TIRANË- 2 të rinj të vdekur, 3 fëmijë të vegjël të mbetur jetimë dhe ulërima e një nëne vetëm pak kilometra më tutje kur mësoi në market vrasjen e të birit ishte epilogu i një sage të gjatë historie kriminale për Erigers Mihasin, 32-vjeç, që u ekzekutua sot në Tiranë bashkë me mikun e tij teksa lëviznin në makinën luksoze në zonën e Astirit.
Ngjarje e mirëfilltë mafioze, një atentat i mirëpërgatitur, teksa autorët siç raporton edhe gazetari i Report Tv, Sokol Dema dyshohet se u larguan me mjetin e tyre në drejtim të Thumanës, ku edhe e braktisin për t'i vënë më pas flakën, siç është bërë tashmë traditë në disa dhjetëra ngjarje të ngjashme të ndodhur në rrugët e qyteteve tona. Brenda në makinën e djegur u gjetën 2 kallashnikovë. Të rinjve një breshëri kallashnikovi u mori jetën, vetëm 30 minuta pasi më parë ishin ndalur në një postbllok policor në zonën e Politeknikut në qendër të kryeqytetit. U lanë të lirë, një liri që rezultoi fatale. Pasi u qëlluan me armë, makina e viktimave u përplas me një shtyllë aty pranë. Viktimat kanë qenë të paarmatosur dhe pas kontrollit e mjetit të tyre në vendngjarje gjithashtu nuk është gjetur armë.














