'Zonjat që bëjnë Shqipërinë', Arlinda Çausholli: Besoj me mendje e zemër, Shqipëria nuk është vendi për t’u braktisur, por për të jetuar

Nga Flora Nikolli

Dhurata Hamzai

Arlinda Çausholli është gazetare, publiciste dhe eksperte e njohur komunikimi, me një përvojë 20-vjeçare. Ajo u rrit dhe u zhvillua që fëmijë me ëndrrën për të qenë gazetare, sepse e donte me shpirt këtë profesion. Që nga viti 2006, Arlinda është Drejtoreshë Komunikimi në Aeroportin Ndërkombëtar të Tiranës. Në intervistën e saj për emisionin “Zonjat që bëjnë Shqipërinë” në Report TV që realizohet në bashkëpunim me Albanian Excellence, Arlinda rrëfen eksperiencat e punës së saj, që kanë nisur në moshën 16-vjeçare. Këto eksperienca dhe dëshira e pareshtur për të punuar e çuan drejt një rruge origjinale të sfidave dhe sukseseve. Të gjithë eksperiencën dhe frymëzimin e saj ajo e lidhte me njerëzit.

Në vitet 2003-2006 Arlinda Causholli ka qenë Drejtore Komunikimi në Zyrën e Kombeve të Bashkuara për Projektet e Shërbimeve (UNOPS). Si themeluese dhe udhëheqëse e Programit të suksesshëm të Komunikimit Fit For Future, një program komunikimi, zhvillimi personal, motivimi dhe bashkëveprimi qytetar, Arlinda përcjell rrymën e pozitivitetit tek moshat  reja e më gjerë.

Për Arlinda Caushollin nuk ka punë që s’bëhet, sepse çdo gjë sipas saj nis nga mendja, nga zemra dhe nga besimi se gjërat mund të ndryshojnë.

Kush më shumë se Arlinda mund të bëjë për Shqipërinë, kur ajo vetë asnjëherë nuk ka menduar ta braktis vendin e saj plot halle dhe problematika, kur ë dëgjojmë të thotë që “më pëlqen vendi ime dhe nuk preferoj të largohem”.

Arlinda Causholli, një zonjë që bënë Shqipërinë, nuk kursen në asnjë rast kontributet e saj që gratë dhe vajzat që do të mbajnë këtë titull, të jenë pasqyra e vlerave më të mira të vendit të saj.  Pedagoge në Universitetin Europian të Tiranës, themeluese dhe udhëheqëse e Programit të Komunikimit Fit For Future, autore librash, Ambasadore e Organizatës World Vision për Shqipërinë dhe Kosovën- në ndihmë të fëmijëve në nevojë, Arlinda Causholli është energjia dhe imazhi frymëzues për të gjitha gratë dhe vajzat.

Intervista

Arlinda cilat janë fillimet e profesionit. Çfarë kujtoni nga hapat e parë në punën tuaj ?

-Kam përshtypjen që jetën e kam pasur shumë të qartë që në momentin kur kam qenë shumë fëmijë. Edhe në fëmijërinë e hershme njerëzit i kam pasur pasion ndaj u mora shumë herët me prezantime, me gazetari, me radio. Kam filluar 16 vjeçe me radion, me emisione të përditshme, të mira për atë kohë. Të gjithë eksperiencën time e kam lidhur me njerëzit, ndoshta sepse njerëzit i kam pasion dhe tek ata kam gjetur frymëzimin dhe në njëfarë mënyra, për ata shkruaj. E ka filluar gazetarinë shumë herët, në vitin 1993, në “Gazetën Shqiptare”, e cila në atë kohë ishte filial i “Il Giornale del Mezzogiorno”. Aty ka qenë edhe fillesa e gjithçkaje në lidhje me shkrimin, me vëzhgimin, me detajin, që kam përshtypjen se ai ndoshta është suksesi i gazetarisë dhe i një profesionisti të formuar mirë që të japë një mesazh edhe për njerëzit, sepse ne e kemi profesionin të mirë, por në të njëjtën kohë duhet ta kemi edhe human, edhe sublim, edhe me mesazh, edhe me shumë e shumë dimensione.

Pas “Gazetës Shqiptare” kam filluar punë si korrespondente në “Associated Press”, e cila është agjencia më e madhe amerikane e lajmeve. Bashkërisht me kolegët kam mbuluar situata shumë të vështira që ishin pasojë e vitit 1997 me skemat piramidale, pastaj me luftën në Kosovë. Kam pasur fatin që të jem e strukturuar mirë, dhe besoj e shpresoj, edhe në etikë, edhe në mënyrën e shkrimit, edhe në mënyrën e trajtimit të një lajmi apo edhe të trajtimit të njerëzve sepse ka qenë në atë kohë edhe ajka e gazetarisë, por në të njëjtën kohë ka pasur edhe një nivel të lartë integriteti nga të gjithë ne. Kam vazhduar me gazetën “Corriere della sera”. Kam punuar korrespondente me këtë gazetë prestigjioze italiane, pastaj kalova te pjesa tjetër e barrikadës, e komunikimit dhe media, u shkëputa paksa nga gazetaria në terren, sepse mbase edhe situata në gazetari ndryshoi, kushtet e shtypit ndryshuan dhe ne që ishim formuar me idealizëm të mirë, të shëndetshëm dhe me dozë të madhe integriteti, kaluam në anën tjetër të medies, që është komunikim, është prapë media, por gjithsesi ti merr përsipër që të informosh me ndërgjegje shumë të mirë, sepse e njeh mirë edhe anën tjetër të barrikadës, publikun, palët e treta, vetveten, kompaninë, me gjëra që ti mendon se ia vlejnë për t’u informuar dhe për të dhënë mesazhe dhe shumë gjëra të këtilla. Kam përshtypjen se ka qenë diku te 20 vite eksperiencë, ndoshta më shumë.

Më duket sikur kam lindur me këtë lloj profesioni, por që tani, në vitet e fundit, mendoj që ka pasur një dimension shumë të mirë në lidhje me atë çka kam dashur gjithmonë që unë të bëj. Kam formuar një program, e kam themeluar dhe e drejtoj, një program komunikimi i cili quhet “Fit for future” (“I stërvitur për të ardhmen”), që ka në bazë komunikimin me njëri-tjetrin, si flasim, si komunikojmë, cila është e mirë që të jetë qasja jonë, që edhe të bëjmë përpara në jetë dhe të japim një farë kontributi për shoqërinë, të japim kontribut për veten edhe të kemi ndërgjegjen shumë të mirë dhe të vlefshme, që kemi më shumë gjëra që na bashkojnë sesa na ndajnë.

Kam botuar një libër, i cili titullohet “Çizmet e verdha”, që është një përmbledhje shkrimesh që unë kam botuar te “Shqiptarja.com”, në një blog që quhet “Ndër mejtime”. Libri ka ecur mirë, ka pasur sukses. Është ndoshta një qasje tjetër ndaj shkrimit, ndaj vëzhgimit të fenomeneve që ne i kemi përditë, përreth, por që kanë vlerë të jashtëzakonshme dhe shumë herë ne i harrojmë. Kam pasur edhe fatin të kem fjalime dhe kumtesa frymëzimi. Kam marrë pjesë në formatin “Tedex” në Itali dhe në Kosovë, një format që ka për qëllim të ndajë mesazh. Jam e kënaqur sepse shkrimet dhe fjalimet e përmendura kanë pasur jehonë. Kjo jam unë.

Si e shikoni duelin mes mediave nga njëra anë dhe komunikimit nga ana tjetër? Si e shikoni median?

Gjithçka bëjmë ne, reflekton pak nivelin e shoqërisë në të cilën jetojmë, reflekton pak nivelin e komunikimit, të cilin ne e përdorim me njëri-tjetrin, reflekton pak atë çka jemi. Kështu që ka një lloj vrazhdësie dhe agresiviteti kudo, ndaj edhe unë kam formuar këtë lloj programi për të treguar që ka një qasje tjetër dhe kjo qasje ka shumë vlerë sepse kanë marrë pjesë rreth 1.400 persona dhe komentet, dhe mënyra dhe përshtypja që lë kjo lloj qasjeje, është shumë e mirë dhe mendoj edhe shumë e vlefshme, kështu që jam për nivelin e lartë të etikës, jam partizane e pashëruar e integritetit, jam për nivelin shumë të lartë të respektit që duhet të kemi për njëri-tjetrin, institucione, media, komunikim, gazetarë, mësues, mjekë, ngado që ne rrotullohemi dhe që janë fusha që na përkasin përditë e që do të përballemi përditë. Kështu që edhe media dhe komunikimi e kanë këtë lloj instinkti që ka nevojë për shërim, që ka nevojë për përkujdesje, që ka nevojë për vëmendje dhe që ne harrojmë t’ia japim, por që besoj fort që ka njerëz, si ju që po organizoni edhe këtë lloj eventi të jashtëzakonshëm, që kujdesen që ta shfaqin këtë.

Çfarë do të donit të ndryshonit konkretisht në jetën tuaj profesionale?

Faktikisht unë këtë po e bëj, po përpiqem, me hapa të vegjël, siç them unë, janë hapa breshke, por të një breshke sportive, që nuk ndalet asnjëherë. Përpiqem që njerëzit që e mendojnë jetën e mirë, cilësore dhe që shpresojnë që Shqipëria e ka një mundësi, që Shqipëria nuk është vendi për t’u braktisur, por vend për të jetuar, për t’u kthyer dhe ndoshta për të punuar për ta zhvilluar. Po e bëj, po përpiqem me këtë lloj formati që kam krijuar. Mendoj që çdo gjë fillon nga komunikimi, nga mënyra se si i flasim njëri-tjetrit. Ajo është zanafilla. Fillon çdo gjë nga komunikimi, nga mendja, nga zemra dhe nga besimi, ndoshta, nga besimi që gjërat mund të ndryshojnë.

Ku konsiston programi që keni ndërtuar? Si është zhvilluar dhe çfarë keni arritur deri tani? Si mendoni që do të zhvillohet më tej?

Programi ka një sesion ku nuk bëhen më shumë se 15-16 persona. Konsiston në disa module. Është shumë interaktiv. Pjesëmarrësit japin edhe mendimet e tyre, por edhe flasin gjëra me zë të lartë, të cilat nuk i kanë thënë absolutisht asnjëherë. Kuptojnë edhe gjëra. Ndryshojnë këndvështrim. D.m.th. ky format ka për qëllim që të japë një këndvështrim të ri. Në rast se e përqafon, nuk ka më kthim prapa. Në rast se nuk e përqafon, në njëfarë mënyre, do të rrish në vend, por që ka si qëllim që ta hapë mendjen, të mendojë ca gjëra ndryshe edhe të përqafojë ndryshimin sa më bukur. Ky është formati.

Ku jeni bazuar për të krijuar këtë format? Ku jeni mbështetur?

Nuk besoj që jam bazuar gjëkundi. Formati inicoi në aeroport, aty ku unë punoj. M’u kërkua se çfarë mund të bënim për stafin që të ndjehej i motivuar. Dhe unë i thashë shefit tim, që nëse do të ishte e mundur, të më lejonte që të bëja një program, i cili unë mendoja se do të kishte vlerë. I ishte dakord dhe pranoi që të futej vetë i pari dhe mori edhe të gjithë stafin menaxhues. Pastaj u përshkallëzua te të gjithë punonjësit. Inicoi thjesht me dëshirën për të motivuar njerëzit, për t’i dhënë atyre hapësirë, për t’i dhënë lirinë e mendimit, lirinë e të folurit dhe për t’i bërë bashkë. Kjo është ideja.

Gjeografikisht, ku është shtrirë?

Është shtrirë në Tiranë, Shkodër, Kosovë. Nuk është se ka përkatësi krahine. Shtrihet në të gjitha moshat. Është një format që unë e kam ndarë edhe për të rinjtë, për adoleshentët. E kam ndarë edhe për mësuesit, d.m.th. për edukimin. E kam ndarë në bazë të nevojave që kontingjente të ndryshme të shoqërisë kanë për t’u përmirësuar në zhvillim personal dhe në komunikim.

“Çizmet e verdha”? Pse vijuat edhe në letërsi?

Mendoj që kam pasur gjithmonë sensin e reportazhit, të vëzhgimit dhe të detajit. “Çizmet e verdha” ishte thjesht një konkluzion mbase i të gjithë punës dhe i të gjitha vëzhgimeve që unë kisha bërë. Është një përmbledhje refleksionesh, ndoshta esesh, publicistikë, të historive të vogla të miat, por që e kanë mesazhin të mirë, të fortë nga prapa. “Çizmet e verdha” e ka historinë. Nuk do të doja që ta zbuloja tani, por që është një histori e vogël, por në të njëjtën kohë është edhe një histori e madhe.

A keni një iniciativë tuajën personale në kuadër të projektit “Zonjat që bëjnë Shqipërinë”?

Unë e çmoj gruan, çmoj shumë edhe burrin, çmoj të gjithë njerëzit që e bëjnë shoqërinë tonë. Kam vendosur të rri në Shqipëri, pikërisht sepse vendin e kam për zemër, njerëzit i kam për zemër, shqiptarët i kam për zemër, ndaj edhe gjithçka kam bërë, së fundi edhe programi që sapo përmenda, mendoj që është një nismë e mirë, që ka për qëllim të bëjë bashkë njerëzit. Kështu që unë besoj se do ta jepja me shumë zemërgjerësi këtë lloj nisme, ashtu siç do t’i bashkëngjisja edhe formatin njerëzor e human, të cilin ne duhet ta kemi. Unë jam ambasadore e “World Vision” për fëmijët në nevojë që gjenden në zonën e Librazhdit dhe jo vetëm. Është e rëndësishme që kushdo që e ka mundësinë, që e ka një zë të mirë, qoftë të vogël qoftë të madh, në shoqërinë tonë, në medien tonë, është e rëndësishme që të përkrahë pjesën e shoqërisë, e cila është e paprivilegjuar. Dhe kam përshtypjen që zhvillimi dhe e gjithë mirëqenia jonë do të na vijë vetëm nga kjo, në qoftë se ne ndihmojmë njëri-tjetrin.

Nisma ime që i bashkëngjitet nismave të tjera shumë të vyera të “Albanian Exellence” është ky format, që unë me shumë dëshirë do ta ndaja me “Zonjat që bëjnë Shqipërinë”, sidomos me mësueset, të cilat kujdesen për brezin e ri, me qëllim që t’i japim një këndvështrim tjetër, një vrull tjetër, një qasje tjetër, edukimit dhe komunikimit me brezin e ri sepse është shumë e rëndësishme dhe shumë me vlerë, sepse është e ardhmja e gjithë Shqipërisë.

Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Sondazhi i Tiranës, PS i qëndron 18 mandateve, zbret PD me 4 deputetë! Surprizë partitë e reja me 8 mandate, fundoset PL-ja

Sondazhi i Tiranës, PS i qëndron 18 mandateve, zbret PD me 4 deputetë! Surprizë partitë e reja me 8 mandate, fundoset PL-ja