Një javë pasi flakët e zjarrit shkrumbuan apartamentet e të paktën 30 familjeve në kompleksin Arlis, Këshilli Bashkiak i Tiranës do të mblidhet jashtë radhe për të miratuar bonusin e qirasë për familjet e dëmtuara.
Report Tv ka siguruar projekt-vendimin që do t’i paraqitet për miratim Këshillit Bashkiak të mërkurën në orën 16:00, i cili parashikon një dëmshpërblim prej 40 mijë lekësh në muaj për çdo familje, kompensim që do të jetë në fuqi deri në rikthimin e tyre në banesat e rikonstruktuara.
Siç parashikohet në këtë dokument efektet financiare do të përballohen nga të ardhurat e Bashkisë Tiranë në programin e Mbrojtjes nga Zjarri dhe Mbrojtjes Civile. Për të përfituar bonusin e qirasë familjet duhet të vërtetojnë që nuk kanë një banesë tjetër në pronësi brenda Bashkisë së Tiranës.
Ekspertiza ende nuk ka arritur të identifikojë shkaqet e zjarrit në Kompleksin Arlis, në rrugën e Dibrës, zonë e njohur ndryshe si Farmacia 10, ndërsa shpejtësia me të cilën flakët përfshinë fasadën e pallatit dyshohet të ketë ndodhur për shkak të materialeve me cilësi të dobët dhe jo kundër zjarrit.
Pas ngjarjes kryeministri Rama garantoi familjarët se ndërtuesi do të marrë përsipër të gjitha dëmet duke rikonstruktuar të gjitha dëmet e shkaktuara nga zjarri, ndërsa Bashkia Tiranë pas inventarizimit do të dëmshpërblejë banorët edhe për vlerën e mobilimit të apartamenteve, pasi siç mund të shihet nga pamjet, zjarri nuk la pas asgjë.
Zjarri nisi fillimisht nga një grumbull kartonësh në hyrjen e një supermarketi, ndërsa flakët të favorizuara edhe nga era e fortë u përhapën me shpejtësi në të gjithë fasadën e godinës vetëm në pak minuta.

Kliko këtu për të lexuar dokumentin e plotë
Komente











