Zyhdi Dervishi/ Poetika e tij, plot shqetësime për probleme shqiptare e të përbotshme

Zyhdi Dervishi/ Poetika e tij, plot shqetësime për probleme shqiptare  e të përbotshme

Në historinë e kulturës botërore, po dhe atë shqiptare, kemi shembuj të shumtë se personalitete shkencore kanë pasur edhe krijimtari të shquar artistike. Po përmend vetëm disa prej tyre si: Kahjami, Da Vinçi, Lomonosovi, Lajbnici, Niçja deri te figurat tona Sami Frashëri e Fan Noli. Në këtë udhë, ku bashkohet studiuesi me shkrimtarin, po ecën edhe profesor doktor Zyhdi Dervishi.

Poezia e Dervishit në katër librat e tij: “Qiej të përthyer” (1999), “Jehonëlebetia” (2005), “Vetëklanimi i maskave” (2009), “Mokra e hijeve” (2014) karakterizohet nga fryma e theksuar sa qytetar aq dhe human në çdo qelizë të saj. Temat e motivet e poezive kapin një gamë të gjerë të problemeve të mprehta të realitetit të sotëm shqiptar dhe të përbotshëm, nëpërmjet perceptimit e konceptimit poetik, me figuracion të pasur dhe emocionalitet të lartë. Shpirti kritik i Dervishit prek me dhembje plagë të hapura të botës shqiptare, që e pengojnë të eci përpara krahas shteteve e popujve të qytetëruar të botës.

Korrupsioni në të gjithat hallkat e shtetit, mosndëshkueshmëria e shkelësve të ligjeve, lufta e paskrupullt për pushtet, varfërimi dhe polarizimi i shoqërisë etj. pasqyrohen me vërtetësi në vargjet e Dervishit. Gjithashtu, dukuritë negative që po përjeton njerëzimi i sotëm janë në fokusin e poezive të tij.

Duke e parë nga një këndvështrim sociologjikë, vepra poetike e Dervishit mund të quhet reagim i pastër figurativ ndaj realitetit aktual dhe ai poet “diagnostikues” i sëmundjeve të epokës. Profesor Zyhdi sa analizon e argumenton me akribi shkencore, me qetësi, ftohtësi e maturi në veprat e tij sociologjike, aq impulsiv e goditës shprehet në poezi. Pra, kuptimi i drejtë mes dallimit thelbësor të shkencës dhe artit ka kushtëzuar jo vetëm metodën e stilin, po dhe temperamentin e ndezur, si cilësi karakteristike e poetit Dervishi.

Vargjet e poetit kanë ngarkesa të shumta semantike dhe me rrezatime polivalente ndjeshmërish, ku e bukura dhe mesazhet janë shkrirë organikisht. Çelësi i kësaj poezie duhet parë në thurjen e sistemit figurativ origjinal që përbën strukturën solide të poetikës.

Lakonizmi dhe denduria stilistike janë tipare të dukshme të kësaj poezie, siç janë edhe imazhet ekspresioniste dhe herë-herë edhe surreale. Pikëpyetjet në fund të disa poezive janë shprehje dyshimi ose mosbesimi, ose dëshirë e tërthortë për kapërcimin e një gjendjeje ose situate të padëshiruar. Po në thelb janë sfidë ndaj një realiteti dramatik.

Të interpretosh dukuritë e proceset politike, ekonomike, kulturore dhe etiko-morale të konceptuara poetikisht, duke shmangur cerebralitetin libresk, duhet të jesh i vetëdijshëm dhe i aftë, pra i talentuar, për të qëndruar me të dy këmbët brenda gjuhës së poezisë.

Si një kredo të poezisë së Dervishit do të pranoja thënien e Sartrit: “...letërsia krejtësisht e lirë paraqet negativitetin si moment i nevojshëm i ndërtimit” (Zh. P. Sartri, “Ç’është letërsia”, 1998, f. 63). Në këtë kuptim vargjet e Dervishit janë thika të mprehta për të operuar nga trupi i sëmurë i shoqërisë pjesët e kalbura ose të infektuara. Ai godet sëmundjen në emër të humanizmit të vërtetë, jo me deklarata subjektive ose të retorikës hipokrite që mbushin faqet e shtypit dhe mediat e shumta online. Ndjenja e dashurisë dhe e dhimbjes për gjendjen e vendit dhe situatat që po kalojmë në këtë tranzicion absurd përshkojnë gjithë poezitë e Dervishit, pavarsisht se satira e mprehtë mbizotëron ndaj dukurive negative. Një koncept të tillë për satirën e paraqet edhe Benedeto Kroçe: “Për satirë kuptohet një shqetësim moral që, ndonëse e sheh me sy vesin për të luftuar dhe për ta paraqitur shëmtimin e tij, nuk e humbet nga syri shkakun e indinjatës që qëndron në një dashuri të zhgënjyer për fisnikërinë, pastërtinë, ndershmërinë.” (Benedeto Croce, Poezia antike dhe moderne, f. 98)

Që në librin e tij të parë “Qiej të përthyer” Dervishi nuk e kursen sarkazmën te poezia “Politikë” ndaj politikës zyrtare e partiake pa skrupuj, duke e quajtur atë “shtrigë e shtrigave”, që me

“Alkiminë tinëzare të natës

dhe gurëvarret lëvizin”,

që me hipokrizi klasike:

“gjirizin e kthen në tempuj

tempullin në gjiriz.”

Te “Mokra e helmetës” poeti vëren paradoksin qeveritar:

“Vendi im përherë i përmbysur:

një vrasës profesionist

një laro ministër

një gjeneral krimesh

një kolonel të zvetënimeve

një palo prijës

një këngëtare çengije

e ngre mbi piedestalin e dinjitetit të ngjizur

me mundim të fisëm

nga mijëra

artistë

shkencëtarë

e profesorë.” (Vetëklanimi i maskave, f. 26 – 27).

Këto vargje na kujtojnë me turp vargjet e njohura të Fan Nolit, ku satirizon qeverinë anakronike të mbretërisë së viteve ’30. Servilizmi i të paaftëve dhe të pacipëve, mungesa e dinjitetit minimal, për të fituar diçka ose një çfarëdo lloj posti, ka shkatërruar hierarkinë e vlerave:

“Acarit të dimrave të zhgënjimit

me ujëra të turbullta që ngrinë

si stalagmite në boshtin e kohës

rriten politikanucët

hije – manekinë” (“Qiej të përthyer”, f. 64)

Ky karikaturizim poetik i goditur është shprehje e asaj praktike të politikanëve mashtrues, të cilët i përdorin militantët naivë si karrem për të kapur e mbajtur pushtetin me çdo mjet e mënyrë. Të mbështetur te politika të interesave  klanore dhe të lidhur në mënyrë të ndërsjellë me biznesin e madh, pushtetarët e radhës shndërrohen natyrshëm në sundimtarë, shkatërrues të parimeve, ligjeve dhe të institucioneve demokratike:

“Të infektuarit me lebrën

e korrupsionit kanë para

më shumë se gjithë

vlerëtarët e vërtetë:

dijetarët, gjeneralët

e prijësit popullorë.

Një ditë me dunat e parave

harkun më të lartë

të triumfit do të rreken

të ngrenë për vete.

Do të përqeshen dhe nga barelievët

e gurëzuar të virtyteve të kthyera në skelete.” (Jehonëlebetia, f. 132).

Poeti e njeh mekanizmin e shfrytëzimit të burokracisë nga pushtetarët për interesat vetjak që të çon në degjenerimin dhe bjerrjen e shtetit:

“Si prostitutë histerike

shtrydhi nga pushteti

spermën e gjithë e përfitimeve.

Nga babëzia

sperma iu thartua

me urinë.

Shteti dhe nëpunësi si cerga

me fijen e merimangës

akuzojnë njeri – tjetrin

e kërkojnë alibi.” (Idem, f.65)

Pra, ligjet, të shndërruara në rrjetë merimangash, u shërbejnë politikanëve dhe nëpunësve të të gjithë shkallëve, për të mbuluar me mjete të stërholluara fitimet e majme, çka çon në varfërimin e mjerimin e masave të gjera, po dhe në humbjen e dinjitetit të vetë shtetit.

Kjo neveri kuptimplote, që rrjedh në të gjitha poezitë me motive politike të librave të Dervishit, nuk buron vetëm nga ndjenjat vetjake të poetit, po nga gjendja emocionale e akumuluar mbarëpopullore. Dhe në kaosin e sotëm shqiptarë, të sistemit të vetëquajtur demokratik, pasiguria për jetën e njeriut, i cili zbaton rregullat morale dhe ligjet, është një dukuri e rrezikshme, prandaj poeti shikon:

“Kudo trekëndësha të padukshëm

ku luhaten litarë gjarpërinjë

me leqe – kurthe

interesa mafiozë.

Njeriu i ndershëm të tepërt

e ndien veten në këtë botë

si të mbështjellë me lëkurë

të kalbur lebroze.” (Idem, f.63)

Prandaj ndërgjegjja qytetare e ndjeshmëria vetjake e Dervishit reagon me zemërim të përligjur se

“Kovat e krimit – kamxhik

mbi kokat e të gjithëve

me kuisje kobndjedhëse

fshikullon.” (Idem, f. 69)

Krahas parrullave e retorizmit hipokrit, pushtetarët, me forcën e ligjit në dorë demostrojnë prepotencë dhe brutalitet:

“Me grushtin e rrufesë sferike

goditi tryezën e rëndë

të vendimmarrjes” (Mokra e hijeve, f. 49)

Përplasja e grushtit është një veprim që simbolizon mendësinë se “unë kam pushtetin, kam dhe mundësinë të hartoj dhe të zbatoj ligjin siç duan interesat e mia dhe të klanit që unë përfaqësoj.”

Natyrisht, duhet kuptuar se përgjithësimi poetik nuk përfshin ato segmente të politikës realiste e konstruktive dhe ata individ me parime e prirje pozitive e progresive, por që me heshtjen e tyre ose pamundësinë për të ndikuar në sistem, ekzistencën e tyre mund ta quajmë virtuale.

Motivet e poezive të Dervishit kanë përmasë jo vetëm kombëtare. Problemet, konfliktet dhe luftërat e sotme në botë, po dhe në rajonin e Ballkanit, nuk mund të mos ndikojnë në një shkallë ose tjetrën edhe në vendin tonë. Me hiperbolë konvencionale, ja si e shpreh poeti realitetin aktual, kur në çdo cep të globit kemi gjakëderdhje:

“Duhma e krimeve të luftës

dhe kaltërsinë e qiejve përdhosi.

Shiu gjak i mpiksur

e llavë katrani rrjedh nga gjinjtë e përdhosur të hënës.

Nën grinë e shiut – llum

u baltosën dritë – hijet

e skemave diplomatike të politikanëve

përshpirtjet e klerikëve

simfonitë e këngët

keqardhja e retorikave, psherëtimave

në çdo tribunë...” (Qiej të përthyer, f. 22) Me përqasje me dukurinë e ngrohjes globale, poeti paralelisht vëren rritjen e tensioneve botërore politike e luftarake:

“Nga dhembjet 

dhe azoteminë e lotit

po ngrihet zjarrmia

në fytyrën e globit” (Idem, f. 13)

Ballkani, historikisht si fatalitet tragjik, si një burim luftrash, vazhdon ende me pangopësinë shoviniste të ndezë shkëndijat e konflikteve. Në Ballkan

“Nepërkat gërshetohen kurorë

në kokat tona.

Në ashtin e kafkave

me agiet e dhëmbëve helmues

na gdhendin epitafet

e trishta të jetëve

që s’u jetuan

kurrë.” (Vetëklonimi i maskave, f.25)

Emigracioni masiv, sidomos ai pa kontrolluari, si dukuri e pandalshme e ditëve tona, nga dramë shqetësuese shumëpalëshe është kthyerën tragjedi për mijra e mijëra njerëz që shkojnë nga vendet skajshmërisht të varfra dhe me luftëra shkatërruese drejt Europës e Amerikës së veriut.

Ja si e fokuson poeti një imazh tronditës: “Me këmbë të gërryera deri në asht, \ të mpira nga hipotermia, \ çapitet drejt kufirit, \ luginë më luginë, \ mal më mal, \ e kodër më kodër.\ Në terrin e acartë të natës, \ fati i refugjatit, \ gjethe e helmuar, \ kafshuar nga kufiri – kobër.” (Mokra e hijeve”Natë”, f. 35). Nëse njëqind e ca vjet më parë për shqiptarët kurbeti ishte një dramë për ato familje që mbeteshin pas, po dhe për ato që endeshin rrugëve të botës, emigracioni i sotëm i ngjan një lumi që të çon drejt humbjes së identitetit dhe lë pas shkretëtirë në vendin tonë. Me empati drithëruese poeti rrëfen: [«Në zgrip të fatit [mes mjegullës së dyzimit [jam nisur shtigjeve [dritë – hije të mërgimit. [...Vendi im [ nga ligjet e optikës [rrëgjohet [shndërrohet në një pikë. [pikëllimi [që helmon [gjithë qenien time». (Qiej të përthyer, Pikëllimi, f. 58)

Problemi jetik i ndotjes së mjedisit kombëtar aq dhe botëror për të sotmen dhe për perspektivën e njerëzimit, që po shkatërron në mënyrë të pathyeshme globin me ngrohjen globale, me zhdukjen e vlerave të natyrës, me armët e zhdukjes masive:

“Fati i njeriut – krah fluture

Përpëlitet në furinë e shpërthimeve”. (Jehonëlebetia, triptik, f. 41).

Qytetari dhe poeti Dervishi ngre fuqishëm zërin e protestës në vargjet e tij shigjetuese si paralajmërim, së bashku me korin ende të pafuqishëm të miliona njerëzve. Ai kërkon [«të çlirojë kapilarët e mushkërive [nga ushtria e tartabiqeve [ të molekulave gaz – helmuese. (vetëklonimi i maskave, I arratisur , f. 80), sepse “Lumenjtë u përqafuan [me të vjellat [e gjirizeve [të industrisë». (Idem, f. 78), [sepse «...detet dhe oqeanet [mbushen me qelb [atomik të helmuar». (Mokra e hijeve, Kristal loti, f. 37), [sepse «Egzema e ndotjeve industriale \ rrallon mjekrën e gjelbëruar të pyjeve». (Jehonëlebetia, Ekzema, f. 78).

Fati i fëmijëve, i të ardhmes së njerëzimit, janë motive tronditëse në shumë poezi të Dervishit: [«Loti i vogëlushit – kristal pastërtie [në të turbullohet imazhi [gjithë botës (Qiej të përthyer, Lot apo sy, f. 24) [ Dhembja therëse e poetit shpërthen sidomos në motivet e vrasjeve të përbindshme të fëmijëve në Kosovë gjatë gjenocidit serb:

“Sytë e fëmijëve të masakruar-

dije të përgjakur

harkylbere

të përgjysmuar.

Njëra gjysmë

mbi plagët e Kosovës

flukse vegimesh

për lirinë.”

(Idem, Diej të përgjysmuar, f. 31)

Po bota ku është? Po institucionet e paqes, mirësisë, mirëkuptimit, e lutjeve pse heshtin?

“Ditëve të përzhitura kosovare...

Gjithë tempujt e shenjtorëve eklipsohen

nga dy sy të masakruar fëmije.

(Idem, Eklips, f. 36)

[Qëndrimi i prerë kritik ndaj hipokrizisë, pangopësisë, prirjes për fitim të shpejt dhe pa punuar ndershmërisht, që të çon në skëterrën e krimit, vezullon në shumë poezi të dervishit. Ai këmbëngul me dhembje e zemërim për një virtyt qytetar, përball degradimit e manipulimit të moralit njerëzor nga autoritarizmat, nga religjione agresive dhe ekstremiste të ndryshme, nga industrializmi i vlerave shpirtërore. Degjenerimin moral poeti shpreh me neveri:

“Njeriu i zvetënuar

fundoset me rropamë

në gropat skeptike

të pështjellimeve morale”

(Vetëklonimi i maskave, Rrëzime paralele, f. 119)

Kriza e individualitetit dhe i identitetit te njeriu i turmës e bën poetin të pohoj me trishtim:

“Kam humbur veten mes bashkëkohësve

dritëhumbur

idealçartur

shpirtgjymtuar” (Qiej të përthyer, Epitaf, f. 67)

Prandaj poeti shpërthen sarkazmën e pamëshirshme:

«Në tymnajën e turmës pa indetitet

njeriun e zakonshëm

nuk e njeh askush.

Përpiqet të ngrihet mbi nivelin e mjegullës

duke kërcyer një tango- tekashboshësie.

Mjerani – një zorrë e zbrazët

që përpëlitet mbi prush.» (Vetëklonimi i maskave, e zbrazët, f. 141)

Kujtimi dhe nderimi për figurat që janë përpjekur, po dhe kanë dhënë jetën për lirë, përparimin e begatinë e atdheut është nderim e krenari për vetë brezat e sotëm e të ardhshëm. Injorimi dhe harresa e dëshmorëve dhe e luftëtarëve të vërtetë të lirisë nga politikanë e pushtetarë të pacipë sfidohen me përbuzje me poezitë “Veterani i llogoreve” dhe “Krikëllimet e përvajshe”:

«Sa herë kaloj nga varreza e vjetër

gremisur mes ferrave të harresës

dëgjoj një krikëllimë të përvajshme kockash

që më ngjeth në shpirt me lemeri.

Janë kockat e një luftëtari të thinjur në hershmëri

kthehen e rikthehen nga njeri krah në tjetrin

kur një kalimtar i rastit pështyn

mbi jehonën e përgjakshme

të luftërave për liri». (Idem, Krikëllimë e përvajshme, f. 98)

Pritshmëria, që ka në vete optimizmin e natyrshëm, është formuluar poetikisht nga Dervishi si një pyetje shpresëdhënëse:

«Kur do të fillojë ndritja

e kolonave të mermerta

mbi krahët e dallëndysheve

që këngët mbi këngë i nisin

drejt shkëmbinjve të arnuar

me shtufin – kripë të djersës

e fije nervash të pandryshkura

të arkitekturës

me rrënjët e ëndërrimtarit tonë? (Qiej të përthyer, ’90, 10)

Po e mbyllë këtë analizë me dy pyetje të poetit që e kanë të pamundur përgjigjen, që kanë brenda skepticizëm, po dhe dëshirën për të mirën, me idealen: «A është bërë i njerëzishëm njerzimi?»

dhe «me ç’kod do të komunikojmë \ në agimin e turbullt të së ardhmes?»

Maj 2019

/b.ha./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Sondazhi i Tiranës, PS i qëndron 18 mandateve, zbret PD me 4 deputetë! Surprizë partitë e reja me 8 mandate, fundoset PL-ja

Sondazhi i Tiranës, PS i qëndron 18 mandateve, zbret PD me 4 deputetë! Surprizë partitë e reja me 8 mandate, fundoset PL-ja