TIRANË - Ndërron jetë në spitalin e Traumës, Andi Maloku, shoferi i prokurorit Arjan Ndoja, gjashtë ditë pas atentatit në mblikalimin e Shkozetit, ku mbetën të plagosur, së bashku me Landi Muharremin, të fortin e Sukthit.  Më 30 nëntor, Andi Maloku do të festonte ditëlindjen, ku do të mbushte 24 vjeç. 

Me lajmin e trishtë të ndarjes nga jeta të 24-vjeçarit, pritet të ndryshojë edhe akuza për të arrestuarin e vetëm si autorë të dyshuar të atentatit. Akuza e vrasjes "kundër dy ose më shumë personave”, e kryer në bashkëpunim, e mbetur në tentativë” do të kthehet në atë të vrasjes. Ndërkohë mbeten në fuqi akuzat për  “Vrasja e funksionarëve publikë”, e mbetur në tentativë, që lidhet me prokurorin Arjan Ndoja dhe  dhe “Armëmbajtja pa leje”.

Nëna e Andi Malokut në spitalin e Traumës ditën e atentatit

Natën e atentatit, nëna e Andi Malokut, i vetmi që u transportua në Spitalin e Traumës për shkak të plagëve të rëndë nga breshëria e kallashnikovit, e përlotur tha se djali i saj, tashmë i ndarë nga jeta, rrezikoi jetën për 30 mijë lekë të rinj rrogë si shofer. Andi Maloku mori një plumb që i ka prekur shtyllën kurrizore dhe tjetri në mushkëri. Bluzat e bardha thanë se i riu e kishte kaluar rrezikun për jetën, por nuk dihet se çfarë ka shkuar keq, që sot i ka marrë atij jetën.

Viktima Andi Maloku

Andi Maloku ishte shofer i prokurorit Arjan Ndoja, dhe drejtonte makinën Benz me targë AA 333 ZD, në momentin kur ndaj tyre nga një tjetër makinë në ecje pranë mbikalimit të Shkozetit u qëllua me breshëri kallashnikovi. Prokurori, shoferi, dhe një person me precedentë penalë, Landi Muharremi, i njohur si i forti i Sukthit, mbetën të plagosur.

Pavarësisht se në makinën e braktisur të autorëve u gjetën gjurmë gishtërinjsh në një palë syze të lëna në automjet, Redjan Rraja deri më tani ka mohuar të ketë lidhje me atentatin.