'Zâni', vepra moderne e skulptorit Sadik Spahija një instalacion elegant në Tiranë

“Zâni”, titullohet instalacioni i bukur skulpturor i përbërë nga ndërthurja e tubave të hekurit të madhësive të ndryshme, që të krijojnë përshtypjen sikur mbajnë njëri-tjetrin pezull, e duke zgjuar lojën e dritave.  

Kjo vepër e skulptorit Sadik Spahija është e treta që instalohet në Tiranë në kuadër të projektit Free Art të Platformës së Artit Bashkëkohor HARABEL, pas instalimit të veprave “Drejtëshkrimi” të Adrian Pacit dhe “Enough Is Enough” të Alban Mujës.    

Sadik Spahija, ky mjeshtër i skulpturës, prej vitesh iu ka dhënë dinjitet figurave të mëdha të kombit përmes realizimeve monumentale, shtatoreve apo busteve madhështore, herë në dimensione klasike e herë në dimensione moderne, si At Shtjefën Gjeçovit, Ndre Mjedës. Mark Çunit, Pjetër Arbnorit, Vilson Blloshmit e Genc Lekës, si dhe shumë figurave të tjera të ndritura të artit e të shkencës.    

Pas kësaj, pakkush mund ta imagjinojë sesi një artist ndërkohë që ngre shtatore, i kushton pothuaj dhjetë vjet të jetës së tij një projekti instalacioni të quajtur Deus ex machine, të cilin e prezantoi në një ekspozitë të tri vjetëve më parë, pjesë e së cilës është vepra “Zani” tashmë e instaluar përfundimisht në sheshin publik të kryeqytetit.   

Vepra “Zani” e Sadik Spahisë është fizikisht imponuese: e përmasave shumë të mëdha, arrin 16 m lartësi e gjerësi.  

Është e rëndë dhe me vëllim monumental; e megjithatë ajo vjen si një projeksion transparent i vetvetes, në dukje sikur nuk ka peshë, por kjo vepër është transkripti metaforik i një melodie të sjellë prej vërtitjes së erës mes një pylli pemësh të paprekur nga njeriu, sipas kuratores Ajola Xoxa.    

Të konsideruara në versionin figurativ si degë pemësh këto tuba ndërthuren për t’i bërë hije kalimtarit, e njëkohësisht duke e lënë atë të shijojë edhe depërtimin e dritës së diellit.   

Ky instalacion kaq elegant na afrohet si një përjetim urban i formave të së ardhmes, të njeriut që pavarësisht ku shkon me krijimet e tij, mbetet pashmangshmërisht i lidhur me zërin e vëllimet që ai gjen të gatshme tek poetika e natyrës: gjithmonë perfekte.   

Kjo është një vepër që kërkon të përcjellë paqe dhe harmoni mes natyrës e urbanes, apo si ndërlidhëse e tyre.    

Vepra “Zani” e Sadik Saphisë nuk kërkon të përçojë ndonjë mesazh të koduar artistik, por të nënvizojë, sërish, se më pak është më mirë dhe se natyra e ka zbërthyer bukurinë shumë më parë se ta bëjmë ne, rastësisht dhe pa asnjë gabim.   

Kjo vepër synon afrimin e publikut me artin bashkëkohor, përmes instalimit të veprave të artit në hapësira publike, pa nevojën e hyrjes në galeri apo muze.   

Artistët pjesëmarrës në realizimin teknik të veprës dhe kuratorët e “Harabel” Ajola Xoxa dhe Drian Zeneli janë bashkur në një qëndrim të konsoliduar për ngritjen në një një sheh publik të kësaj vepre: arti është një mjet edukues dhe formues i individit, rritës i mendimit intelektual, mendimit kritik dhe imagjinatës, e jo thjesht dekorues.   

Vepra “Zani” e Sadik Spahisë lëshon tinguj të fshehtë në prekjen e rrezeve të para të ditës, prodhon muzikë dhe dritëhije lodërtare për syrin e publikut.    

Vibron në hapësirë dhe e zbukuron atë, ashtu e bukur dhe modeste, me një droje sqimatare edhe për mos t’ia eklipsuar  bukuritë e natyrës.    

/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Si ka qene per ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

​Rusia i pezullon gazin, reagon Moldavia: Putin po e përdor energjinë si armë

​Rusia i pezullon gazin, reagon Moldavia: Putin po e përdor energjinë si armë