Berisha akuza Ramës për vizitën në Beograd: Ai Shqipërinë e do serbisht

5 Shtator 2022, 19:29

Nga oborri i Kuvendit, Sali Berisha paralajmëroi sot për protesta “të fuqishme” kundër Qeverisë, në mbrojtje të interesave të shqiptarëve. Berisha nuk dha datë për nisjen e protestave, por tha se opozita do të mblidhet për të përcaktuar detajet e organizimit.

“Do të ketë protesta të fuqishme. Do të mblidhet fronti opozitar për shpëtimin e Shqipërisë, do të miratojë një agjendë e cila ka si synim një protestë të qëndrueshme popullore në mbrojtje të interesave shqiptarë. Largimi i mazhorancës është shpëtimi i Shqipërisë”, u shpreh Berisha.

Gjatë deklaratës për mediat, Berisha e cilësoi kryeministrin Rama si “armikun më të egër të Shqipërisë”, ndërsa tha se me vizitën e tij të fundit në Beograd në kuadër të Ballkanit të Hapur, Rama “dëshmoi se Shqipërinë e do serbisht”.

Më tej, Berisha la të kuptohet se Rama do të dënohet me shumë vjet burg për vjedhjet që ka bërë gjatë qeverisjes, gjë që do e “pengojë” për të shkuar në Beograd, ku sipas Berishës “ka vendin”.

“Armiku i egër për çdo shqiptar është Edi Rama. Sot vendi ka një opozitë më të fuqishme se ndonjëherë. Rama ishte në Beograd, dëshmoi se Shqipërinë e do serbisht dhe atje do të shkojë, nëse e lejojnë. Ai duhet të japë llogari për të gjitha vjedhjet para ligjit shqiptar, ato vepra penale bëjnë shumë dekada dënim për Edi Ramën”, tha Berisha.

    No videos found.