Atentati ndaj prokurorit/ Policia operacion në Lushnje dhe Vlorë, kontrolle edhe në banesën e rivalit të Aldo Bares

7 Nëntor 2019, 23:20

LUSHNJE- Rivali i Aldo Bares, Julian Sulo, i njohur ndryshe si "Juli Pashako" është i dyshuari i dytë si i përfshirë në atentatin e bërë ndaj prokurorit Arjan Ndoja, 6 ditë më parë. Burime për Report Tv bëjnë me dije se mbrëmjen e sotme policia ka nisur një operacion në Lushnje dhe në Vlorë për kapjen e personave të tjerë të përfshirë në këtë ngjarje që tronditi opinionin publik. Burime zyrtare nga Policia e Shtetit konfirmojnë se është ushtruar kontroll edhe në banesën e Julian Sulo, i njohur si "Juli Pashako", por nuk është gjetur aty. 

Grupi hetimor ka dyshime se Sulo, i cili jeton mes Lushnjes dhe Durrësit ka dyshime se mund të ketë dijeni për rrethanat e ngjarjes, apo person që mund të ketë marrë pjesë në ngjarje. Në këtë operacion kanë marrë pjesë edhe Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë, por më pas ato janë tërhequr nga Vlora, por po vijojnë në Lushnje. Ndërkohë që gjatë ditës së sotme kontrolle janë kryer edhe në Fushë-Krujë, Shkodër e në Durrës.

Siç u paralajmërua më herët, Report Tv mësoi ekskluzivisht se nga gjurmët e gishtërinjve të lëna mbi syze nuk është zbuluar vetëm Redjan Rraja, por edhe një i njohuri i tij i shpallur në kërkim, por nuk dihet ende identiteti i tij, teksa mendohet të bëhet fjalë për Julian Sulon.

Lidhur me këtë ngjarje, nga e cila humbi jetën një person, Andi Maloku (shoferi i Ndojës) dhe u plagosën dy persona, vetë prokurori dhe i forti i Sukthit, Landi Muharremi është arrestuar Redjan Rraja. Organi i akuzës ka paraqitur si provë shenjat e gishtërinjve në syzet e gjetura në makinën e padjekur të autorëve. Rraja ka mohuar që të ketë lidhje me atentatin, por nuk ka shpjeguar dot se si janë gjetur gjurmët e gishtërinjve në makinë.