Zv.kryeministri dhe ministri i Infrastrukturës në Maqedoninë e Veriut, Alexandar Nikolovski, e cilëson ish-presidentin Ilir Meta, i cili ndodhet në paraburgim prej më shumë se një viti, një të burgosur politik në Shqipëri.

Gjatë një seance plenare në kuvendin maqedonas, Nikolovski ka kritikuar opozitën për afrimin me kryeministrin Edi Rama, të cilin e ka quajtur pasardhës të diktatorit Enver Hoxha.

“Ai që është ultra-demokratik, kryetari i mëparshëm i Partisë Socialiste, kryeministër, kryetar i Parlamentit, Ministër i Punëve të Jashtme dhe President i shtetit, së pari e rrahu dhe pastaj e la në paraburgim. Nuk ka dosje, ama e ka mbajtur në paraburgim për dy vjet. A e adhuroni një person të tillë, dhe një person i tillë është miku juaj”, tha zv.kryeministri Nikolovski.

Nikolovski, i cili është një prej figurave më të rëndësishme të VMRO-DPMNE, partia e ish-kryeministrit Nikola Gruevski, është gjithashtu një njeri i afërt i kryetarit të Partisë së Lirisë, por edhe një aleat besnik i kryeministrit hungarez, Viktor Orban.

Ish-presidenti Ilir Meta ka marrë disa herë mesazhe mbështetje nga funksionarë të lartë të VMRO-DPMNE-së, dhe në zgjedhjet e fundit parlamentare në Maqedoninë e Veriut ka bërë thirrje për të votuar partinë e ish-kryeministrit Gruevski.