Zjarri në Frakull të Fierit vijon të jetë aktiv në një masiv me pisha, ndërsa në terren janë angazhuar 90 ushtarë të Forcave të Armatosura dhe mjete zjarrfikëse. Mëngjesin e sotëm nisi edhe ndërhyrja nga ajri, ndërsa aktualisht po operojnë 2 avionë “Air Tractor”.

Në zonë ka prani të lartë tymi, ndërsa flakët vijojnë të përhapen në masivin pyjor. Vatra vijon edhe në drejtim të Peshtanit, në një zonë të paarritshme nga mjetet, por larg zonave të banuara dhe deri më tani nuk paraqet rrezik për banesa apo biznese.

Banorët që u evakuuan mbrëmjen e djeshme janë rikthyer në banesat e tyre. Në spital kanë marrë ndihmë mjekësore 4 persona për shkak të asfiksisë nga tymi. Përveç 3 personave të paraqitur gjatë ditës së djeshme, një i ri mbërriti në spital rreth mesnatës me shenja asfiksie dhe u largua pasi mori ndihmën e nevojshme.

Gjurmët e zjarrit janë të dukshme në zonat e prekura, por ende nuk ka një bilanc paraprak të dëmeve. Energjia elektrike vijon të mungojë në disa zona, ndërsa janë regjistruar edhe riaktivizime të disa vatrave, të cilat deri më tani janë të menaxhueshme.

Ndërkohë, situata me zjarret mbetet problematike edhe në disa zona të tjera të vendit. Gjatë 24 orëve të fundit janë raportuar 39 vatra, nga të cilat 11 mbeten aktive, 3 janë nën mbikëqyrje, ndërsa 25 janë shuar plotësisht.

Vatrat kryesore aktive ndodhen në Tiranë, Dibër, Lezhë, Shkodër, Durrës, Fier dhe Vlorë. Në operacionet për shuarjen e zjarreve janë angazhuar 881 forca operacionale, 75 mjete zjarrfikëse dhe 340 efektivë të Forcave të Armatosura, të mbështetur nga mjetet ajrore.