100 laboratorë smart në shkollat e vendit, Rama: Do të shtojmë edhe të tjerë! Të bëjmë të rinjtë të aftë për tregun e punës online

12 Shtator 2022, 08:41 | Përditesimi i fundit: 2022-09-12 21:20:39

Viti i ri arsimor nis me risinë e kurrikulës TIK në klasat e para, me Laboratorët Smart që janë ngritur edhe në 100 shkolla të tjera në të gjithë vendin. Rama tha se pritet që në tre vite të shtohen këto laboratorë, për t’i përgatitur të rinjtë për një treg pune, atë online, që sipas tij paguhet mjaft mirë.

“Janë 100 laboratorët e parë që i instalojmë. Ndërkohë kemi dhe një plan mbështetje në mënyrë që i gjithë sistemi të përhapet në të gjitha shkollat e vendit në një kohë të arsyeshme. Duke qenë se futen për herë të parë laboratorët smart, e pamë të arsyeshme që ta nisim me 100 dhe më pas do shtojmë të tjerë. Ajo që është themelore, është të hyjnë në një fazë kodimi dhe të bëhen të aftë për një treg pune.

Ne do shtrijmë gjithë programin në bashkëpunim me sipërmarrjet që të krijojmë një shtresë komplet të re që ka filluar të formësohet. Brenda 2-3 vjetësh të kemi një numër të rinjsh që të përshtaten me tregun e punës online dhe ka të ardhura shumë të larta”, tha Rama.

Në shkollën “Jeronim de Rada”, mësuesja zbuloi detaje nga platforma e kodimit për fëmijët e klasës së parë.

“Platforma e kodimit do të sjellë mënyrë të re të të mësuarit të kësaj lënde. Përdoret nga 25 milionë fëmijë në të gjithë botën ndërsa mund të përdoret edhe në shtëpi. Fëmijët pasi të kenë mësuar përdorimin e mausit dhe tastierës, do të prezantohen me kastorin, i cili duhet të kalojë një sërë sfidash në habitatin e vet. Faqja e aplikacionit është shumë e thjeshtë për fëmijët”, tha mësuesja.

  •