Baste fshehurazi , 5 të arrestuar në Tiranë, sekuestrohen “tufa” me para 50-çe e 20-çe

8 Nëntor 2021, 10:14 | Përditesimi: 8 Nëntor 2021, 10:14

Vijon operacioni policor “Fati i lojërave”. Goditen 3 raste të tjera të zhvillimit të aktivitetit të paligjshëm të lojërave të fatit. Vihen në pranga 5 shtetas, procedohen 3 shtetas, shpallen në kërkim 3 shtetas të tjerë.

Sekuestrohen shuma të konsiderueshme parash në lekë dhe euro (të dyshuara të përfituara nga kjo veprimtari e kundërligjshme), 10 njësi kompjuterike, 8 monitorë, 16 aparate celular dhe dy dekodera që shërbejnë për piratimin (vjedhjen) e sinjaleve televizive.

Bazuar në informacionet e marra në rrugë operative për ushtrimin dhe organizmin e lotarive dhe basteve sportive pa leje, vënien në dispozicion të lokaleve për lojëra fati dhe fshehjen e të ardhurave, shërbimet e Seksionit të Krimit Ekonomik dhe Financiar dhe shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr.1, kanë ushtruar kontrolle të vazhdueshme në disa lokale dhe ambiente të ndryshme.

Si rezultat i kontrolleve të ushtruara në vijim dhe të operacionit “Fati i lojërave”, shërbimet e Policisë kanë goditur 3 raste të tjera, në vende dhe kohë të ndryshme, konkretisht:

Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimit Ekonomik dhe Financiar bënë arrestimin në flagrancë të shtetasve E. A., 19 vjeç dhe A. H., 18 vjeç (punonjës të lokalit), proceduan në gjendje të lirë 2 klientë të kapur në flagrancë, si dhe shpallën në kërkim pronarin e lokalit, pasi në Kombinat, u konstatuan duke ushtruar aktivitetin e kundërligjshëm të lojërave të fatit. Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan 120.000 lekë të rinj, 5 njësi kompjuterike, 4 aparate celular dhe dy dekodera që shërbejnë për piratimin (vjedhjen) e sinjaleve televizive.

Ndërkohë, specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Nr.1 bënë arrestimin e shtetasve L. Xh., 27 vjeç dhe K. B., 28 vjeç (kamarierë në një lokal) dhe shpallën në kërkim pronarin dhe administratorin e lokalit, pasi në rrugën “Petro Nini Luarasi” u konstatuan duke ushtruar aktivitetin e kundërligjshëm të lojërave të fatit nëpërmjet celularëve. Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan 5 aparate celular, 900.000 lekë të rinj dhe 2975 euro (të dyshuara të përfituara nga kjo veprimtari e kundërligjshme);

r.k./Shqiptarja.com