Zoi Xoxa: Si u arratis
familja mbretërore

Zoi Xoxa: Si u arratis<br />familja mbretërore
Orvatjet për arratisje
Më 1 prill, nga adjutantura e princeshave më telefonon Ndoc Kurti dhe më thotë se më kërkonte princesha Myzejen. Unë isha mërzitur nga muhabetet e tyre: sa herë që kisha vajtur, kur më kishin thirrur: i njëjti muhabet për Shanelin dhe për Manezhin e Parisit. Dhe iu përgjigja se kishim një mbledhje në Parlament, mbledhje të cilën nuk mundesha ta shmangia.
Dhe nuk vajta fare.
Më vonë mora vesh nga Murat Basha se atë ditë ato po bënin përgatitjet për t’u larguar nga Shqipëria dhe deshën të më lajmëronin që të bëhesha edhe unë gati, se do më merrnin me vete.

Pas disa ditësh, tërë familja mbretërore u nis për në Greqi. Vetëm Geraldina nuk u nis dot me të tjerët se ishte ditë-natë për të lindur dhe, në atë gjendje, nuk mund të udhëtonte.  Ajo lindi djalë të enjten, domethënë më 6 prill, dhe u nis të premten në mëngjes për në Larisa, e shtirur në një autoambulancë dhe e shoqëruar nga Dr. Mokini.
Ndërkaq morëm vesh se mbreti e kishte vendosur shtabin ushtarak në kishën e Shën Prokopit, që ishte në fund të bulevardit të madh, se ishte hapur fjala që Italia do të bombardonte Pallatin dhe krejt Tiranën. Të gjithë vinim ré nga “Kursali” se kishte njëfarë lëvizje ushtarake, por jo ndonjë mobilizim në popullsinë civile: kamionë të mbushur me ushtarë shkonin për në Durrës, gjithashtu edhe mjete ushtarake. U hap fjala edhe se Komandanti i përgjithshëm i operacioneve për mbrojtjen e Durrësit qé emëruar Abaz Kupi. Këtë e njihnin të gjithë si oficer trim e besnik, ndaj qemë të bindur se në Durrës do të bëhej një rezistencë e gjallë.

Por ajo që na dëshpëroi shumë qé se pamë përgatitje për arratisje në shtëpitë e “të mëdhenjve” dhe fjala mori dhenë. Natën vonë kishin parë kamionë, që po ngarkoheshin me plaçka, përpara shtëpisë së Musa Jukës, Abdurrahman Dibrës, A.Matit, Hiqmet Delvinës etj.
Unë, për veten time, e mendova thellë punën tërë ato ditë: sido që të vinte, vendosa të mos “arratisem”. Këtë i thashë troç Ahmet Resulit, kolegut tim, deputet i prefekturës së Beratit, kur erdhi, dy ditë përpara 7 prillit, të më propozonte për t’u “arratisur”. Unë kisha përvojën e hidhur të kohës së Fan Nolit dhe e dija fare mirë ç’donte të thoshte “i arratisur” ose “refugjat”. Gjersa jemi në fuqi dhe në pozitë, jemi miq e vëllezër.

Po, kur mbytet anija, atëherë... si salvi chi può! Unë kam parë, në kohën e Fan Nolit, që “të arratisurit”, ata që unë i kujtoja patriotë të kulluar, të gatshëm për çdo sakrificë, të enden nëpër qytetet e huaja dhe, për të jetuar, të bëhen veglat e Legatave. Vetëm pak veta mundën të shpëtojnë nga kjo fatkeqësi: disa që mundën të shkojnë si studentë në Bashkimin Sovjetik (po këta a mund të quheshin të pandikuar?), disa që patën guximin të hyjnë si kamerierë nëpër restorantet dhe disa të tjerë që mundën të gjejnë, pa sakrifikuar idealet, mjete të ndershme jetese.

Pas disa endjesh dhe përpëlitjesh nëpër kryeqytete të ndryshme perëndimore, Fan Noli vendosi të kthehet në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku e kishte gati postin e tij si peshkop i Kishës Ortodokse Autoqefale të shqiptarëve të Amerikës. Edhe unë nuk di se si do të përfundoja, po të mos më ishte paraqitur rasti shumë i volitshëm që të shkoja në Rumani për të drejtuar gazetën “Shqipëria e Re” të Konstancës. Po edhe këtu unë e di se ç’kam vuajtur ekonomikisht, se Mihal Xoxe, duke e ditur se unë s’kisha nga t’ia mbaja, më shfrytëzoi sa më la që të më hanin morrat. Por këtë periudhë e kam përshkruar diku gjetkë në këto “Kujtime”, ndaj s’është nevoja të zgjatem.

Kur atëherë, që kisha vetëm kokën time, dhe vuajta aq shumë nëpër rrugët e qyteteve të huaja, po tani që kisha në kurriz një familje të tërë – nënën, gruan dhe tre fëmijë?
Jo, vendosa të mos largohem në asnjë mënyrë nga vendi im, sido që të bëhej. Unë e pashë qartë se, me mynxyrën e Shqipërisë, karriera ime politike duhet të merrte fund njëherë e mirë. Për fat të bardhë, unë kisha një profesion privat, me të cilin mund të jetoja ndershmërisht edhe nën një okupacion të huaj, në pritje të një dite të bardhë për fatin e vendit tonë të mjeruar.
 
Paniku nga dalja e të burgosurve të çfarëdollojshëm
Më 7 prill, një panik i madh kishte pushtuar Tiranën: të gjithë tanimë ishin të bindur për okupacionin e Shqipërisë meqë, siç dukej, një qëndresë e ashpër nuk do ta shmangte dot pushtimin. Do të flijohej vetëm ajka e rinisë.
Abaz Kupi, përpara se të nisej për në Durrës, hapi burgjet e Tiranës, që të mos i linte këta të mjerë në duart e okupatorit. Por kjo e shtoi panikun, sepse nëpër burgje pjesa dërrmuese ishin ordinerë, të dënuar për vrasje e grabitje. Këta, natyrisht, do të përfitonin nga rrëmuja e përgjithshme, qoftë për hakmarrje, qoftë për grabitje. Si pasojë, shumëkush mendoi të strehohej nëpër Legatat e huaja, të cilat kishin imunitetin diplomatik dhe ishin të paprekshme.

Unë kisha pranë shtëpisë Legatën bullgare. Shkuam atje familjarisht. Bodrumet e Legatës ishin mbushur plot e përplot me gra, burra e çiliminj. Kaluam një natë të llahtarshme: dëgjoheshin krisma pushkësh anembanë, klithma lloj-llojesh, të afërta e të largëta.  Siç dukej, të burgosurit kishin dalë nga burgu dhe bërtisnin nëpër rrugë – dhe na vinin lajme e thashetheme në kundërshtim me njëra-tjetrën.

Në Legatën bullgare ishte strehuar edhe Xhaferr Ypi, i cili shkonte e vinte në kishën e Shën Prokopit për t’u takuar me mbretin. Nja dy herë më tha të shkoja në Shën Prokop se më kërkonte mbreti. I thashë se do të shkoja, por ndërkaq nuk luaja nga vendi. E kuptoja pse më kërkonte: sigurisht dëshironte të më merrte me vete, mbase sepse të motrat kishin mbetur të kënaqura nga udhëtimi që kishin bërë me mua.
Herën e tretë Xhafer Ypi më tha se mbreti e kishte dërguar apostafat që të më thoshte se dëshironte medoemos të më takonte.
-Shko, pra, pse heziton? – më tha dhe u largua.
 
Midis Shilës dhe Karibdit: të arratisesha?
Këtë radhë m’u mbush mendja të shkoj vërtet. Mora gruan mënjanë dhe i thashë se më duhej të largohesha dhe ajo të kish kujdes fëmijët. Gruaja nuk më kundërshtoi. Më tha të mos kisha merak për fëmijët dhe të veproja si ta quaja më mirë. E përqafova dhe dola nga bodrumi, pa i thënë gjë njeriu.
Në oborr thitha me afsh freskinë e asaj nate pranverore. Qëndrova një copë herë të madhe me kokën mbështetur te kangjellat e portës së hekurt të Legatës, i dalldisur në mendime.

Mendova jetën e hidhur të mërgimit që kisha pësuar për katër vjet me radhë – nga 1924 gjer më 1928 dhe më dolën para syve rrugët e Romës, të Barit, të Parisit, të Vjenës, ku endeshim si endacakë, pa na i varur njeri torbën; ku në Bari na largoheshin edhe tregtarët miq e të njohur, qoftë nga frika se mos komprometoheshin, qoftë nga frika se mos u kërkonim ndonjë para, meqë e dinin se kishim mbetur si lypsarë. Përfytyrova grindjet, përçarjet shok me shok – “jo e pate fajin ti, jo e pata unë!” – dhe sidomos të bërit vegël e të huajve për ca para të shkreta – për mua gjëja më e poshtër dhe më e turpshme që mund të bëhej. Më mirë të vuante për bukën e gojës ose të bënte edhe punët më të rëndomta, sesa të paguhej nga të huajt. Ato para ishin helm dhe ndërgjegjja ndaj Atdheut nuk duhej të na i lejonte. A nuk ishte më mirë të qëndronim në vendin tonë, bashkë me një popull të tërë, dhe të përpiqeshim ta fitonim bukën e gojës me djersën e ballit?

Po unë ç’mund të bëja në këtë kohë okupacioni? A s’ishte më mirë të çelja zyrën avokatore dhe të rroja me nder, vetëm e vetëm me të ardhurat e profesionit tim? Kjo ishte punë e ndershme,  dhe askush s’mund të më thoshte se kisha bërë një faj që s’isha larguar me të tjerët. Bile, aty për aty vendosa që, sa të ishte okupacioni italian, të mos qëndroja as në Tiranë, ku isha shumë i njohur dhe italianët mund të më komprometonin duke përdorur mënyra të ndryshme. Më e mira ishte të vetëmënjanohesha në një vend të vogël, siç ishte Fieri, dhe këtu të çoja një jetë krejt të vetmuar.

Kjo zgjidhje m’u duk shumë e mirë. Mua më pëlqente sa s’ka jeta e vetmuar e studimeve dhe ja që më paraqitej rasti për t’u marrë me punë letrare e juridike, të cilave veprimtaria gazetareske nuk më kishte lejuar t’u kushtohesha.
Sa kohë kisha i mbështetur te ato kangjella? As unë vetë nuk e dija, po sigurisht një kohë të gjatë, pa parë e pa dëgjuar asgjë se ç’bëhej rreth e rrotull meje, - aq isha i thelluar në mendime të rënda. Befas dikush më vuri dorën në sup dhe më pëshpëriti në vesh:

-Ki kujdes! S’ke zgjedhur vend të mirë... Nuk dëgjon se po zbrazen pushkë nga të katër anët? Ç’po mendon? – ishte Lame Kareco, deputet i Gjirokastrës.
Ia ngula sytë dhe e pyeta:
-Ti a mendon të largohesh? Kareco?
-Ku të vete? – më pyeti ai i habitur.
-Si, ku të vesh? Italia po e okupon Shqipërinë...
-E di.
-Dhe do të rrish nën okupatorin?
-Jo, do të rri në vendin tim dhe në shtëpinë time. Pushtuesin s’do ta njoh kurrë për pushtues. Kjo është një prepotencë. Ai është shumë, shumë më i madh, se né dhe një ditë prej ditësh i teket ose ia do interesi dhe na shkel. Trimëri, mashalla! Është sikur unë t’i jap një pëllëmbë një çilimiu dy vjeç. Po turp të kenë Shtetet e mëdha dhe fqinjët e Ballkanit që i lejojnë këto krime. Unë nuk largohem, vëlla, do të qëndroj në punën time, gjersa të vijë një ditë... Kushedi... Zoti është i madh... Sa ka parë kjo Shqipëri e vogël... Një goxha perandori otomane...

-Ke të drejtë. Ashtu është. Edhe unë vendosa të mos largohem nga Shqipëria.
U kthyem të dy bashkë në bodrumin e Legatës. Ime shoqe, që po rrinte e tulatur e me kokën të mbështetur në krahun e djathtë, pranë fëmijëve, që po flinin të qetë si engjëj, u habit kur më pa, fshiu lotët me shaminë që mbante në dorë, brofi në këmbë dhe m’u afrua me buzën në gaz:
-Si u bë?
-Vendosa të mos largohem.
-E mendove mirë?
-Po.

U ula pranë saj dhe nisa t’i pëshpëris si e kisha menduar punën. Ajo tundte kokën dhe, si kurdoherë, i gjente të mira fjalët e mia.
Më 7 prill, ushtria italiane shkeli Tiranën dhe gjeti një qytet të shkretuar: I gjithë populli ishte mbyllur nëpër shtëpitë dhe psherëtinte lirinë e humbur. Njerëzit u gjendën para një fakti të kryer kur panë se vetëm Abaz Kupi e priti me pushkë në Durrës pushtuesin, (përveç edhe një qëndrese patriotike në Sarandë e gjetiu) gjë që tregonte se, sidoqoftë,  Italia nuk  ishte e mirëpritur dhe me vullnetin tonë,  por nga e keqja, se s’kishim ç’bënim përpara një fuqie të madhe.

Më vonë, të paktën siç dëgjova nga goja e major Murat Bashës, adjutant i mbretit, që në kohën e pushtimit u kthye në Shqipëri dhe italianët e internuan në Fier, mbreti e kishte justifikuar arratisjen me arsyen se një qëndresë e mirëfilltë do të flijonte pa dobi ajkën e rinisë shqiptare, kurse ajo duhej të rronte për të qenë e gatshme për një kohë më të volitshme. Por a thua se nuk qëndronte edhe arsyetimi se nuk kishte çast më të volitshëm se ai për të treguar patriotizmin tonë dhe për të shkruar një faqe të ndritur në historinë tonë, siç kishte thënë Orollogai? Sakrifica jonë në këtë çast do të siguronte të drejtën tonë të pamohueshme për të ardhmen, sido që të vinte puna. Por mendimi i kundërt me këtë pikëpyetje, pas kaq kohësh nga ato ditë tragjike, qëndronte edhe në përvojën historike, në Shtete më të mëdha: Franca me De Golin, për shembull, i cili fillimisht e bëri qëndresën jashtë Francës.

 Shkrimi u publikua sot (28.12.2013) në gazetën Shqiptarja.com (print)

Redaksia Online
(d.d/shqiptarja.com
)

  • Sondazhi i ditës:
    28 Nëntor, 09:20

    A e keni të qartë pse opozita organizon mosbindje civile?



×

Lajmi i fundit

I emëruar i Trumpit për emigracionin mbikqyri një valë deportimesh në të kaluarën

I emëruar i Trumpit për emigracionin mbikqyri një valë deportimesh në të kaluarën