Arrestimi i ish-drejtuesve të UÇK-së, Bumçi në 'Pa Protokoll': Gjykimi në grup, e rëndë!

6 Nëntor 2020, 22:51

Për ish-ministrin e Jashtëm Aldo Bumçi, çështja e Kosovës si dhe negociatat me Serbinë nuk mund t'i atribuohen Tiranës, Shqipërisë.

I ftuar në emisionin Pa Protokoll mbrëmjen e sotme, ai u shpreh se Kosova ka një shtet të vetë të pavarur dhe duhet t'i bëjë ballë vetë disa sfidave të saj, sigurisht dhe me mbështetje të Shqipërisë.

Ndërkohë për arrestimin e ish-drejtuesve të UÇK-së në bllok është një ngjarje e rëndë për shqiptarët.

"Nuk mund të kërkohet se çfarë ka bërë Tirana. Kosova është një shtet i pavarur i cili ka përfaqësuesit e saj legjitim. Gjendemi përballë një situate të rëndë. Nuk është e papritur akuza, ngritja e kësaj akuze është e rëndë por një person individual mund të përballet vetë. Kur ngrihet në bllok atëherë kjo është shumë e rëndë. Nuk kemi të bëjmë me një drejtësi. Haga ka marrë nën hetim shumë përfaqësues të UÇK-së. U gjykua se duhet ngritur kjo gjykatë speciale. Momentin që ngrihet një akuzë dhe merr përmasa të mëdha, nuk mund të mbrohesh duke u fshehur duke penguar zbardhjen. Gjykata u votua nga parlamenti i Kosovës. Mund të bëheshin shumë hapa politikisht dhe juridikisht që të mos vinim në këtë situatë.

Nuk është e vërtetë që Shqipëia nuk e ka ngritur zërin. Shqipëria në marrëdhënie ndërkombëtare e ka pasur në fokus. Kosova ka qenë çështja e parë dhe e fundit për Shqipërinë pas rrëzimit të komunizmit. Shpërbërja e Jugosllavisë, rreziku i përhapjes së konfliktit në Kosovë dhe që do përfshinte rajonin. Kush mendon se mendon Kosovën, duke i dhënë rolin e parë Tiranës bën një gabim shumë të rëndë, një gabim që e ka bërë Rama. Serbët duan që të marrim ne rol dhe të flasim ne në emër të shqiptarëve të Kosovës. Duan të flasin me Tiranën por nuk mund të marrim rolin e përfaqësuesit. Krimet kanë ndodhur në Kosovë. Në momentin që ke një shtet që ka përfaqësuesit e vetë shtetëror, në negociata me Serbinë ulen përfaqësuesit e Kosovës" - tha Bumçi.