Dy zyrtarë të lartë ushtarakë ukrainas janë ndaluar me dyshimin për përvetësim të parave të destinuara për vendqëndrime avionësh.
Sipas mediave të huaja, Komandanti i logjistikës së forcave ajrore të Ukrainës dhe një shef i sigurisë rajonale u kapën “në flagrancë” ndërsa përpiqeshin të transferonin para nga një fond për ndërtimin e strehës.
Lajmin e bëri të ditur Ruslan Kravchenko, prokuror i përgjithshëm i Ukrainës, i cili shtoi se u sekuestruan 320,000 dollarë (236,600 paund).
Inspektimet zbuluan se projektet për vendqëndriet e avionëve nuk përmbushnin kërkesat e sigurisë ose nuk ofronin mbrojtje të mjaftueshme për avionët, pavarësisht se 1.4 miliardë hryvnia ukrainase (23.9 milionë paund) u ndanë për ndërtimin e tyre në maj, sipas Kravchenko.
Kostoja e punës ishte gjithashtu "e fryrë ndjeshëm", tha mes të tjerash prokurori i Përgjithshëm i Ukrainës.
"Përvetësimi i fondeve të alokuara për mbrojtjen kombëtare gjatë kohës së luftës përbën një kërcënim të drejtpërdrejtë për sigurinë kombëtare", tha Kravchenko.
Komandanti i logjistikës së forcave ajrore dyshohet se i kërkoi kreut të një drejtorie rajonale të SBU-së të fshihte përvetësimin e parave dhe të parandalonte inspektimet.
Ndërkohë lidhur me përvetësimin e fondeve ka reaguar edhe vetë Presidentoi Volodymyr Zelensky, i cili ka përshëndetur punën e vazhdueshme për të “spastruar” Shërbimin e Sigurisë së Ukrainës (SBU) “nga ata, interesi i të cilëve nuk është Ukraina”.
Zelenskyy tha se kishte emëruar Yevhen Khmara dhe Oleksandr Poklad - kreun e ri në detyrë dhe zëvendëskryetarin e SBU-së, për të punuar në pastrimin e agjencisë.
"Tashmë ka rezultate," shtoi Zelensky.
"Sot, pati arrestime përkatëse dhe është shumë e rëndësishme që të ketë vendime të drejta. Të gjithë ata që janë në pozicione publike duhet të punojnë për Ukrainën dhe për hir të Ukrainës. Nuk do të ketë rrugë tjetër", përfundoi Zelensky.
Komente









