Arrestimi i ish-deputetit Çyrbja, avokatja tërheq në GJKKO materialet hetimore! Deklaron se nuk është marrë asnjëherë në pyetje për çështjen

21 Tetor, 10:45

Teksa SPAK ndodhet në kulmin e intensitetit për hetimin e dosjes ku ka të arrestuar ish-deputetin socialist të qarkut Durrës, Jurgis Çyrbja, Ahmet Mashën dhe të kërkuarin Altin Hajri, pala mbrojtëse e të dyshuarve ka qenë prezentë sot në ndjekjen e procedurave.

Avokatja e ish-deputetit, Bruna Kullolli, u pa në institucionin e akuzës, ku tërhoqi mëngjesin e kësaj të hëne (21 Tetor) materialet hetimore në Gjykatën e Posaçme Antikorrupsion.

Sipas saj, Çyrbja nuk është marrë asnjëherë në pyetje lidhur me çështjen për të cilën SPAK lëshoi mandat arresti ndaj tij.

Ndaj ish-ligjvënësit rëndojnë 3 akuza të rënda; tregtimi i sekretit shtetëror, përkrahja e autorit të krimit dhe korrupsion zgjedhor.

Këto akuza janë nxjerrë pas verifikimeve dhe hetimeve të komunikimeve të Çyrbjas në platformën e koduar SKY ECC dhe lidhjet që kishte me një grup kriminal në Durrës, duke u bërë shkak edhe për dekonspirimin e operacioneve policore.

    No videos found.