacitete për përballimin e zjarreve.
 
Për Çipën është e papranueshme që një investitor shpenzon miliona euro për ndërtimin e objekteve turistike, apo fabrikave dhe nuk investon për sistemin e mbrojtjes nga zjarri.
 
Deklaratat Çipa i bëri gjatë një aktiviteti ku TAP ka dhuruar uniforma e pajisje personale për ngritjen e kapaciteteve teknike të bashkive me qëllim parandalimin dhe ndërhyrjen për raste të zjarreve dhe emergjencave civile.

zjarrfikasat

zjarrfikasat

cipa zjarret
Zv/ ministri i Brendshëm, Stefan Çipa


dy.b/shqiptarja.com