Muaji qershor sjell një tjetër provë të rëndësishme për kombëtaren shqiptare të futbollit, që do të zbresë në fushë për dy ndeshje miqësore në stadiumin “Air Albania” në Tiranë.
Kuqezinjtë do të përballen më 3 qershor, në orën 20:00, me Izraelin, në atë që do të jetë testi i parë i muajit. Kjo do të jetë përballja e 7-të në histori mes dy përfaqësueseve dhe e para miqësore, pasi të gjitha takimet e mëparshme janë zhvilluar në kuadër të kualifikueseve të Kampionateve Botërore dhe Evropiane.
Sa i përket bilancit të ndeshjeve, kuqezinjtë kanë fituar dy nga përballjet dhe kanë humbur katër.
Ndërkohë, më 6 qershor, po në orën 20:00, Shqipëria do të zhvillojë një tjetër miqësore ndaj Luksemburgut, sërish në “Air Albania”.
Datat e lira të miqësoreve vijnë vetëm pak ditë para Kupës së Botës 2026 (11 qershor - 19 korrik), turne në të cilin Shqipëria nuk mundi të kualifikohej duke u eliminuar në fazën play-off nga Polonia në Varshavë.
Deri në muajin qershor, Federata Shqiptare e Futbollit pritet të sqarojë edhe të ardhmen e Sylvinhos. Trajneri i Kombëtares ka kontratë me FSHF-në deri në korrikun e këtij viti dhe ende nuk është vendosur për rinovimin, me Armand Dukën që e 'la topin në fushën e brazilianit'.
Komente





