‘Zonjat që bëjnë Shqipërinë’ në Report TV, Julinda Dhame: Theva tabutë me Rally Albania, sot e lumtur që promovoj Tiranën

Nga Flora Nikolla

Dhurata Hamzai

Julinda Dhame, drejtoresha e Përgjithshme e Promovimit të Tiranës; që bie në sy për flokët e kuq e rebelë, e për buzëqeshjen diellore që s’perëndon - sot mund të konsiderohet si zonja e hekurt e Bashkisë së Tiranës. Jo vetëm ku ishte fëmijë, por edhe kur po afronte të 20-at, në një moshë kur dëshirat dhe ëndrrat marrin jetë, Julinda Dhame nisi të merrte drejtime suprizuese për prindërit e saj. Julinda Dhame e nisi suksesin e saj të parë në një rrugë të pazakontë. Sot, kjo grua dhe nënë e energjike konsiderohet nga të gjithë ata që e njohin si thyerëse e normave të ngurta. Të gjithë e kujtojnë atë Julin “e çmendur” të Rally-t, siç shprehet dhe vetë ajo gjatë intervistës për emisionin “Zonjat që bëjnë Shqipërinë. Por ajo e ka në gen entuziazmin jo vetëm kur bënë gara me makina, por edhe kur merr në dorë punët e bashkisë. Me këmbënguljen, kurajën dhe përqendrimin e lartë në punët e detyrat e saj, Julinda Dhame i elektrizon të gjithë bashkëpunëtorët, jo vetëm në bashkinë e Tiranës, por edhe në mbarë vendin, për realizimin e shpejtë dhe të saktë të projekteve.

Julinda Dhame, është vërtetë një zonjë që punon për Shqipërinë. Nëse ajo premton një projekt në ndihmë të Shqipërisë apo të Tiranës, pa frikë mund ta konsiderojmë të realizuar. “Ajo që unë po bëj dhe që do të bëj është që do të vazhdoj përsëri me promovimin e qytetit dhe të vlerave të këtij vendi, të vlerave të të gjithë neve dhe të njerëzve. Mua më ka lidhur puna dhe jeta me shumë njerëz të huaj, të cilët kanë edhe potencial jashtë vendit. Dhe kjo është. Unë dua të sjell artistë të huaj në Shqipëri, të promovoj Shqipërinë nëpërmjet këtyre artistëve, artistët shqiptarë jashtë Shqipërisë dhe të përdor të gjitha lidhjet e mia për të promovuar të gjithë njerëzit e dobishëm në këtë vend. Gjithashtu kam edhe një gjë, që dua shumë t’i dedikohem femrave shqiptare dhe besoj që në të ardhmen do t’i kushtohem pikërisht kësaj”, premton Julinda. Me Julinda Dhamen, drejtoreshën e Përgjithshme të Promovimit në Bashki, Tirana ka qenë gjithmonë  e më aktive në jetën sociale, sportive dhe kulturore.

Intervista e plotë

Cila është historia jote profesionale? Çfarë dëshirash ke pasur kur ishe fëmijë dhe si ke evoluar? Sot quhesh “zonja e hekurt” e Bashkisë së Tiranës.

Atëherë unë po e nis nga dëshirat, pastaj nga ëndrrat sepse kur je e vogël sigurisht që ke shumë ëndrra. Në atë kohë kur unë isha e vogël, normalisht që ishin prindërit ata që na drejtonin se ku të shkonim në shkollë dhe se çfarë të bëheshim kur të rriteshim. Normalisht që babai im, si inxhinier, donte që edhe unë të studioja për inxhinieri. Ai është inxhinier gjeolog, ndërsa unë sot jam inxhiniere ambienti. Por punova shumë pak në profesionin tim, pasi unë kisha një hobi shumë të çuditshëm për kohën, që ishin garat me makina dhe me motorë dhe në Shqipëri ishte tabu për meshkujt, mendo për femrat. Dhe kështu që unë u ktheva rastësisht në Julin e Rally-t, në Julin që bënte garat me makina, me motorë. Dhe u ktheva dhe në vajzën simbol, të themi, dhe për meshkujt dhe për femrat e asaj kohe.

Unë isha delja e zezë e familjes sepse nuk isha një vajzë normale si të gjitha vajzat e tjera, që prindërit donin të kishte një burrë, të kishte një fëmijë, të kishte një familje dhe t’i shërbente familjes. Por unë, duke pasur hobin tim dhe duke e dashur këtë gjë, doja të bëhesha një njeri simbol për femrën shqiptare, për femrën e saj kohe, por edhe të të gjitha kohërave sepse mbetemi një shoqëri maskiliste dhe kushdo femër që zgjidhte një hobi, në njëfarë mënyre dhe punë sepse u kthye në biznesin tim të parë pastaj, isha shumë e lumtur sepse isha shumë ndryshe nga të gjitha femrat e tjera dhe i ftoja të gjitha femrat e tjera që të ishin pjesë e garave të mia sepse garat me makina dhe me motorët nuk janë vetëm për meshkuj, janë edhe për femra.

Normalisht u ktheva në një simbol. Më vjen mirë për këtë, por u ktheva në një simbol të çmendur, “ajo Juli e çmendur e makinave”, që në njëfarë mënyre shumë veta e perceptonin mirë pavarësisht se disa të tjerë më paragjykonin. Më kanë paragjykuar meshkujt, sigurisht ata që ishin rreth meje, sepse gjithmonë ndodhesha më shumë midis meshkujve se sa femrave në gara. U pa që kjo pati sukses dhe unë ia dola me garat e mia. Solla shumë turistë në Shqipëri, solla shumë sportistë në Shqipëri dhe kjo më solli në ditën e sotme të punës. Unë menjëherë kur njoha të gjithë Shqipërinë, në të gjitha skutat e saj sepse garat e mia janë jashtë rruge, dhe normalisht njeh edhe traditat e Shqipërisë, njeh njerëzit e Shqipërisë, njeh ushqimet e Shqipërisë, njeh zakonet, por njeh edhe veset, njeh Shqipërinë e bukur por edhe atë që nuk është e bukur. Kështu që unë pastaj, këtë u mundova që ta transmetoja në punën time si Drejtoreshë e Turizmit, pra të promovoja Shqipërinë. Të promovoja Shqipërinë për të huajt, por të promovoja Shqipërinë edhe për shqiptarët sepse shumë shqiptarë nuk e njohin Shqipërinë. Dhe sot jam shumë e lumtur që jam në këtë punë. Punoj në Bashkinë e Tiranës. Pasi promovova Shqipërinë për dy vite, brenda dhe jashtë saj, unë po punoj për promovimin e Tiranës. Po mundohem që të sjell një model ndryshe edhe në administratën e Tiranës. Unë punoj jo vetëm për turizmin në Tiranë, punoj edhe për sportin, për rininë, për kulturën, për mjedisin dhe, me thënë të drejtën, ajo që mua më pëlqen nga puna ime është që unë pres me stafin tim, pres dhe përcjell me qindra sportistë, artistë, të rinj, organizata të huaja, organizata të vendit, mjedisore, organizata rinore. I presim, dëgjojmë idetë e tyre, mbështesim idetë e tyre dhe ky, mendoj unë, është një model ndryshe për administratën. Kur vjen nga terreni, kur vjen nga një punë, një begraund personal, pastaj fillon dhe e trajton ndryshe sepse e di sakrificën që bën secili artist, sportist, apo një i ri për të pasur një ide, për ta vënë në zbatim këtë ide. Dhe ti ndihmon. Dhe unë mendoj që ky është modeli ndryshe që ne duhet të sjellim si administratë dhe unë duhet ta sjell si pjesë e administratës.

Cilat janë projektet që ke udhëhequr në Bashkinë e Tiranës, të cilat kanë bërë vërtet bujë?

Kemi sjellë “Tirana Art Fest” që është një festival për të rinjtë, ku promovohen vlerat e të rinjve në fushën e artit, të kërcimit, të këngës dhe të multimedias. Gjithashtu kam bërë një nga projektet që është hapja e palestrave të shkollave për komunitetin, ku sot janë 65 shkolla, ku kemi palestrat e shkollave dhe normalisht, të gjitha shoqatat dhe organizatat sportive i marrin, i mirëmbajnë dhe promovojnë vlerat e sportit për të rinjtë, d.m.th. masivizimin e sportit te të rinjtë. Kemi zhvilluar shumë aktivitete të tjera ose evente të tjera që kanë lidhje me artin. Kemi ndihmuar librin, kemi ndihmuar artin bashkëkohor, kemi bërë koncerte me shumë këngëtarë të huaj, jo vetëm me shqiptarë. Ky shesh p.sh., ku ne jemi sot, është kthyer në një shesh të eventeve kryesore të Tiranës, jo vetëm një shesh që vizitohet nga turistët, por edhe një shesh i artit, i kulturës dhe i të gjithë njerëzve.

Cila është dita e Julindës?

Dita ime është dita e diel, që unë rri me djalin dhe me familjen, por që edhe punoj shumë shpesh ditën e diel dhe dita e hënë që i kushtohem të gjithë njerëzve njëkohësisht për sa i përket punës.

Keni ndonjë ide që doni ta tregoni për projektin “Zonjat që bëjnë Shqipërinë”?

Ajo që unë po bëj dhe që do të bëj është që do të vazhdoj përsëri me promovimin e qytetit dhe të vlerave të këtij vendi, të vlerave të të gjithë neve dhe të njerëzve. Mua më ka lidhur puna dhe jeta me shumë njerëz të huaj, të cilët kanë edhe potencial jashtë vendit. Dhe kjo është. Unë dua të sjell artistë të huaj në Shqipëri, të promovoj Shqipërinë nëpërmjet këtyre artistëve, artistët shqiptarë jashtë Shqipërisë dhe të përdor të gjitha lidhjet e mia për të promovuar të gjithë njerëzit e dobishëm në këtë vend. Gjithashtu kam edhe një gjë, që dua shumë t’i dedikohem femrave shqiptare dhe besoj që në të ardhmen do t’i kushtohem pikërisht kësaj.

Ky është një premtim për projektin “Zonjat që bëjnë Shqipërinë”?

Është një premtim dhe është një premtim i vërtetë nga një femër sepse femrat e mbajnë fjalën. Femra për mua në Shqipëri është heroinë, bën gjithçka, pastron shtëpinë, i dedikohet familjes, i dedikohet prindërve, i dedikohet shumë punës dhe i dedikohet shumë njerëzve me të cilët e lidh puna. Dhe bën gjithçka brenda një dite.

//Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Juli: 08/11/2018 18:28

    Pa na thuaj cik pse je persona non grata ne angli ? Se harrova ta thoje

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Sondazhi i Tiranës, PS i qëndron 18 mandateve, zbret PD me 4 deputetë! Surprizë partitë e reja me 8 mandate, fundoset PL-ja

Sondazhi i Tiranës, PS i qëndron 18 mandateve, zbret PD me 4 deputetë! Surprizë partitë e reja me 8 mandate, fundoset PL-ja