Baba Mondi: Sprova e pandemisë tundi njerëzit për t'i kthyer te Zoti! 2021 sjelltë paqe në zemrat e të gjithëve

25 Dhjetor 2020, 22:55 | Përditesimi i fundit: 2020-12-25 22:58:27

Kryegjyshi Edmond Ibrahimaj apo siç njihet nga të gjithë besimtarët bektashinj, Baba Mondi e konsideroi COVID-19 një tundje të njerëzimit dhe sprovë të Zotit për t'i rikthyer pranë tij. Në një intervistë për "Pa Protokoll", Baba Mondi tha se gjatë kësaj kohë janë ndihmuar njerëz në nevojë dhe kjo pandemi i ka bërë njerëzit më të fortë për të përballuar vështirësitë e të ardhmes.

"Të gjithë besimtarët bektashinj janë porositur të respektojnë masat për të ruajtur njeriun. E gjithë kjo periudhë ka qenë e vështirë për të gjithë. Sprova e pandemisë tundi njerëzit. Zoti tha ndal se keni shkelur disa ligje të miat dhe për këtë jep sprova që njerëzit të kujtohen dhe të mos gabojnë.  Ne duhet të mendojmë për të gjithë njerëzimin,kur ke tepër ndaje me atë që është në nevojë. Teqet tona në këtë periudhë kanë qenë në shërbim personave në nevojë. Kush ka ardhur ka kërkuar ndihmë i jemi gjendur si jetimeve, njerëzve në nevojë, të varfëve në Fier, Tiranë, Korçë, Maliq me aq sa kemi pasur mundësi. U janë blerë ilaçe, u është dhënë për të ngrënë, veshje, u janë paguar shpenzimet mjekësore, jemi munduar të jemi afër tyre", tha Baba Mondi.

Baba Mondi uroi një vit të mbarë për të gjithë njerëzit , ku paqja dhe mirësia të shkojë tek të gjithë zemrat e njerëzve mysliman apo të krishterë.

"Gjatë Krishtlindjeve u kemi dhënë urimin tonë drejtuesve të Kishave dhe besimtarëve të tyre u urojmë bekim dhe mirësi, edhe pse jo të grumbulluar por së bashku në familje. Këto vështirësi që patëm këtë vit na kanë bërë më të fortë për të përballuar 2021 dhe ajo që urojmë është paqe dhe mirësi tek të gjithë zemrat e njerëzve mysliman apo të krishterë", u shpreh Baba Mondi.