HIMARË- Një ditë pas natës së vështirë që kaloi Himara me zjarrin që rrezikoi banesa dhe struktura akomoduese, kryeministri Edi Rama shkoi në zonat e prekura, ku pa nga afër dëmet e lëna pas nga flakët.
Në pamjet e publikuara në rrjetet sociale, Rama shihet duke ecur krah banorëve në zonën e shkrumbuar nga zjarri, ndërsa mesazhin e shoqëroi me shprehjen: “Ç’nuk na vret na bën më t’fortë”.
Kryeministri takoi dhe falënderoi efektivët e Emergjencave Civile, Forcave të Armatosura dhe zjarrfikësit që punuan gjatë natës për të vënë nën kontroll flakët.
Zjarri, i favorizuar nga era e fortë, zbriti nga kodrat drejt qytetit, duke djegur 6 banesa, 3 prej tyre të banuara, si dhe sipërfaqe të mëdha me ullishte. Në lagjen “1 Maji” u evakuuan 36 persona, të cilët u rikthyen në banesa pasi rreziku kaloi.
Sipas Kryeministrisë, në operacionet kundër zjarreve në të gjithë vendin gjatë 24 orëve u angazhuan 881 forca operacionale, 75 automjete zjarrfikëse dhe 340 efektivë të Forcave të Armatosura, me mbështetje nga ajri me helikopterë dhe avion “Air Tractor”.
Për dëmet e shkaktuara në Himarë, Rama tha më herët se Bashkia ka nisur vlerësimin e dëmeve nga zjarri, për të dëmshpërblyer të prekurit.

Kryeministri Edi Rama njoftoi se bashkia e Himarës do të verifikojë dëmet nga zjarri, për të dëmshpërblyer të prekurit,
"Himara dhe Fieri kaloi një natë shumë të vështirë mbrëmë. Aktualisht situata është nën kontroll dhe nuk ka rrezik për banorët apo zonat e banuara. Strukturat përgjegjëse vijojnë punën në terren për monitorimin e situatës dhe evidentimin e dëmeve. Bashkia do të vijojë identifikimin dhe vlerësimin e dëmeve, si dhe evidentimin e rasteve që kanë nevojë për ndihmë urgjente", shkroi Rama.
Kreu i qeverisë vlerësoi punën në terren të strukturave përgjegjëse që menaxhuan situatën e vështirë me zjarret mbrëmë jo vetëm në Himarë, por edhe në Fier, duke shmangur rrezikun për banorët.












Komente
Komento