TIRANË- Protestat para Kryeministrisë nisën për të kundërshtuar resortin që pritet të ndërtohet në Zvërnec, me argumentin se po dëmtohet zona e mbrojtur dhe habitati i shpendëve ujorë, mes tyre edhe flamingot. Ndërsa tubimi futet në ditën e 14-të, protestuesit duket se e kanë harruar kauzën për të cilën janë mbledhur dhe para godinës qeveritare tashmë artikulojnë një sërë problematikash që prekin disa aspekte, nga shëndetësia, emigrimi, arsimi etj. Por shqetësimi për zonën e mbrojtur tashmë është ngritur nga 96 organizata të shoqërisë civile të cilat përmes një peticioni më 9 qershor, për të cilin askush nuk ka folur në protestë, i kërkojnë Kuvendit të Shqipërisë rishikimin me prioritet të politikave qeveritare që prekin zonat e mbrojtura.
Organizatat kërkojnë shfuqizimin e menjëhershëm të ndryshimeve të vitit 2024 në ligjin “Për Zonat e Mbrojtura”, nisjen e një procesi të ri rishikimi të ligjit në përputhje me direktivat e Bashkimit Europian dhe ndalimin e dhënies së lejeve për zhvillime të reja turistike dhe infrastrukturore në këto zona deri në harmonizimin e plotë të kuadrit ligjor me standardet europiane.
Sipas organizatave, paralajmërimet e bëra prej tyre që në vitin 2024 për pasojat e ndryshimeve në ligjin nr. 81/2017 “Për Zonat e Mbrojtura” po rezultojnë të bazuara. Ato vlerësojnë se ndryshimet e miratuara nga Kuvendi në shkurt të vitit 2024 kanë hapur rrugën për ndërhyrje që rrezikojnë vlerat natyrore dhe integritetin e zonave të mbrojtura, duke sjellë si shembull investimin e planifikuar në zonën e mbrojtur të kategorisë V, Pishë-Poro-Nartë.
Organizatat thonë se ligji i ndryshuar për zonat e mbrojtura jo vetëm që dëmton natyrën, por edhe pengon procesin e integrimit europian, ndërsa akuzojnë për mungesë transparence për procedurat që janë ndjekur për rastin e Zvërnecit.
Peticioni u është përcjellë për dijeni edhe të gjitha përfaqësive diplomatike në vendin tonë, përfshirë edhe ambasadorit të Bashkimit Europian, Silvio Gonzato, të dërguarës me punë të SHBA, Nancy VanHorn, si edhe kryetarit të prezencës së OSBE-së në Tiranë, Michel Tarran.
Peticioni i plotë
Përmes kësaj letre, ju drejtohemi publikisht me kërkesën për rishikimin e politikave të Qeverisë Shqiptare lidhur me Zonat e Mbrojtura. Kjo kërkesë vjen në vijim të qëndrimit të përbashkët të organizatave të shoqërisë civile, të paraqitur në vitin 2024, lidhur me ndryshimet në Ligjin nr. 81/2017 “Për Zonat e Mbrojtura”. Pavarësisht kundërshtimeve dhe komenteve të paraqitura nga shoqëria civile, në shkurt të vitit 2024 Kuvendi miratoi ligjin e ndryshuar.
Me keqardhje konstatojmë se, ashtu siç kishim paralajmëruar, ndryshimet e miratuara në Ligjin për Zonat e Mbrojtura po hapin rrugën jo vetëm për degradimin e tyre, por edhe për mungesë transparence në vendimmarrje, anashkalim të strukturave të vendimmarrjes mjedisore dhe ushtrim dhune ndaj qytetarëve. Rasti i investimit në “zonën bërthamë” të Peizazhit të Mbrojtur “Pishë Poro – Nartë” është shembulli më i fundit i kësaj situate.
Në këtë kontekst, qëndrimi ynë paraqitet si një analizë më e gjerë e vendimmarrjes mjedisore, e detyrimeve të Shqipërisë në procesin e integrimit europian dhe e pasojave afatgjata që sjell lejimi i zhvillimeve të reja turistike në zonat e mbrojtura.
1. NATYRA SHQIPTARE DHE INTEGRIMI NË BASHKIMIN EUROPIAN SOT
Ligji i ndryshuar dëmton natyrën dhe pengon procesin e integrimit europian. Qëndrimi i Bashkimit Europian, i publikuar në dokumentin e anëtarësimit për Grupkapitullin 4, “Axhenda e Gjelbër dhe Lidhshmëria e Qëndrueshme”, i kërkon Shqipërisë:
-Të shfuqizojë dispozitat e papajtueshme të miratuara përmes ndryshimeve në Ligjin për Zonat e Mbrojtura (Ligji nr. 21/2024);
-Të shfuqizojë Ligjin për Investimet Strategjike të vitit 2015.
Kjo e shndërron kërkesën për rishikimin e Ligjit për Zonat e Mbrojtura nga një kërkesë të shoqërisë civile në një kusht të procesit të integrimit europian.
Megjithatë, Programi i Përgjithshëm Analitik i Projektakteve për vitin 2026 nuk parashikon rishikimin e Ligjit për Zonat e Mbrojtura. Kjo ngre shqetësime serioze se ligji i kontestuar mund të vazhdojë të prodhojë pasoja konkrete dhe të pakthyeshme në zonat e mbrojtura.
Që në vitin 2006, me miratimin e Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Komuniteteve Europiane me shtetet e tyre anëtare, është rënë dakord që:
“Palët do të zhvillojnë dhe forcojnë bashkëpunimin e tyre në detyrën jetike të luftës kundër degradimit të mjedisit, me qëllim promovimin e qëndrueshmërisë mjedisore.”
Njëzet vjet më vonë, zhvillimet më të fundit në zonat e mbrojtura tregojnë se vendi ka bërë hapa pas në qeverisjen mjedisore.
2. E ARDHMJA
Investimet në zonat e mbrojtura krijojnë një konflikt me kosto të lartë për të ardhmen e vendit
Shqipëria e ka kuptuar se anëtarësimi në Bashkimin Europian nuk është thjesht një objektiv politik. Ai shoqërohet me standarde, kushte dhe detyrime të qarta ligjore, institucionale, sociale dhe ekonomike.
Për një shtet anëtar, përgjegjësia ndaj acquis communautaire është shumë më e lartë dhe shoqërohet me penalitete në rastet e mosrespektimit ose moszbatimit të direktivave europiane. Kjo do të jetë edhe përgjegjësia e Shqipërisë në kuadër të objektivit për t’u bërë shtet anëtar deri në vitin 2030.
Zonat e mbrojtura përcaktohen me ligj si pasuri kombëtare. Aktualisht, të gjitha ato janë propozuar si “Zona me Interes për Komunitetin” dhe, pas anëtarësimit, do të lidhen drejtpërdrejt me rrjetin Natura 2000.
Zona “Vjosë – Nartë – Pishë Poro” është propozuar si një territor i vetëm dhe kompleks për t’u bërë një nga zonat e ardhshme Natura 2000 të Shqipërisë. Ky propozim është hartuar nga komuniteti shkencor në kuadër të projektit NaturAL, ndërsa puna shtesë për pjesë të kësaj zone po përfundon në kuadër të projektit EU4Nature.
Sipas parimeve të së drejtës mjedisore, shkatërrimi i natyrës është ose i pakthyeshëm, ose i kthyeshëm vetëm me një kosto shumë të lartë.
Lejimi i investimeve të reja (ex novo) në zonat e mbrojtura i transferon automatikisht këto investime në zonat e ardhshme Natura 2000.
Por nëse Shqipëria do të bëhet shtet anëtar i Bashkimit Europian deri në vitin 2030, kjo nënkupton se vendi do të ketë shfuqizuar dispozitat e papajtueshme të Ligjit nr. 21/2024 dhe do të ketë miratuar një ligj të ri në përputhje me parimet e IUCN-së, ndërkohë që zonat e mbrojtura në terren mund të mos përmbushin më kriteret e ruajtjes.
Në këto rrethana, si do të trajtohen investimet në turizmin elitar që mund të jenë zhvilluar tashmë brenda zonave të mbrojtura mbi bazën e ligjit aktual të kontestuar?
Për të ardhmen e një shteti anëtar, kjo situatë mund të sjellë dy pasoja serioze:
Heqjen e statusit “Zonë e Mbrojtur” për të gjitha zonat ku janë kryer investime dhe ku integriteti ekologjik dhe vlerat natyrore janë humbur;
Rrezikun që shteti shqiptar të detyrohet në të ardhmen të korrigjojë, kufizojë ose rishikojë vendimet e marra sot, duke përfshirë rikthimin e zonave në përputhje me standardet e kërkuara.
Ky do të ishte një proces me kosto të larta politike, mjedisore, sociale dhe mbi të gjitha ekonomike.
Në këtë drejtim kërkohet një përgjigje e qartë institucionale:
Cili është skenari i Qeverisë Shqiptare për zgjidhjen e konfliktit ndërmjet zhvillimeve të reja turistike në zonat e mbrojtura dhe detyrimeve që Shqipëria do të ketë si shtet i ardhshëm anëtar i Bashkimit Europian?
Dhe cili është skenari për përballimin e kostove që lidhen me këtë konflikt?
3. PJESËMARRJA PUBLIKE, LLOGARIDHËNIA DHE TRANSPARENCA
Zonat e mbrojtura nuk mund të ndryshohen në “heshtje institucionale” dhe pa llogaridhënie publike
Në rastin konkret të investimit të propozuar në zonën e mbrojtur “Pishë Poro – Nartë”, publiku nuk është informuar, ndërsa punimet kanë nisur pa vendosjen e një tabele informuese në terren.
Shqetësimet e qytetarëve janë adresuar vetëm politikisht, përmes deklaratave që theksojnë se nuk ekziston një projekt, ndërkohë që ka munguar komunikimi institucional dhe transparenca nga strukturat përgjegjëse.
Nga ana tjetër, ekziston një leje e lëshuar nga Këshilli Kombëtar i Territorit dhe Ujit dhe qarkullon një dokument i Vlerësimit të Ndikimit në Mjedis me datë prill 2026.
Informimi dhe përfshirja e qytetarëve në vendimmarrjen mjedisore nuk janë çështje vullneti politik, por detyrim ligjor.
Strukturat shtetërore përgjegjëse kanë detyrimin të garantojnë transparencë, konsultim efektiv publik dhe shpjegim teknik që në fazat e hershme të çdo plani, programi apo projekti që prek zonat natyrore dhe veçanërisht zonat e mbrojtura.
Konventa e Aarhusit, instrumenti kryesor i demokracisë mjedisore, garanton të drejtën e publikut për informim, pjesëmarrje në vendimmarrje dhe akses në drejtësi për çështjet mjedisore.
Këto detyrime pasqyrohen gjithashtu në legjislacionin shqiptar dhe në paketën horizontale të acquis mjedisor të Bashkimit Europian.
Të marra së bashku, këto kërkesa sigurojnë që vendimmarrja mjedisore të mos dominohet nga vendime të njëanshme të një institucioni të vetëm, por të jetë e koordinuar, e konsultuar, transparente dhe e bazuar në informacion institucional.
Kjo është edhe më e rëndësishme kur bëhet fjalë për zonat e mbrojtura.
Investimi në Peizazhin e Mbrojtur “Pishë Poro – Nartë”
Pavarësisht ndryshimeve të miratuara në Ligjin për Zonat e Mbrojtura, vetë ky kuadër ligjor parashikon që aktivitetet në zonat e mbrojtura mund të zhvillohen vetëm pasi të jenë marrë lejet apo miratimet përkatëse mjedisore dhe, kur kërkohet, miratimi i organit përgjegjës për mbrojtjen e zonës.
Në rastin e Peizazhit të Mbrojtur “Pishë Poro – Nartë”, rëndësia ekologjike e zonës, përfshirja e saj në listën e ligatinave me rëndësi ndërkombëtare dhe vlerat për shpendët e egër dhe migratorë kërkojnë një vlerësim të plotë, të kujdesshëm dhe transparent për çdo ndërhyrje të propozuar.
Po ashtu, ligji parashikon se pronat private të përfshira brenda zonave të mbrojtura administrohen dhe përdoren vetëm në përputhje me planin e miratuar të menaxhimit dhe zonimit.
Në kushtet kur “Pishë Poro – Nartë” ende nuk ka një plan menaxhimi në fuqi, ndërsa një plan i tillë po hartohet aktualisht në kuadër të projektit EU4Nature, ekziston detyrimi për të dhënë sqarime publike mbi bazën ligjore, procedurale dhe mjedisore mbi të cilën është mbështetur çdo vendimmarrje për zhvillime të reja në këtë zonë.
Në dritën e sa më sipër, dhe në mungesë të dokumenteve ligjore të kërkuara për aktivitetet e lejuara në zonat e mbrojtura, mbi çfarë baze Këshilli Kombëtar i Territorit dhe Ujit vendos që një zonë e mbrojtur mund të shndërrohet në zonë zhvillimi për turizëm elitar?
Publikimi i plotë dhe hap pas hapi i dokumentacionit mbi të cilin është bazuar vendimmarrja për rastin “Pishë Poro – Nartë” është një detyrim.
Heshtja institucionale dhe mungesa e transparencës nuk mund të jenë mënyra se si trajtohen zonat e mbrojtura.
Në këtë kontekst kërkojmë:
-Shfuqizimin e menjëhershëm të dispozitave të futura me Ligjin nr. 21/2024 që ndryshoi Ligjin “Për Zonat e Mbrojtura”;
-Nisjen e menjëhershme të një procesi transparent, gjithëpërfshirës dhe të mbështetur në ekspertizë për rishikimin e Ligjit nr. 81/2017 “Për Zonat e Mbrojtura”, me synimin e harmonizimit të plotë të tij me direktivat europiane;
Vendosjen e një ndalimi për dhënien e lejeve për zhvillime të reja turistike dhe infrastrukturore në zonat e mbrojtura, deri në harmonizimin e plotë të kuadrit ligjor me acquis-in e Bashkimit Europian, parimet e IUCN-së, detyrimet për ruajtjen e biodiversitetit dhe kërkesat për pjesëmarrje publike.
E mbyllim këtë komunikim duke cituar nenin 64 të Ligjit për Zonat e Mbrojtura, “Detyrimi i publikut për ruajtjen e zonave të mbrojtura”:
“Çdo person ka detyrimin të respektojë rregullat dhe kufizimet e vendosura nga administrata përgjegjëse për mbrojtjen e zonës, në përputhje me këtë ligj, kuadrin ligjor për bujqësinë, planifikimin e territorit, turizmin, trashëgiminë kulturore, qeverisjen vendore dhe institucionet e kërkimit shkencor, si dhe të mbrojë këto zona.”
Ne mbështesim të gjithë qytetarët shqiptarë që përmbushin detyrimet e tyre ligjore.
Kliko këtu për të lexuar peticionin
Komente





