Biznesmeni Ilir Rrapaj ka dëshmuar para komisionit parlamentar hetimor për shërbimet publike të sterilizimit dhe të check-up në shëndetësi.
Gjatë marrjes në pyetje biznesmeni u përplas me deputeten Ina Zhupa.
Zhupa: Ju thatë që edhe në takime ju s’keni pasur ndonjë rol, ju keni qenë dëgjues. Kjo lloj njohje ka qenë arsyeja themelore për të cilën morët koncesionin.
Ilir Rrapaj: S’ka qenë absolutisht ky fakti. S’ka qenë fare kontribuues në atë çfarë ndodhi në vite në vijim
Zhupa: Kush ka qenë arsyeja që e morët ju këtë koncesion. Ca kishit ju më mirë se të tjerët.
Ilir Rrapaj: Jam pjesë e bashkimit të operatorëve ekonomik. Nuk e kam fituar unë, e ka fituar bashkimi i operatorëve.
Zhupa: Si u bëtë pjesë në këtë bashkim operatorësh?
Biznesmeni: E kemi ezauruar.
Zhupa: Kemi diskutuar në lidhje me licencën. Në momentin që keni konkurruar për koncesionin, a kishit licencat e duhura për të bërë sterilizimin, për të marrë pajisjet mjekësore, për të bërë transportin.
Ilir Rrapaj: Në momentin e shpalljes së garës ishin të përshkruara që duhet të kishin operatorët ose bashkimi i operatorëve. Lideri i bashkimit ekonomik i përmbushte të gjitha.
Zhupa: Sani Service ju ka paguar juve për udhëtimet që shkonit në Itali, se thatë që kishit familjen në Itali.
Ilir Rrapaj: Kjo kontratë është fryt i një kolegjialiteti i asamblesë së ortakëve, që e konsideroi si minimale shpërblimin të kontributit që unë do jepja në atë fazë, duke ndenjur larg familjes. Sikur vetëm fluturime të bëja dy-tre herë në muaj, do më duhej të kërkoja lek më shumë për të përballuar vetëm atë gjë, përtej hotelit dhe aktivitetit tim të përditshëm në spitale.
Zhupa: Këto 180 mln lekë ju i keni marrë si fatura hotelesh dhe avionësh, apo ju kanë dhënë një pagë? Në ç’kuptim?
Ilir Rrapaj: Ju citova disa prej ngjyrave të listës së panumërt të kostove. Kundrejt një shërbimi do merreshin parasysh edhe kostot. Ishte rrjedhojë e një vendimi kolegjial, e konsideruan të pranueshëm këtë propozim edhe në aspektin ekonomik.
Zhupa: Pse u zgjodhën juve për t’iu dhënë këto para dhe nuk zgjodhën një shqiptar për ta bërë këtë shërbim me një kosto më të vogël.
Ilir Rrapaj: E dhashë me lart përgjigjen s’gjej dot ndonjë alternativë, edhe pse po shtrëngohem në këto orë të vonë të pasdites. Kam, që në 7 të mëngjesit kam pirë vetëm një gotë ujë. Është vendimmarrje kolegjiale për të adresuar në personin tim fizik një përgjegjësi të kësaj natyre.
Zhupa: Kjo tregon edhe njëherë që nuk është efektive. Paratë që janë marrë nga buxheti, janë shpërdoruar në mënyrë jo efektive. A ka një vendim, një provë, një dokument?
Ilir Rrapaj: Patjetër që po. Asnjë veprim i karakterit financiar apo i çfarëdolloj karakteri tjetër, nuk ka anashkaluar udhëzimet që vinin nga rregullorja e kompanisë.
Ina Zhupa: Na e vini në dispozicion?
Ilir Rrapaj: Padyshim që po nëse ka mbetur në arkivat e kompanisë Sani Service.
Ina Zhupa: Ky shërbim spitalor s’ka nevojë për eksperiencën tuaj në ndërtim. Si i ka hyrë në funksion koncesionarit eksperienca juaj. Me ca jeni marrë konkretisht, si keni qenë i dobishëm për t’iu dhënë 180 mln lekë.
Ilir Rrapaj: Është pjesë e një delegimi që asambleja i ka bërë një prej ortakëve me role dhe objektiva të mirëpërcaktuar.
Ina Zhupa: Ka plasur një skandal dhe quhet 5D, mua kjo situata që ne flasim me ngjan me një 5M, 5 miq që kanë rregulluar një koncesion sipas nevojave të tyre dhe jo sipas nevojave të shtetit.
SI.E./Shqiptarja.com