Vllaznia e Alban Xhaferit ka ndërruar strategji dhe po shihet të besojë te Akademia. Së fundmi shkodranët kanë zyrtarizuar firmën me dy prej lojtarëve më të spikatur të ekipit U-21.
Bëhet fjalë për mbrojtësin Gledjan Pusi dhe mesfushorin Elidon Dulaj. Dyshja prej javësh kanë qenë nën urdhërat e Migen Memellit, duke bindur stafin për të bërë kalimin e madh te ekipi i parë.
"KF Vllaznia dëshiron të bëjë e ditur se ka firmosur kontrata me dy prej futbollistëve më të spikatur të ekipit U21, kampion i vendit, pikërisht mbrojtësin Gledjan Pusi dhe mesfushorin Elidon Dulaj. Të dy ata do të jenë me ne për tre sezonet e ardhshme", njoftojnë shkodranët.
Kampion të Shqipërisë me ekipin e të rinjve, tanimë Pusi dhe Dulaj kanë detyrë të rëndësishme për të bërë mirë në elitën e vendit, duke treguar se fidanishtja e Vllaznisë vijon të prodhojë talente.