DURRËS-  Të shqetësuar për sigurinë e familjeve të tyre banorët e Porto Romanos ditën e sotme janë ngritur në protestë pas ngjarjes së ndodhur një ditë më parë ku shpërtheu një nga depozitat e gazit të biznesit "Gas Power".

Fëmijë, burra dhe gra kanë kërkuar nga shteti, që të ndërhyjnë për zhvendosjen e fabrikës, pasi thonë se ndihen të rrezikuar duke jetuar në të njëjtën zonë me të. Madje, ato kanë bërë edhe krahasimin me tragjedinë e Gërdecit, ku shprehen se një ngjarje e tillë nuk duhet të përsëritet.

“Kemi dalë që të hiqet fabrika, nuk e heq kush”.

“Është i rrezikshëm, e di shumë mirë se si funksionon, na thanë do bëhej fabrikë shampoje, dhe po të ishte për punë bombolash, sikur e largoi Vora do e largojmë dhe ne, se ka qenë më parë në Vorë, nuk jemi kundër biznesit, rrezikohet jeta e qytetarit. Gërdeci nuk duhet të përsëritet, është gjynah”.

“Nuk duhet të ndodh një Gërdec i dytë, të vijë ministria e Mjedisit, a i takon që ta mbajë këtë biznes në qendër të banuar”, thanë banorët.

Në protestë ishte dhe një vajzë e vogël, e cila tregon se e ka të pamundur që të luajë në lagje për shkak të erës së gazit.

“Ne dalim dhe lozin dhe vjen era gazit, ne do të rrimë të mbyllur në shtëpi apo do të lozim”, thotë një vajzë e vogël.

Banorët kanë paralajmëruar përshkallëzim të protestave. Kjo sepse ato theksojnë se janë mashtruar, sepse më herët u është thënë se fabrika do të prodhonte shampo, por së fundmi ka rezultuar një fabrikë e cila prodhon bombola gazi dhe kjo u zbulua nga shpërthimet.

Një ditë më parë zjarri përfshiu depozitat e gazit në zonën e Porto Romanos. Banorët u larguan menjëherë nga banesat e tyre pasi kishin frikë se mos situata do të përshkallëzohej. Fatmirësisht nga zjarri nuk pati të lënduar vetëm dëme materiale. Nga hetimet e para rezultoi se zjarri u shkaktua nga një shkëndijë elektrike në kompresor.

Kompania "gaz power" prodhon bombola të vogla gazi për tregun vendas e ndërkombëtar, ndërsa shpërthimet në fabrikë kanë qenë raste të përsëritura.