Maqedoni e Veriut/ Zoran Zaev jep zyrtarisht dorëheqjen si kryeministër! Pritet të mandatohet Dimitar Kovaçevski

Maqedoni e Veriut/ Zoran Zaev jep zyrtarisht dorëheqjen si kryeministër! Pritet të mandatohet Dimitar Kovaçevski

Kryeministri i deritashëm i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev, finalizoi dorëheqjen e tij më 22 dhjetor. Deri nga mesi i janarit të vitit 2022, Maqedonia e Veriut do të ketë Qeveri të re, që do të udhëhiqet nga Dimitar Kovaçevski, kryetari i ri i Lidhjes Social Demokrate (LSDM). Në krye të ekzekutivit, ai do ta zëvendësojë Zaevin.

Dorëheqjen nga Qeveria, Zaev e ka paralajmëruar më 31 tetor, pas disfatës së thellë të Lidhjes Social Demokrate në zgjedhjet lokale. Ai ka marrë përgjegjësinë për humbjen e LSDM-së përballë partisë opozitare, VMRO-DPMNE, dhe ka dhënë dorëheqje edhe nga drejtimi i partisë.

Por, dorëheqja e tij është vonuar për gati dy muaj, pasi LSDM-ja ka humbur edhe shumicën parlamentare, për shkak të largimit të Lëvizjes Besa nga Qeveria. Për të shmangur zgjedhjet e parakohshme, Zaev ka ftuar në Qeveri partinë tjetër shqiptare, Alternativa, me të cilën ka arritur marrëveshje për koalicion. Më 11 nëntor, ai i ka mbijetuar edhe mocionit të mosbesimit, që është iniciuar nga VMRO DPMNE-ja.

Dimitar Kavaçevski, pasardhësi i Zoran Zaev
Mandatin për formimin e Qeverisë së re, Dimitar Kovaçevski e merr nga Presidenti i Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski, brenda dhjetë ditësh pasi që Kuvendi ta njoftojë kreun e shtetit me vendimin se ka konstatuar dorëheqjen e Qeverisë së Zoran Zaevit.

Mandatari, sipas Kushtetutës, brenda 20 ditësh, duhet të dorëzojë për miratim në Kuvend përbërjen e re qeveritare, e cila votohet me 61 vota të deputetëve. Shumica parlamentare numëron 64 deputetë.

Përveç Alternativës, pjesë e Qeverisë është edhe Bashkimi Demokratik për Integrim, Partia Demokratike Shqiptare dhe disa parti më të vogla maqedonase, që janë pjesë e koalicionit me LSDM-në.

VMRO DPMNE kërkon zgjedhje të parakohshme
Opozita, që tani e përbëjnë VMRO-DPMNE-ja, Aleanca për Shqiptarët dhe Lëvizja Besa, thotë se Qeveria e re, që është në formim e sipër, paraqet vazhdimësi të Qeverisë së deritashme - sipas saj, e paaftë për t’i zgjidhur problemet, me të cilat përballet vendi. Opozita kërkon qeveri teknike, me mandat organizimin e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare.

“Zgjedhjet e parakohshme parlamentare janë zgjidhja e vetme për dalje nga gjendja, në të cilën ndodhet vendi - në krizë të thellë politike, ekonomike, energjetike, diplomatike... kur kemi sërish veto dhe bllokim të procesit integrues. Zgjedhjet nuk janë gjithmonë zgjidhja më e mirë, por ato janë të domosdoshme kur kemi Qeveri të paaftë që të përballet me sfidat, nëpër të cilat po kalon vendi”, thotë kryetari i VMRO DPMNE-së, Hristijan Mickoski.

“Në kërkojmë që në shkurt ose mars të formohet një qeveri teknike, ndërsa zgjedhjet e parakohshme të mbahen në maj apo qershor, kur populli do të vendosë për të ardhmen e Maqedonisë [së Veriut”, shton ai.

Zoran Zaev, për disa hero, për të tjerët tradhtar
Zoran Zaev, në krye të Lidhjes Social Demokrate ka ardhur në vitin 2013, duke zëvendësuar në këtë post ish-presidentin Branko Cërvenkovski. Në vitin 2015, Zaev, si lider i opozitës, ka publikuar atë që njihej si “Afera e përgjimeve”, e cila ka nxjerrë në pah shpërdorime të shumta të pushtetit nga ish-kryeministri Nikolla Gruevski. Si pasojë e aferës, shumë zyrtarë të lartë, ministra, përfshirë edhe ish-kreun e Qeverisë, Gruevski, janë gjykuar për vepra të shumta penale.

Afera e përgjimeve ka bërë që në dhjetor të vitit 2016, Maqedonia e Veriut të shkojë në zgjedhje të parakohshme parlamentare, por ndërrimi i pushtetit është bërë në vitin 2017, pas zhvillimeve dramatike - përfshirë dhunën në Kuvend më 27 prill - ku në shënjestër të sulmeve nga ithtarët e opozitës që kanë pushtuar Kuvendin, ka qenë edhe vetë Zaev dhe përfaqësues të opozitës së atëhershme.

Kjo ngjarje i ka dhënë Zaevit epitetin e heroit te një numër i madh njerëzish, të cilët kanë çmuar rolin e tij për ndërrimin e pushtetit të Gruevskit, i cili jo vetëm nga opozita, por edhe nga përfaqësues ndërkombëtarë është konsideruar si i korruptuar.

Në postin e kryeministrit, Zaev ka qëndruar pesë vjet, ndërsa paraprakisht, për nëntë vjet, ka qenë kryetar i Strumicës, një qytet në juglindje të Maqedonisë së Veriut.

Ndryshimi i emrit dhe anëtarësimi në NATO
E arritura tjetër që i atribuohet Zaevit nga mbështetësit e tij, e që ka pasur edhe mbështetje ndërkombëtare, është zgjidhja e mosmarrëveshjes gati 30-vjeçare me Greqinë, rreth emrit.

Për shkak të këtij kontesti, Maqedonia e Veriut ka qenë në dhomën e pritjes së NATO-s qysh në vitin 2008.

Me angazhimin e tij personal, së bashku me kryeministrin e atëhershëm grek, Alexis Tsipras, është arritur marrëveshja për emrin. Republika e Maqedonisë është bërë Republika e Maqedonisë së Veriut.

Nga viti 2020, vendi është bërë edhe zyrtarisht anëtar i NATO-s.

Por, zgjidhja e kontestit ka bërë që opozita dhe një grup tjetër njerëzish t’i japin Zaevit epitetin e tradhtarit, duke thënë se ai “ka tradhtuar interesat kombëtare me heqjen dorë nga emri kushtetues i vendit dhe historia antike”.

Mosmarrëveshja me Bullgarinë
Pavarësisht kritikave, Zoran Zaev, pas zgjidhjes së kontestit me Greqinë, ka nisur përpjekjet për të zgjidhur një tjetër mosmarrëveshje me Bullgarinë - një tjetër vend fqinj i Maqedonisë së Veriut - që tashmë ka bllokuar integrimin evropian.

Zaev po largohet nga Qeveria, por i bindur se pasardhësi i tij, Dimitar Kovaçevski, do të arrijë zgjidhjen e këtij kontesti, që kryesisht ka të bëjë me çështje që lidhen me gjuhën, identitetin maqedonas dhe të kaluarën historike.

Mbështetja dhe renditja ndërkombëtare
Qeverisja e Zaevit, shikuar nga prizmi i pozitës ndërkombëtare i Maqedonisë së Veriut, është pjesërisht e suksesshme.

Ndryshe nga paraardhësi i tij, Nikolla Gruevski, i cili ka marrë kritika të ashpra nga Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara në vitet e fundit të qeverisjes së tij, Zaev ka pasur mbështetjen e tyre.

Disa herë ka qenë në takime, ku ka marrë pjesë edhe ish-kancelarja gjermane, Angela Merkel. Në Paris është pritur nga presidenti i Francës, Emmanuel Macron, i cili e ka siguruar se Maqedonia e Veriut e meriton fillimin e negociatave të anëtarësimit në BE.

Në vitin 2019, në Ohër, Zaev ka pritur sekretarin e atëhershëm amerikan të Shtetit, Mike Pompeo./REL/

I.K//Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Të shtëna me armë zjarri në Durrës, nuk raportohet për të lënduar! Shkak sherri mes dy personave në lokal, dyshohet se u përdor 'Shotgun'

Të shtëna me armë zjarri në Durrës, nuk raportohet për të lënduar! Shkak sherri mes dy personave në lokal, dyshohet se u përdor 'Shotgun'