Pas shtatë muajsh në stolin e ekipit, drejtuesit e Pisas nuk kanë duruar më dhe kanë shkarkuar trajnerin Alberto Gilardino. Humbja e të shtunës 1-3 nga Sassuolo në shtëpi, ka 'derdhur kupën e mbushur' gjatë gjithë sezonit, me Pisan që ka vetëm një fitore dhe plot 11 humbje në Serie A.

"Pisa Sporting Club njofton se i ka shkëputur marrëdhëniet me trajnerin Alberto Gilardino dhe ndihmësit e tij. Falenderimet tona më të sinqerta shkojnë për Alberton dhe të gjithë stafin e tij për gjithçka që i kanë dhënë klubit, ekipit dhe tifozëve zikaltër në muajt e fundit", njofton klubi i Serie A.

Pisa "do të njoftojë emrin e trajnerit të ri të ekipit të parë në orët e ardhshme". Emri më i përfolur është ai i Marco Giampaolos, i cili ishte pjesë e Leçes në sezonin e shkuar.

Klubi toskan synon të mbajë shanset e mbijetesës deri në fund. Në afatin kalimtar të janarit, pronarët investuan mbi 20 milionë euro për të nënshkruar me sulmuesit Durosinmi dhe Stojilkovic, mesfushorin Loyola dhe mbrojtësin Bozhinov.