Zona e Kashnjetit, në Njësinë Administrative Ungrej të Lezhës, vijon të përballet me zjarret prej gati një jave. Edhe pse vatrat më të mëdha të flakëve janë vënë nën kontroll, në terren ende raportohen vatra të vogla aktive, kryesisht në zonat malore dhe në terrene të vështira për t’u aksesuar.
Rreth 150 forca janë angazhuar në operacion, mes tyre efektivë të Forcave të Armatosura dhe shërbimeve zjarrfikëse. Ndërhyrja po vijon me mjete zjarrfikëse dhe pompa dore, ndërsa fokusi kryesor është mbajtja nën kontroll e vatrave dhe parandalimi i përhapjes së flakëve drejt zonave të banuara.
Terreni i thyer dhe lartësia e madhe ku ndodhen disa prej vatrave e kanë vështirësuar ndërhyrjen nga toka. Për këtë arsye, operacioni po mbështetet edhe nga ajri, me një helikopter që po ndërhyn në zonat ku flakët janë të paarritshme nga ekipet tokësore.
Kryetari i Njësisë Administrative Ungrej Agustin Zefi bën me dije se situata është përmirësuar ndjeshëm krahasuar me një ditë më parë, por rreziku nuk është eliminuar plotësisht.
Forcat në terren do të vijojnë punën deri në shuarjen e plotë të vatrave, ndërsa pas ndërhyrjes do të monitorohet zona për të shmangur riaktivizimin e zjarrit.
Lajmi kryesor:
Zjarret në vend, 13 aktive në disa qarqe! Vijojnë operacionet nga toka dhe ajri për shuarjen e flakëve (VIDEO)










