Qytetarët po protestojnë para kryeministrisë në ditën e 14-të protestës për Zvërnecin. Para nisjes së fjalimeve ata kënduan himnin kombëtar ashtu siç e kanë bërë gjatë këtyre dy javëve.

Aktivistja Luçiana Kokaj tha se sot shqiptarët arritën të çlironin Rrjollin nga telat me gjemba që ishin vendosur në vendin ku pritet të ndërtohet resorti i biznesmenit dhe botuesit Bashkim Ulaj, projekt që kundërshtohet fuqishëm nga qytetarët.

“Sot kemi çliruar një pjesë të Rrjollit, kemi hequr telat me gjemba. Sot kemi sjellë një pjesë të vogël nga gardhi që kemi hequr në Rrjoll. E kemi sjellë këtu para Kryeministrisë, që ata të kuptojnë që nuk ka gardh që të ndajë shqiptarët. Kemi sjellë edhe një palë këpucë, për të gjithë ata që nuk janë këtu me ne, që janë larguar. Dhe jam e bindur, që nëse të gjithë do sjellim nga një palë këpucë për ata që nuk janë më këtu, këtu do të bëhet një mal shumë i madh, më i madh se Holokausti”, tha mes të tjerash Kokaj.

Lajm në përditësim…

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 19:27
Analisti Ben Andoni: Në protestë mund të ketë ndikime të huaja, por s’duhet t’i maksimalizojmë! Shqipëria s’është qendra e botës

1781370671_benandoni.jpg

Analisti Ben Andoni, në një lidhje për emisionin ‘Studio Live’ me gazetarin Ermal Qori në Report Tv, tha se në protestën që po zhvillohet para Kryeministrisë që kundërshton investimin në Zvërnec, mund të ketë ndikime të huaja, por jo në nivele ‘alarmante’.

Për Andonin, Shqipëria nuk është qendra e botës dhe sipas tij, vendi ynë është larg interesave të mëdha botërore.

“Edi Rama dhe gjithë enturazhi i tij politik kanë kaluar shumë limite. Duhet t’i thërriste mendjes në këtë situatë dhe të bënte një prapakthehu. Çdo lloj proteste ka qasje të huaja, por kryesorja është që energjia që ka si karburant këtë entuziazëm të njerëzve, duhet një lloj shkëndije. Për fatin e madh në Shqipëri pati vetëm një incident. Më vjen keq ta them, megjithëse ne prekemi nga gjëra të tilla, jemi shumë larg interesave të mëdha. Duhet të jemi vigjilentë për këto ndërhyrje të jashtme, por jo t’i maksimalizojmë kaq shumë sa thotë Rama. Nuk jemi qendër e botës”, tha mes të tjerash Andoni.

Ora 19:22
‘Prej 30-vitesh jemi jetim’- Protestuesi nga Sheshi Skënderbej: Kam ardhur nga Italia, s’jemi këtu për parti

1781371383_cgyiol.JPG

Një emigrant shqiptar që jeton dhe punon në Itali i është bashkuar sot protestës që kundërshton investimin në Zvërnec të Vlorës.

Gjatë fjalës së tij para të pranishmëve, ai tha se nuk ndodheshin në shesh për parti politike, teksa shtoi se shqiptarët gjatë këtyre 30 viteve janë ‘jetimë’ (duke nënkuptuar që shteti nuk kujdeset për ta).

“Unë jam një mërgimtar. Kam ardhur nga Italia, nga Milano. Ju falënderoj përzemërisht. Ne nuk jemi këtu për parti. Ne tash e 30 vite jemi jetimë, edhe fëmijët tanë i kemi jetimë”, tha një prej protestuesve.

Ora 19:12
Mamaja e Martin Canit i bashkohet protestës para Kryeministrisë: Duam siguri dhe drejtësi! Djali mund të ishte mes nesh nëse do të punonin aparaturat e zemrës në spital

Mamaja e Martin Canit, 14-vjeçarit të vrarë me thikë në Tiranë, Florina Cani, i është bashkuar sot protestës para Kryeministrisë, që zhvillohet kundër investimit në Zvërnec.

Gjatë fjalës së saj, Florina Cani tha se në Shqipëri mungon siguria, kujdesi shëndetësor dhe drejtësia.

Ajo shtoi se djali i saj mund të ishte në jetë nëse do të funksiononin aparaturat e zemrës në spitale.

“Mendova të bashkohem me ju sot dhe të ngre zërin për fëmijët shqiptarë kudo që janë. Duam siguri, e çuam në shkollë dhe nuk u kthye. Jo nga paedukata, por nga pakujdesia e këtyre, që e kanë degraduar arsimin, shëndetësinë dhe të gjitha me radhë. Qeveri e krimit. Kam 18 muaj që protestoj dhe zemra plotë po më mbushet sot që po e shoh Tiranën të mbushur me rini. Faleminderit, në Shqipëri dhe në diasporë, faleminderit. Duam drejtësi dhe rend nëpër gjykata dhe drejtësi s’ka akoma. Poshtë qeveria e krimit, poshtë Edi Rama. Dua të përmend edhe ata që i shtypin makinat nëpër rrugë, sepse nuk ka siguri. Martinin mund ta kishim sot, nëse funksiononte aparatura e zemrës. Por nuk funksionon. Edhe ai tjetri fëmij ishte, nuk po bëj me faj atë, por qeverinë tonë, sepse nuk ka asnjë kusht për siguri”, tha Florina Cani.

Ora 18:57
Protestuesit vendosin këpucë para kryeministrisë: Janë të emigrantëve (VIDEO)

Në ditën e 14-të të protestës para kryeministrisë, protestuesit kanë vendosur disa këpucë.

Ata shprehen se këpucët simbolizojnë emigrantët shqiptarë.

Ora 18:50
Protestuesja Luçiana Kokaj: Sot e ç'liruam një pjesë të Rrjollit nga telat me gjemba, kemi sjellë me vete një pjesë nga gardhi që hoqëm

1781369607_fshjkk.JPG

Aktivistja dhe protestuesja që kundërshton ndërtimin e resortit nga biznesmeni dhe botuesi Bashkim Ulaj në Rrjoll, ka thënë sot në protestën para Kryeministrisë se ‘nuk ka gardh që i ndan shqiptarët’.

Kokaj tha se protestuesit e Rrjollit kishin marrë me vete në protestën para Kryeministrisë një pjesë të gardhit që hoqën ditën e sotme në Rrjoll (me të cilin ishte rrethuar vendi ku do të ndërtohej resorti).

Ajo tregoi gjithashtu se kishte marrë edhe një palë këpucë me vete, si gjest simbolik për të gjithë shqiptarët që janë larguar nga vendi.

““Ne kemi arritur një fitore të vogël sot në Rrjoll, kemi arritur të heqim telat me gjemba, që qeveria nuk i ka hequr dot. Kemi çliruar një pjesë të Rrjollit të gjithë sëbashku. Por nëse nuk çlirojmë Shqipërinë, asgjë nuk kemi arritur. Sot kemi sjellë një pjesë të vogël nga gardhi që kemi hequr në Rrjoll. E kemi sjellë këtu para Kryeministrisë, që ata të kuptojnë që nuk ka gardh që të ndajë shqiptarët. Kemi sjellë edhe një palë këpucë, për të gjithë ata që nuk janë këtu me ne, që janë larguar. Dhe jam e bindur, që nëse të gjithë do sjellim nga një palë këpucë për ata që nuk janë më këtu, këtu do të bëhet një mal shumë i madh, më i madh se Holokausti”, tha mes të tjerash Kokaj.