TIRANË- Qytetarët janë mbledhur për të tetën ditë radhazi në protestën kundër ndërtimit të resortit në Zvërnec. Me thirrjet “dorëheqje”, "Rama në burg, Berisha në Burg", ata marshuan nga sheshi “Skënderbej” drejt kryeministrisë.

Protestuesit kanë shpalosur një sërë ankesash, nga emigrimi, te gjendja e arsimit, shëndetësisë, deri tek çështja e pronave.

Një tjetër simbolikë e përdorur nga protestuesit ishte një gomone të cilën e sollën para kryeministrisë, ndonëse prej 26 vitesh shqiptarët nuk largohen më me gomone.

KËRKESAT E PROTESTUESVE
1-  Dorëheqjen e qeverisë
2- Shfuqizimin e statusit dhe te kuadrit ligjor për statusin strategjik
3- shfuqizimin e paketës se maleve
4- anulimin e ndryshimeve në ligjin për zonat e mbrojtura
5- anulimin e ndryshimeve në ligjin për trashëgimin kulturore shqiptare

Lajm në përditësim...

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 19:13
Protestuesi: Zvërneci ka treguar si punon sistemi i Ramës dhe grabitja e Shqipërisë! SPAK ta hetojë, ndërkombëtarët të reagojnë

“Shqipëria nuk është në grabitje”, ishte thirrja e një protestuesi përpara kryeministrisë. “Zhvillim për oligarkët” e quajti ai investimin në Zvërnec, të cilin e cilësoi si rastin që ka zbuluar funksionimin e qeverisë dhe grabitjes së vendit. Protestuesi bëri thirrje për hetimin e investimit nga SPAK dhe për reagim nga ndërkombëtarët.

“Çfarë është ky zhvillim që këta na thonë se jemi kundër? Ky është ai zhvillimi i Shqipërisë me oligarkët, për oligarkët. Ky nuk është zhvillim, ky është një tumor që po rritet në trupin e Shqipërisë që duhet ta pastrojmë. Duhet energji e madhe derisa ta detyrojmë për dorëheqjen. Zvërneci ka treguar si punon sistemi i Ramës dhe pikërisht grabitja e Shqipërisë. I bëjmë thirrje SPAK-ut të na mbrojë nga ky projekt kriminal, të hapë proces dhe ta ndjekë me transparencë! Një thirrje tjetër e bëjmë për ata ndërkombëtarë që akoma nuk po flasin, nuk po mbajnë një qëndrim politik ndaj këtij regjimi që duhet të dënohet politikisht nga ata që mendojnë se Evropën dhe SHBA duhet t’i kemi në krah!”, tha protestuesi.

Ora 19:06
Simbol i emigrimit, protestuesit sjellin gomonen para kryeministrisë

1780851947_protestaperzvernecin7qershor.jpg

Protestuesit kanë sjellë një gomone në tubimin për Zvërnecin para kryeministrisë, si një shenjë simbolike për emigrantët që janë larguar prej vitesh.

Ora 19:01
Emigranti nga SHBA me flamur në protestë: Berisha e Rama të dorëhiqen pa kushte, t’i kërkojnë falje popullit!

I mbuluar me flamurin kombëtar, një emigrant nga SHBA u bëri thirrje të rinjve në shesh të mos dorëzohen dhe të vijojnë të protestojnë kundër pushtetit. Ai kërkoi që Berisha e Rama të dorëhiqen pa kushte dhe t’i kërkojnë falje popullit.

“Jam këtu i ardhur nga Amerika, por nuk kam bërë mirë që kam ikur ajo dihet se lashë atdheun, por nuk kam ikur për të mos u kthyer më në Shqipëri. Kështu si puna ime janë të gjithë emigrantët nëpër botë dhe duke parë si po shkon Shqipëria, të gjithë do të kthehen për ta ndërtuar, për ta bërë një Shqipëri të re! Jam i moshuar krahasuar me gjithë rininë shqiptare që kanë 10 ditë që bëjnë këtë protestë qytetare, por në kohën time vetëm po të flisje vesh më vesh me dikë do të hyje në burg për 10 vjet, ndërsa sot jeni të lirë të protestoni kundër pushtetit diktatorial. Në ’91 ky pushtet s’u rrëzua, por u transferua. Rinia shqiptare të bashkohet sot këtu! Dorëheqje pa kushte për Sali Berishën dhe Edi Ramën që janë dy fajtorët kryesorë që rinia shqiptare ka marrë rrugët e botës kur kemi pasuri të pakrahasueshme! U bëj thirrje Berishës e Ramës të dalin para popullit shqiptar, të kërkojnë falje dhe të heqin dorë sa nuk është vonë, të japin llogari!”, tha protestuesi.

Ora 18:59
‘Zvërneci’, protestuesi: Le të bëhemi 1 milion njerëz këtu, ta shohë Rama sa shumë jemi!

Një tjetër protestues i pranishëm para kryeministrisë bëri thirrje që të mblidhen gjithnjë e më shumë për t’i treguar Ramës sa shumë janë së bashku.

“Sa njerëz në spitalet tona humbin të drejtën e jetës? Gjyqet për ne vazhdojnë me vite, kurse për ata firmosen ligjet brenda ditës. Kushtetuta garanton të drejtën e pronës, por sa nga ju s’kanë letrat e pronës? Sa familje jetojnë vetëm nga paratë që dërgojnë emigrantët? Çfarë ka bërë shteti i Edi Ramës për mërgatën? Le të bëhemi ne këtu në shesh 8001 njerëz, 1 milion njerëz, ta shikojë me sytë e tij sa shumë jemi për një Shqipëri pa Edi Ramën!”, tha protestuesi.

Ora 18:59
Shkodrania nga protesta kundër resortit të Zvërnecit: Emigrimi nuk është zgjidhje, mos e lëshoni Shqipërinë, boll na kanë vjedhur

1780851863_protestaperzvernecin7qershor.jpg

Një shkodrane prej 34 vitesh në emigrim gjatë protestës kundër ndërtimit të resortit në Zvërnec, u bëri thirrje të rinjve të mos e braktisin Shqipërinë. Sipas saj është koha për të ndërtuar një Shqipëri të re, dhe i bëri thirrje emigrantëve që të kthehen.

“Jam shkodrane, kam 34 vjet në emigrim! Na ka ardhur në majë të hundës! Mos e lëshoni Shqipërinë! Nuk është emigrimi zgjidhje, është skllavërim. Nuk është kush i lumtur në emigrim. I lumtur është në vendin e vet, në tokën e vet. Sali Berisha, Edi Rama duhet të shkojnë në burg. Ata e kanë çuar këtë vend kështu, ata e kanë bërë me ik me marr rrugët. Na kanë grabitur pronën, prandaj ju lutem, ju përgjërohem, rrini këtu, mos e lëshoni Shqipërinë, se boll kanë vjedhur.  Emigrantët të vijnë në vendin e vet, guri i rëndë peshon në vendin e vet. Rama në burg, Berisha në burg. Janë të dy bashkë 35 vite. Rinia duhet me qenë drita jeshile për këtë vend, emigracionit i bëj thirrje të vijnë këtu. Jo për plazh, këtu, për të ndërtuar një Shqipëri të re, është e pamundur me jetuar kështu midis europës. Ne e duam Shqipërinë edhe më të mirë se Europën”, tha protestuesja.

Ora 18:55
‘Oligarkët s’kanë limite’, protestë edhe në Pogradec kundër ndërtimit të resortit në Zvërnec (VIDEO)

Pogradeci ka dalë sërish në protestë kundër ndërtimit të resortit në Zvërnec. Protetsuesit mbajnë në duar pankarta të ndryshme si “Oligarkët s’kanë limite”, apo “sot flamingot, nesër unë”.  

Ora 18:50
‘Çohuni nga kafja’, qytetarët e Shkodrës për të dytën ditë radhazi në protestë kundër ndërtimit të resortit në Zvërnec (VIDEO)

Për të dytën ditë radhazi, qytetarët kanë dalë sërish në protestë kundër ndërtimit të resortit në Zvërnec. Protestuesit kanë parakaluar në pedonalen e qytetit dhe janë mbledhur para bashkisë, ndërsa me thirrjet “çohuni nga kafja”, kërkuan më shumë mbështetje në protestë.

Ora 18:50
‘Kush e organizon protestën?’ Tubuesi shpalos ‘listën’: Një djalë me emrin Shpopullim, 35-vjeçarja Prona Private! E treta, Rinia Shqiptare

1780850775_protestaperzvernecin7qershor.jpg

Me ironi, qytetarët i janë përgjigjur pyetjes që ka mbizotëruar protestën e Zvërnecit: kush e organizon? Një protestues u ngjit në podium duke shpalosur ‘listën’, një renditje problematikash që ai renditi si pakënaqësi të forta ndaj qeverisë.

“Kam një njoftim shumë të rëndësishëm për emrat e grupit organizator, momenti i shumëpritur. I pari është një djalë 35-vjeçar që quhet Shpopullim. E dyta është një vajzë po ashtu 35-vjeçare, quhet Prona Private! E treta dhe më e rëndësishmja është shpirti i gjithë këtij organizimi këtu, quhet Rinia Shqiptare! Të katërtit janë Fëmijët tanë për të cilët kemi dalë të gjithë këtu në shesh dhe unë jam krenar! E pesta është një zonjë për nga mosha që ka lënë të paktën 160 mijë familje që presin me vite për një vendim drejtësie, Drejtësia është një nga arsyet dhe organizatoret e kësaj proteste! Shqiptarët s’mund të presin më me 10-15 vite për të marrë të drejtën e tyre! E gjashta, sot thonë mos shkofsh nëpër spitale sepse sistemi shëndetësor është një tmerr i vërtetë që mos vaftë as hasmi. I shtati, e ka lënë postulat Naim Frashëri, Arsimi! Duam arsim cilësor! E teta është Bujqësia, fermerët tanë duhet të jenë këtu, duhet tu ofrohen kushtet minimale për të prodhuar për fëmijët tanë. Të nëntët, Pensionistët! Ta bëjmë këtë luftë për gjyshërit e gjyshet tona! E fundit, minatorët, naftëtarët, ata që kanë dalë nga shtëpitë e tyre pa ditur nëse do të kthehen dhe sot janë në mëshirë të fatit!”, tha i riu duke shtuar:

“Mos harroni që për gjithë këtë grup organizator fajin e ka kjo qeveri!”

Ora 18:35
Protestuesja i jep 'lajmin' Ramës: Diaspora s’do të vijë për pushime, por për protestë!

Protestuesit kanë nisur me fjalimet e para duke bërë thirrje për largimin e qeverisë Rama. Një protestuese tha se është momenti për të kthyer fëmijët nga emigracioni, ndërsa i drejtoi një mesazh kryeministrit duke u shprehur se diaspora s’do të vijë për pushime, por për protestë.

“Është koha të kthejmë fëmijët tanë nga emigracioni! Shqipëria u takon vetëm atyre! Fëmijët tanë duhet të kthehen në Shqipëri! Për të gjithë ata që thonë pse jemi mbledhur, të gjithë ne e kemi një hall. Boll është boll! Z. Kryeministër, kam një lajm për ty: diaspora këtë radhë nuk do të vijë për pushime, por do të vijë në protestë! Falënderim i veçantë për të gjithë ata që kanë ardhur nga larg, por edhe për të gjithë shqiptarët anë e mbanë botës që po bëjnë protesta. Boll është boll!”, tha ajo duke iu bashkuar thirrjeve “Rama në burg, Berisha në burg!”, tha ajo.