Berat/ Përkujtohet 81-vjetori i Çlirimit, ministri Ervin Demo: Lufta e dëshmorëve, sublime

29 Nëntor, 11:44 | Përditesimi: 29 Nëntor, 11:44

Edhe në Berat është përkujtuar 81-vjetori i çlirimit të vendit. Drejtues të pushtetit vendor, përfaqësues të forcave politike dhe besimeve fetare, familjarë të dëshmorëve, deputetë e qytetarë kryen homazhe në Lapidarin kushtuar Dëshmorëve të Atdheut, në lagjen "Dëshmorët e Kombit".

I pranishëm në këtë ceremoni ka qenë edhe Ministri i Pushtetit Vendor, Ervin Demo. Nën ritmet e Orkestrës Frymore të qytetit, u vendosën kurora me lule në shenjë nderimi dhe respekti për të rënët në Luftën Antifashiste Nacional Çlirimtare.

Ministri i Pushtetit Vendor, Ervin Demo theksoi rëndësinë e kësaj dite të shënuar, duke e cilësuar "sublime" luftën heroike të dëshmorëve dhe gjakun e dhënë prej tyre për çlirimin e vendit.

Në Luftën Antifashiste Nacional Çlirimtare nga qyteti i Beratit kanë dhënë jetën për çlirimin e atdheut 322 dëshmorë.

r.k./Shqiptarja.com