Zjarri më i madh i regjistruar ndonjëherë në Belgjikë vazhdon të përhapet me shpejtësi, ndërsa flakët kanë shkrumbuar rreth 2.700 hektarë në rajonin e Visoke Fens, pranë kufirit me Gjermaninë. Situata ka detyruar Bashkimin Europian të aktivizojë mekanizmin e mbrojtjes civile, duke dërguar avionë dhe helikopterë për të ndihmuar autoritetet belge.

Sipas autoriteteve belge, sipërfaqja e përfshirë nga zjarri është rritur brenda pak orësh nga 1.600 në 2.700 hektarë, duke kaluar rekordin e mëparshëm të vendosur në vitin 2011.

Në operacion janë angazhuar tre helikopterë dhe dy avionë zjarrfikës të dërguar nga Republika Çeke, Suedia dhe Holanda në kuadër të Mekanizmit të Mbrojtjes Civile të Bashkimit Europian. Në terren po punojnë gjithashtu zjarrfikës, forcat e emergjencës dhe ushtria belge.

Flakët ndodhen rreth 3 kilometra nga kufiri me Gjermaninë, ndërsa situata mbetet e tensionuar edhe në qytetin Monshau. Autoritetet gjermane u kanë kërkuar banorëve të disa zonave të përgatiten për një evakuim të mundshëm, ndërsa paralajmërojnë se tymi mund të përbëjë rrezik për shëndetin.

Në Monshau është hapur një qendër strehimi për banorët që nuk kanë ku të zhvendosen, ndërsa rreth 5 mijë persona konsiderohen të rrezikuar nëse zjarri vazhdon të përhapet. Në anën belge, evakuimi i disa fshatrave ka nisur tashmë.

Rajoni i Visoke Fens, i njohur për moçalet, pyjet dhe tokën torfike, konsiderohet veçanërisht i vështirë për t'u mbrojtur nga zjarret. Torfa mund të vazhdojë të digjet edhe nën sipërfaqe, duke krijuar vatra të reja edhe pasi flakët duken të shuar.

Autoritetet nuk kanë bërë ende të ditur shkakun e zjarrit. Prioriteti mbetet vënia nën kontroll e flakëve dhe mbrojtja e banorëve, ndërsa më pas do të vlerësohen dëmet në mjedis, infrastrukturë dhe ekonominë e zonës.