Debate në Komisionin për Çështjet Europiane lidhur me pjesëmarrjen e ambasadorëve në takimet e kryeministrit Rama me diasporën.
Kryetarja e Komisionit, deputetja demokrate Jorida Tabaku tha se ambasadorët kanë marrë pjesë në takime elektorale të Ramës, por për ministrin e Jashtëm takimet e tilla nuk kanë qenë elektorale por për një takim i kryeministrit me diasporën.
Tabaku hodhi akuza dhe dyshime të forta se ka përfshirje në 48 raste të ambasadorëve apo trupës diplomatike në takime politike apo fushatë elektorale me kryeministrin, ministra dhe deri në kryetarë bashkie dhe drejtues të Partisë Socialiste, si me deputetin Blendi Klosi.
Kjo solli medhe debate dhe replika të forta në Komision. Tabaku ia drejtoi pyetjen ministrit Igli Hasani, i cili e mohoi dhe deklaroi se ambasadorët dhe trupi diplomatik kanë detyrë të marrin pjesë në takime zyrtare sipas profilit të tyre, të shoqërojnë kryeministrin apo ministrat dhe nuk kanë marrë pjesë në takime politike apo fushatë.