Mauro Icardi është zyrtarisht futbollist i Paris SG. Pas raportimeve të ditëve të fundit sot dy klubet kanë zyrtarizuar marrëveshjen për futbollitin argjentinas, që sezonin e fundit luajti si i huazuar te Paris SG. Në 2019 dy klubet kishin rënë dakord që për blerjen përfundimtare të 27-vjeçarit të paguheshin 70 mln euro, por për ta marrë përfundimisht nga zikaltërit francezët kanë paguar 50 mln euro plus tetë të tjera bonuse.
Kjo do të thotë se Icardi është zgjedhur si pasuesi i Cavani-t në Parc des Price, futbollistit që këtë qershor i përfundon kontrata me Paris SG. Raportohet se Cavani nga ana tjetër shumë shpejt do të bashkohet me Interin si futbollist i lirë.
Interesant është fakti se në marrëveshjen mes dy klubeve për shitjen e Icardi-t është edhe një klauzolë e vendosur për të mos lejuar sulmuesin të tranferohet brenda verës te Juventusi. Në rast se kjo ndodh Interi do të përfitojë 15 mln euro të tjera në formë bonusesh. Paris SG i ka premtuar Interit që të paktën brenda 12 muajve kjo nuk do të ndodhë.
Për largimin përfundimtar të ish-kapitenit në faqen zyrtare Interi shkroi: “Sulmuesi i klasit të 93 ka kaluar përfundimisht në klubin francez. Ne falenderojmë lojtarin për gjashtë sezonet e kaluara së bashku dhe i urojmë atij më të mirën për vazhdimin karrierës profesionale.”
Te Paris SG Mauro Icardi do të mbajë numrin 9, një tjetër sinjal ky për largimin e Edinson Cavani-t.