Një hetim për vrasje, sulm dhe zjarrvënie të qëllimshme është hapur nga prokuroria në Zvicër për 40 jetët e të rinjve gjatë festës natën e Vitit të Ri, pjesa më e madhe shumë të rinj nga mosha 25-36 vjeç

Pronarët e barit, një çift francez, nuk janë akuzuar zyrtarisht, por dëshmitë dhe videot e filmuara brenda diskos nxjerrin në pah se shumë pak gjëra ishin në përputhje me kodin në atë lokal me panele druri në Crans Montana, një nga zonat më të vizituara turistike të Zvicrës.  Në gjendje shoku, ata thanë se lokali të cilin e morën në administrim në vitin 2015 ishte kontrolluar tre herë gjatë dhjetë viteve të fundit.

Pranë hyrjes në katin përdhes, një shkallë e pjerrët dhe e ngushtë të çon poshtë në bodrum. Këtu shpërtheu zjarri pasi shkëndijat nga fishekzjarrët në grykat e shisheve të shampanjës, të mbajtura shumë lart nga dikush gjatë festimeve, arritën sfungjerin kundër zhurmës që mbulon tavanin e ulët prej druri. Kjo mbulesë u përfshi menjëherë nga flakët, duke vërtetuar se nuk ishte rezistente ndaj zjarrit, siç duhej të kishte qenë

Sistemi i shuarjes së zjarrit nuk u aktivizua, as nuk dihet ende nëse ka pasur një sistem të tillë, dhe as nuk ka dëshmitarë që përmendin fikëset e zjarrit, apo alarmin për flakët që kapluan lokalin. Kur zjarri përfshiu diskon në orën 1:30 të mëngjesit, turma e tmerruar gjeti të vetmen rrugë shpëtimi në shkallët që të çonin në katin e sipërm, jo më shumë se një metër të gjera, shkruan Corriere della Sera.

Shumë nga ata që arritën të shpëtojnë, u përpoqën me dëshpërim të thyejnë dritaret plastike. 121 persona u plagosën. Të gjithë ishin viktima të zjarrit, tymit ose të shtypur në përplasjet për të gjetur rrugën e shpëtimit. Hetimi do të përcaktojë gjithashtu kapacitetin e lejuar për “Le Constellation” dhe nëse i është respektuar.

Pikëpyetje ka edhe për daljet e emergjencës. Deri më tani thuhet se ka pasur të tilla, por se janë bllokuar të gjitha nga flakët. Procedurat e identifikimit janë duke vazhduar një proces që pritet të marrë kohë.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 12:07
Tragjedia në diskon në Zvicër, identifikohen katër viktimat e zjarrit në Crans-Montana! Mes tyre edhe dy të mitur

1767335258_aa.JPG

Foto: Të rinjtë në diskon që u përfshi nga flakët

Autoritetet zvicerane kanë përfunduar identifikimin e katër viktimave të tjera nga tragjedia që ndodhi natën e Vitit të Ri në barin “Le Constellation”, në qendrën e skive Crans-Montana, dhe i kanë dorëzuar trupat familjeve të tyre.

Sipas njoftimit të policisë së kantonit Valais, pas një procesi të gjatë dhe intensiv identifikimi gjatë orëve të fundit, u konfirmua identiteti i katër shtetasve zviceranë: dy vajza, 21 dhe 16 vjeçe, dhe dy djem, 18 dhe 16 vjeç.

Procesi i identifikimit u krye me ndihmën e njësive të specializuara për viktimat e katastrofave masive (DVI) dhe të Institutit të Mjekësisë Ligjore, për shkak të rëndësisë së plagëve të shkaktuara nga zjarri.

Pas përfundimit të të gjitha procedurave mjeko-ligjore dhe administrative, trupat iu dorëzuan familjeve në mënyrë zyrtare.

Ora 08:55
Tragjedia në diskon në Zvicër, pronari: Kemi bërë 3 inspektime në 10 vitet e fundit

Foto: Disko e cila u përfshi nga flakët

Pronari dhe menaxheri 49-vjeçar francez i diskos Le Constellation në Crans-Montana, Zhak Moreti, theu heshtjen për herë të parë pas tragjedisë së ndodhur natën e Vitit të Ri.

Ai deklaroi se si ai ashtu edhe bashkëshortja e tij 40-vjeçare, Xhesika, ndodhen në gjendje shoku, ndërsa theksoi se lokali ishte kontrolluar tre herë gjatë dhjetë viteve të fundit.

Në një prononcim për gazetën zvicerane “20 Minuten”, Moreti u shpreh: “Nuk mund të flemë dhe as të hamë. Jemi të gjithë në një gjendje shumë të keqe”.

Zhak dhe Xhesika Moreti, shtetas francezë me origjinë nga Korsika, morën në administrim Le Constellation në vitin 2015.

Sipas informacioneve, natën e zjarrit Xhesika Moreti ndodhej brenda lokalit dhe u plagos, duke pësuar djegie në dorë. Ndërkohë, Zhak Moreti nuk ndodhej aty, pasi ishte në një tjetër biznes të çiftit në zonë.

Moreti bëri të ditur se do të bashkëpunojë plotësisht me autoritetet për zbardhjen e shkaqeve të tragjedisë.

“Do të bëjmë gjithçka që kemi në dorë për të ndihmuar hetimet. Në këtë proces janë përfshirë edhe avokatët tanë”, deklaroi ai.