Turizëm i kushtueshëm dhe ushqime të shtrenjta. Kjo është panorama e kësaj vere, të paktën sipas shifrave të Institutit të Statistikave. Në kulmin e prodhimit bujqësor në vend, zarzavatet po i blejmë më shtrenjtë se vitin e kaluar.
Instituti i Statistikave njofton se në korrik inflacioni arriti në nivelin më të lartë në 17 muaj duke kapur shifrën 2.5%, ku shtrenjtimi i ushqimeve dhe i qirave kanë dhënë ndikimin kryesor.
“Rritja vjetore e çmimeve në muajin Korrik është ndikuar kryesisht nga grupi “Ushqime dhe pije joalkoolike” me +1,08 pikë përqindje, pasuar nga grupi “Qira, ujë, lëndë djegëse dhe energji” me +0,61 pikë përqindje”, thuhet në raportin e INSTAT.














