Të paktën 15 hektarë sipërfaqe me pisha mendohet se janë djegur nga zjarri në fshatin Riban të Mallakastrës, ndërsa flakët vijojnë të mbahen nën kontroll pas një ndërhyrjeje që ka zgjatur gjatë gjithë ditës dhe që detyroi autoritetet atje të evakuojnë 15 familje bashkë me bagëtitë dhe kafshët shtëpiake. 

Në një intervistë për mediat, Drejtori i Përgjithshëm të Mbrojtjes nga Zjarri dhe Shpëtimi, Arben Cara, përshkruan një situatë shumë të vështirë nga flakët masive, erës së fortë dhe temperaturave të larta dhe zotohet se beteja deri në neutralizimin e plotë të vatrës do të vijojë nëse duhet edhe gjatë natës. 

“Prej orëve të para të mëngjesit, bashkë me kryetarin e Bashkisë, nëndrejtorin e Policisë së Fierit dhe shërbimet zjarrfikëse të Mallakastrës, Patos, Fier, Berat, forcat e emergjencave civile dhe forcat vullnetare jemi duke luftuar me flakët në fshatin Rabin. Ka qenë një situatë shumë dramatike dhe e vështirë por ajo që kemi bërë është që kemi siguruar njerëzit dhe gjënë e gjallë dhe i kemi evakuuar. Asnjë nga banesat deri në këto momente nuk është prekur nga zjarri. Ka qenë një zjarr masiv i përmasave të mëdha, temperatura të larta me flakë që kanë përpirë hektarë me pisha. Me ndihmën e dy helikopterëve që kanë punuar për gjatë ditës, vatrën e zjarrit e kemi mbajtur të menaxhueshme brenda perimetrit. Do punojmë gjatë gjithë natës nëse është e nevojshme për eliminimin e plotë të saj.  Deri tani sipërfaqja e djegur mendoj që është diku tek 15 hektarë në mos më shumë., Kemi më shumë djegie sipërfaqësore se djegie të thellë. Ka agravuar si pasojë e erës. Me familjet do të merret bashkia për të bërë akomodimin e tyre. Banesat e tyre janë të paprekura” tha Cara 


Lajmi kryesor:

Mallakastër, zjarri rrezikon banesat në Riban! Evakuohen 15 familje, ndërhyhet me helikopter e avion! Policia: Hetime për zjarrvënie të qëllimshme, disa të shoqëruar (VIDEO)