Milani ka zyrtarizuar emërimin e Ruben Amorim si trajner të ri të skuadrës, duke i besuar portugezit drejtimin e kuqezinjve deri në verën e vitit 2028.
Pas largimit nga Manchester United në muajin janar, Amorim nis një aventurë të re në Serie A, te Milani, ekip që sezonin e kaluar e mbylli kampionatin në vendin e pestë.
Në fjalët e para si trajner i kuqezinjve, Amorim nuk e fshehu entuziazmin për sfidën e re.
“Ka ambicie që të shoqërojnë gjatë gjithë karrierës dhe drejtimi i Milanit ka qenë gjithmonë njëra prej tyre. E di saktësisht se çfarë përfaqëson ky klub; histori, prestigj dhe një tifozeri të jashtëzakonshme në mbarë botën”, deklaroi trajneri portugez.
Ai shtoi se është i vetëdijshëm për përgjegjësinë që sjell drejtimi i një klubi me traditë të madhe.
“Është një sfidë që e pranoj me krenari dhe entuziazëm, duke qenë plotësisht i vetëdijshëm për atë që përfaqësojnë këto ngjyra. Mezi pres të filloj dhe të përjetoj çdo ditë pasionin që e karakterizon Milanin”, u shpreh Amorim.
Karriera e tij si trajner nisi në Portugali, ku drejtoi Casa Pia, Braga dhe Sportingun e Lisbonës. Më pas ai mori drejtimin e Manchester United, por aventura në “Old Trafford” përfundoi pas 14 muajsh.
Një nga sfidat e para të Amorimit në stolin e Milanit do të jetë përballja ndaj ish-skuadrës së tij. Më 15 gusht, Milani do të luajë një ndeshje miqësore para sezonale kundër Manchester United në Poloni, në një duel që pritet të tërheqë vëmendje të madhe.
Komente








