1 shekull me çifteli, familja mirditore ruan ndër breza traditën! Rapsodi Llesh Prenga: Të gjithë në familje e duam! Djemtë e tij: Është kënaqësi të ruash 'rrënjët'

19 Qershor 2021, 17:25

Çiftelia është pjesë e familjes Prenga prej të paktën 1 shekulli. Ky instrument muzikor me të cilën identifikohet me madhështi trashëgimia dhe e sotmja e kulturës shqiptare, sidomos në zonën e veriut, trashëgohet prej 4 brezash në këtë familje mirditore. Rapsodi dhe Instrumentisti Llesh Prenga tregon se frymëzimin për çiftelinë e ka marrë nga të parët e tij, ndërsa ka nisur ti bie që në moshë të vogël. Gjyshi i babës i binte lahutës, gjyshi im i ka rënë çiftelisë, xhaxhai i ka pasur rënë çiftelisë, e mësuam dhe ne fëmijët se na dukej si gjë e jona e shtëpisë sonë. Të gjithë në familjen tonë i bien çiftelisë, e kemi trashëguar me dashuri jo me imponim", tha rapsodi Llesh Prenga. Përgjatë veprimtarisë së tij si rapsod e instrumentist, Prenga thotë se ka marrë pjesë në shumë aktivitetet folklorike brenda dhe jashtë vendit, ku është vlerësuar me çmime. "Kam marrë pjesë në shumë koncerte, në festivalin e Gjirokastrës, në Tiranë, Kosovë jam vlerësuar me çmimin lider nderi për folklor", tregoi më tej Llesh Prenga, rapsod e instrumentist. Për Report Tv ai rrëfen vështirësitë që ka pasur në kohen e regjimit komunist: "Kam qenë në prova në kooperativë dhe natën finale na kanë zbritur nga skena në Rrëshen për biografi të keqe, për mua ka qenë këputje e krahëve".