Protesta qytetare kundër Zvërnecit hyri tashmë në ditën e 12-të të saj. Qytetarët u mblodhën para Kryeministrisë duke kërkuar dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama dhe ndryshimin e kësaj klase politike. Nga podiumi u artikulua sërish nevoja që protestës t’i jepet një strukturë dhe të krijohet një parti për të hyrë në një qeveri teknike. Për disa orë, protestuesit marshuan në rrugët kryesore të kryeqytetit.
***
Pesë karrige bosh në bulevardin para Kryeministrisë ishin simbolika e re në ditën e 12-të të protestës për Zvërnecin në Tiranë, për të shfaqur mungesën e njerëzve që kanë emigruar. Pas tyre, mesazhet e qytetarëve u mbajtën nga një podium i improvizuar.
"Jam këtu për të gjithë ata që u detyruan të ikin, për vëllain tim, për të gjithë shokët e mi që, për të pasur një punë, duhet të punojnë për partinë dhe jo të vlerësohen për shkollimin e tyre."
"Ju jeni klanet e Enverit, ikni të gjithë, zhdukuni sa më parë."
"'Rama në burg, Berisha në burg'. Pse e kërkojmë burgun e këtyre dy personave? Nuk e kemi kujtesën aq të shkurtër sa të harrojmë '97-ën, kur u munduan të fusnin në luftë veriun me jugun. Por sot ka ndryshuar mentaliteti, sot jemi bashkë."
Protestuesit e bënë të qartë se nuk pranojnë në gjirin e tyre asnjë partiak dhe as nuk duan të krahasohen me tubimet e opozitës.
"Jo me militantë partish e njerëz të sjellë me autobusë, por me qytetarë."
"Klika berishiste na torturoi dhe na përndoqi."
Të tjerë qytetarë ngritën shqetësime personale, duke e bërë të qartë se tashmë kjo protestë e ka tejkaluar kauzën e Zvërnecit me të cilën nisi.
"Jam këtu për të sëmurët, për spitalet, për sigurinë në punë, për një Shqipëri të re me një drejtësi të re."
"Babai im i ka humbur të dyja këmbët, ka kryer 26 operacione. Asnjë mbështetje nga shteti, të gjitha paratë po i lëmë në spitale."
"Kujtoj firmat piramidale, Gërdecin... edhe vdekja duhet të vijë me dinjitet."
"Jam rritur jetime, pa babain. Më rriti nëna. Politikanët nuk e dinë ç'do të thotë të flesh me barkun bosh."
Nuk mungoi as zëri i studentëve.
"Shpeshherë na kanë thënë se jemi të vegjël për të ndryshuar diçka. Por historia u shkrua nga ata që guxuan të ngrihen në këmbë."
Në fund të protestës u artikulua edhe një tjetër kërkesë politike.
"Të krijojmë një parti dhe të paktën të bëhemi pjesë e qeverisë teknike."
Për herë të parë që nga nisja e protestave, qytetarët që kundërshtojnë ndërtimin e resortit në Zvërnec vendosën të ndryshojnë itinerarin e marshimit të tyre në Tiranë.
Ndryshe nga ditët e mëparshme, kur protesta ndiqte itinerarin Zogu i Zi–Rruga e Durrësit–qendër, këtë herë protestuesit zgjeruan rrugëtimin e tyre, duke kaluar nga Zogu i Zi, Astiri, Rruga e Kavajës dhe më pas drejt qendrës së kryeqytetit. Nga Sheshi Skënderbej, ku qëndruan ulur, një prej thirrjeve të spikatura të tyre ishte 'opozita jemi ne'.
Protesta e qytetarëve kundër investimit në Zvërnec, që ka marrë një ‘trajektore’ kundër klasës së vjetër politike në Shqipëri, ka sjellë edhe bllokim të disa rrugëve në kryeqytet.
Kjo për shkak të lëvizjes së turmës së njerëzve në disa prej akseve kryesore në Tiranë, pasi ditën e sotme është zgjeruar itinerari i marshimit të tyre në kryeqytet.
Nga pamjet e siguruara nga Report Tv, vihen re radhë të gjata automjetesh, të ngecura në trafik. Në zonën e QTU-së, në autostradën Tiranë-Durrës, shumë makina janë në pritje për t’u futur në kryeqytet.
Protesta sot ka hyrë në ditën e 12-të, ndërsa qytetarët kërkojnë anulimin e projektit në Zvërnec dhe dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama.
Protestuesit pas marshimit në disa rrugë të Tiranës, po vijojnë momentalisht në zonën e Astirit.
Me thirrje kundër klasës politike dhe flamuj kombëtar, ata po vijojnë të kërkojnë mbështetje më të madhe qytetare, duke iu bërë thirrje njerëzve që t’i bashkohen protestës.
Një prej pjesëmarrësve në protestën kundër ndërtimit të resortit në Zvërnec ka bërë thirrje që mobilizimi qytetar të vazhdojë, duke kërkuar që kjo lëvizje të përkthehet edhe në përfaqësim politik.
Gjatë fjalës së tij në tubim, ajo u shpreh se protesta nuk duhet të ndalet derisa qytetarët të kenë një zë të tyre në proceset politike dhe zgjedhore.
"Uroj që kjo protestë të mos ndalet deri sa të paktën të kemi një përfaqësi apo një parti për të marrë pjesë në zgjedhje, më falni, në një qeveri teknike të paktën",- tha protestuesi.
Edhe protesta e 12-të që u zhvillua në Tiranë kundër ndërtimit të resortit në Zvërnec, ishte e mbushur me pankarta shumë kreative dhe plot mesazhe.
Pankartat, një prej gjuhëve të 12 protestave të deritanishme që kanë dominuar aktualitetin në vend, kanë përcjellë në mënyrë më të troçtë qëndrimet e protestuesve.
Pas përfundimit të protestës para Kryeministrisë, protestuesit kundër ndërtimit të resortit luksoz në Zvërnec dhe kundër qeverisë, edhe në këtë tubim të 12-të nisën marshimin nëpër rrugët e Tiranës.
Një qytetar, i veshur me një bluzë me simbole kombëtare dhe me një plis në kokë, i është bashkuar sot protestës qytetare para godinës së Kryeministrisë.
Gjatë fjalës së tij para të pranishmëve, ai i kërkoi publikisht kryeministrit Edi Rama që të largohej dhe të bëhej kryeministër në një shtet tjetër.
“I them ambasadës amerikane që Shqipëria ka vuajtur boll trauma. Zoti kryeministër e di që ti je i pakënaqur me ne, sepse na quan budallenj dhe të trashë. Ne të lutemi të gjithë siç jemi, shko bëhu kryeministër në një shtet tjetër dhe na li rehat”, tha një protestues.
Dymbëdhjetë protestat që janë zhvilluar deri tani në Tiranë kundër ndërtimit të resortit në Zvërnec, kanë dalluar nga çdo protestë e mëparshme edhe për faktin se ka patur "kwnde" të dedikuara për fëmijët, për të vizatuar dhe ngjyrosur në fletë formati të përmasave të ndryshme.
Një turist amerikan i është bashkuar protestës qytetare para godinës së Kryeministrisë, që kundërshton investimin në Zvërnec të Vlorës.
Me një pankartë në dorë, turisti amerikan u ngjit në podium, mori mikrofonin dhe tha ‘ne nuk jemi të frikësuar’.
“Edi Rama, ne nuk jemi të frikësuar”, tha turisti amerikan nga protesta.
Edhe në Korçë ditën e sotme po mbahet protestë, na valën e protestave që po zhvillohen në Tiranë dhe qytete të tjera të Shqipërisë, që kundërshtojnë investimin në Zvërnec.
Dhjetëra qytetarë janë bërë bashkë në pedonalen e qytetit, duke protestuar me thirrjet ‘Rama në burg, Berisha në burg’.
Ndërkohë kamerat kanë kapur edhe një moment të veçantë nga protesta, ku një grua nga Gjermania ka shpërndarë lule për gratë e tjera dhe për efektivët e Policisë.
“Jam nga Gjermania dhe kam dëgjuar për gjërat që po ndodhin. Mendoj që Shqipëria është për të rinjtë dhe nuk është në shitje”, tha gruaja që po shpërndante lule për mediat.
Në protestën e 12-të u zhvilua në Tiranë kundër ndërtimit të resortit në Zvërnec, një protestuese kujtoi para Kryeministrisë masakrën e Gerdëcit të ndodhur gjatë qeverisjes së Sali Berishës.
Protestuesja u rrëfeu të pranishmëve se në atë tragjedi ka humbur bashkëshortin e saj.
“U bënë firmat piramidale, i dini ju, black out të gjithë. Bënë Gërdecin, ai vend u la me gjak. Unë kam humbur bashkëshortin atje. Aty ishin pasuri mbarëbotërore, ishin blerë me lekë. Kur nuk u duheshin, i shisnin dhe rrisnin rrogat e pensioneve për veten e vet. Unë jam ishpunonjëse e Onkologjikut, 3 vite kam që kam dalë në pension, dhe vdekja duhet të vijë me dinjitet. Të gjitha problemet atje janë të vërteta. Pse nuk e kemi aq dinjitet të vdesim tamam siç duhet",- tha protestuesja.
Një vajzë, e cila ishte pjesë e protestës para Kryeministrisë, rrëfeu historinë e trishtë të vuajtjeve të saj dhe familjes së saj, për shkak të pamundësive ekonomike në Shqipëri.
Duke folur për emigrimin masiv të shqiptarëve, ajo tha se nënat shqiptare po vdesin me sytë nga dera për të parë fëmijët e tyre.
“Jam rritur jetime, pa babain. Më rriti nëna, politikanët nuk e dinë çdo të thotë të flesh me barkun bosh. Na keni vjedhur ëndrrat, jetën, prindërit. Ky popull meriton të jetojë me dinjitet në tokën e vetë. Meriton të përfaqësohet nga burra dhe gra të ndershëm. Ne jemi këtu për çdo nënë që vdiq me sytë nga dera. Betohem para zotit që nuk ka më heshtje dhe gjunjëzim. Shqipëria dhe e ardhmja është e jona. Ne u ngopëm me varfëri ju do ngopeni me drejtësi”, tha një qytetare nga protesta.
Një protestuese ka treguar historinë e vështirë të saj dhe të familjes së saj, në protestën qytetare që po zhvillohet para godinës së Kryeministrisë, kundër investimit në Zvërnec të Vlorës.
Gjatë fjalës së saj ajo tha se i ati i saj, i cili ka humbur të dyja këmbët, është operuar 26 herë dhe shteti ka pranuar të mbulojë vetëm një operacion të tijin.
Ajo tha se teksa kishin shkuar në një spital në Turqi për të bërë një operacion të të atit, ai pësoi një trombozë. Sipas protestueses, në Shqipëri drejtësia nuk lejonte që ajo të bënte denoncim kundër spitalit në Turqi, pasi sipas saj, ai spital ishte i lidhur me Presidentin turk Rexhep Tajip Erdogan.
“Unë kam 17 vite që punoj dhe të gjitha shpendimet tona, të miat dhe vëllait tim, kanë shkuar për fatura spitalesh. Babai im është operuar mbi 26 herë. Në momentin që flasim, ai ka humbur të dyja këmbët. Shteti vetëm një operacion të tij ka pranuar dhe për të gjitha të tjerat thonë që nuk mund t’i bëjmë, nuk kemi mjetet. Dhe i fundit ishte që ne na u desh të shkonim në Turqi. Ata bënë një gabim dhe ai trompozë në avion. Pasi u kthyem këtu, as drejtësia jonë nuk lejonte që unë të bëja denoncim për spitalin në Turqi, sepse spitali në Turqi qenka i dhënë drejt Erdoganit. Doja të flisja për këtë histori, për të thënë që ne duhet të çoheni, pavarësisht se jemi një brez që sot s’kemi asgjë në vijë”, tha protestuesja.
Aktori Mehdi Malkaj edhe sot i është bashkuar protestës së qytetarëve para godinës së Kryeministrisë, që kundërshtojnë investimin në Zvërnec të Vlorës.
Gjatë fjalës së tij para të pranishmëve, Malkaj tha se himni kombëtar shqiptar është përdhunuar gjatë këtyre viteve.
Ai tha se fëmijët në shkollë nuk po mësohen për çështje që kanë të bëjmë me atdhetarizmin.
“Tungjatjeta të gjithëve. Nuk vdes njeriu kur thotë ndonjë fjalë të mirë, si fjala ‘ju kam xhan të gjithëve’. Unë tani kam një dëshirë, që dua që kush e ka në dorë të ma plotësojë. Miq të dashur, ai që është përdhunuar më shumë në këtë mes, është himni kombëtar. Fëmijët venë në shkollë dhe nuk u thonë mësuesit çfarë është ky. Ta këndojmë këtu himnin kombëtar të gjithë sa jemi”, tha aktori Mehdi Malkaj.
Në fjalën e tij në protestën e 12-të para kryeministrisë, një emigrant vlonjat i ardhur nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës solli në kujtesë momentet e errëta të 1997-ës kur klika berishiste persekutoi dhe dëboi njerëzit nga vendi. Ai tha se ngjarjet e 1997-ës nuk duhet të përsëriten por nga ana tjetër bëri thirrje për apel për mos braktisje të protestës.
"Para 31 vitesh e nisa protestën në Vlorë. Kemi lënë gjakun, ccdo gjë në Vlorë. Jemi torturuar nga klika berishiste. Protesta jonë u vodh nga këta që janë sot. Filluan persekutimeve dhe dëbimët. Shtëpinë time ma kanë bombarduar me granada. Në 1998, djali më peshonte 1.8 kg. E mbështolli mirë gruaja dhe u nisëm drejt Adriatikut për të bërë një jetë ndryshe. Na dëbuan padrejtësisht. Kam qenë punonjës policie dhe nuk më dhanë mundësi të rrisja fëmijët në qytetin e Vlorës. Pasi i rritëm fëmijët andej me dashuri për gjuhën shqipe. Sot pas 30 vitesh ne ndodhemi në të njëjtën situatë. Protesta në të gjithë vendin. Ne dolëm në shesh në Vlorë 2 ditë më parë. Nuk duhet të ëprsëritet 97-a. Ne sduhet ta lëmë protestën e mos të biem pre e askujt. Ditën që do vijmë nga Vlora në Tiranë do të vijmë në këmbë. Ose do të realizojmë qëllimin ose do jemi të vdekur. Sillni sa më shumë njerëz në protestë. Ai frikacaku që është këtu nuk ka besë" tha ai.
Aktivistja Alida Karakushi, duke folur nga protesta që po zhvillohet para Kryeministrisë, tha se ka ardhur koha për një Shqipëri të re dhe sipas saj, po lind një kulturë e re politike.
“Ka ardhur koha për një Shqipëri të re. Në një kohë kur cinizmi dukej se kishte fituar mbi shpresën, rrugët dhe sheshet po mbushen sërish, jo me militantë partish, jo me njerëz të sjellë me autobus, jo me turma që presin një lider, por me qytetarë. Ky është revolucioni i vërtetë. Po lind një kulturë e re politike. Kjo protestë, ky revolucion, është një thirrje se Shqipëria nuk është pronë e askujt”, është shprehur aktivistja.
Një protestuese nga bulevardi para Kryeministrisë ka kërkuar dorëheqjen e Edi Ramës dhe të gjithë atyre që ajo i quajti spiunë dhe komunistë, që mbështesin kryeministrin.
“Ne jemi këtu dhe s’ka burrë nëne me na tërheq ne. Ik zhduku bashkë me spiunat dhe komunistat e tu. Zhduku sa më parë”, tha një qytetare.
Në ditën e 12-të të protestës një protestues tha se protesta nisi fillimisht për Zvërnecin e flamingot, por tani nuk po bëhet vetëm për këtë çështje.
“11 ditë më parë kjo nisi si revolucioni i flamingove. Kjo nuk është më çështja e flamingove, e Zvërnecit apo e Nartës, kjo është çështja e të drejtës sonë për t'u dëgjuar. Kjo është çështja e Shqipërisë që duam t’i lëmë fëmijëve tanë. Lufta për të mbrojtur natyrën është një luftë që nuk mbaron kurrë. Këtu jemi për të mbrojtur krenarinë. Është beteja e fundit për të mbrojtur identitetin tonë. Nuk do të ndalemi", tha ai
Një prej pjesëmarrëseve në protestën kundër ndërtimit të resortit në Zvërnec ka bërë thirrje për dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama, duke deklaruar se vendi ka nevojë për një brez të ri drejtuesish.
Gjatë fjalës së tij, protestuesja u shpreh se ka të rinj shqiptarë të arsimuar në universitetet më të mira jashtë vendit, të cilët, sipas saj, janë të aftë për të drejtuar vendin më mirë se klasa aktuale politike.
"Kam dy gjëra për të thënë: nëse vijnë emigrantët nga Italia dhe Gjermania, mos e sigurt. Kam kontaktet vetë. Dhe e dyta, Edi Rama jep dorëheqjen, sepse janë këta të rinj emigrantë që kanë studiuar nëpër shkolla të botës dhe mund ta qeverisin më mirë se ti. Një Shqipëri të bukur, të lirë, pa korrupsion. Merr shokët dhe zhdukuni, me atë tjetrin që keni 35 vite. Ti je aty me njerëz të paaftë, që kanë marrë diploma me kafe. Këta janë antishqiptarët më të mëdhenj që mund të ketë pasur ndonjëherë Shqipëria",- tha protestuesja.
Para kryeministrisë kanë nisur fjalimet protestuesve për resortin në Zvërnec.
“Ne jemi makthi i tyre, prej 12 ditësh i ka kapur frika. Ne duam një sistem të ri. Pa rini nuk ka Shqipëri”, tha një protestues.
Një protestuese nga bulevardi para godinës së Kryeministrisë deklaroi se në Shqipëri ka një regjim autukratik, që po përzë shqiptarët nga vendi.
Gjatë fjalës së saj, ajo tha se në datën 12 qershor, kur është edhe ditëlindja e PS, kryeministri Rama do të zhvillojë një antimiting, duke detyruar qytetarët që të marrin pjesë atje.
Ajo vijoi më tej duke thënë se në Shqipëri nuk ka siguri për punëtorët dhe në spitale nuk ofrohet shërbimi i duhur mjekësor.
Sipas protestueses, shqiptarët janë detyruar që 15-vjeç ta braktisin vendin dhe të bëhen kriminelë, për të mbijetuar.
“Rama ka paralajmëruar nesër një antimiting, ku pritet të marrin pjesë shqiptarë jo të lirë. Ne jemi këtu për t’i çliruar edhe ata që marrin pjesë atje nga një regjim autokratik, që kërcënon me bukën e gojës. Jam këtu për ata shokë e shoqë që i kriminalizuan që 15-vjeç dhe i përzunë rrugëve të Europës. Jam këtu për një Shqipëri të re, ku në momentin e parë që sëmuresh duhet të hapësh GoFound, sepse në spitale nuk të jepet shërbim. Jam këto mos të na bien më punëtorët nga skelat dhe të vdesin. Jemi këtu për të kërkuar hetim të kryeministrit Rama. Jam këtu për një Shqipëri të re, që nuk vendosin 5 oligarkë. Shqipëria është e jona, Shqipërinë e re do ta bëjmë të gjithë ne”, tha mes të tjerash një protestuese.
Edhe këtë të enjte qytetarët po protestojnë para kryeministrisë për ‘Zvërnecin’.
Para se të nisin fjalimet ata kanë kënduar në kor himnin e flamurit kombëtar.
Në protestën e 12-të që po zhvillohet në Tiranë kundër ndërtimit të resortit në Zvërnec, para Kryeministrisë u vendosën pesë karrige bosh me mbishkrime si "Ikur në Greqi", "Ikur në SHBA", "Ikur në Kanada" dhe destinacione të tjera, formë kjo për të sjellë në vëmendje problemin e emigrimit masiv të shqiptarëve.
Komente




Esht i zgjedhur o njerez qe keni mar homell kot fare.beni sikur jeni zeri te gjithve.
PërgjigjuRama eshte kryeminister ne vendin qe e ka zgjedhur.812 mije votues kundrejt 8 mije protestuesve qe as vete nuk e dine se per cfare protestojne.
PërgjigjuZgjedhje nuk do të ketë më.....!!! Në demokraci fitimtari vendoset me votë... Kjo turmë është anti Trump anti investimit amerikan....
PërgjigjuKlubi i hallexhinjeve dhe protestuesve profesionist + generata Z(ombje)
PërgjigjuO frikacake.Berisha po ju merr protesten e ju nuk keni guxim te beni asgje. Rama i ka bere betejat e tij me Berishen.Madje ka ngrene edhe dru nga Berisha.Ju legena qe beni trimin e qe do i q. robt Rames po rrini si mut i shkelur kur Berishistet ju vijne aty ne proteste.Nqs nuk keni, guxim te mbroni as idete dhe as bindjet tuaja ndaj Berishes si do mbroni interesat e nje kombi te tere?
Përgjigju