Bogdani: Në 2013 Ramës i shpëtuan 2-3 deputet me lidhje kriminale, në 2017 shkoi 20! Pëllumbi: Jo e vërtetë, matematika e PD-së lë për të dëshiruar

23 Tetor 2020, 23:14 | Përditesimi i fundit: 2020-10-23 23:16:42

Procesi i zgjedhjes së kandidatëve për deputetë të PS dhe PD ka hapur debat në studion e Pa Prtokoll mbrëmjen e kësaj të premte. Sekretarin Organizativ të PS-së, Arben Pëllumbi thotë se procesi që zhvillohet online ka mundësuar maksimalizimin e pjesëmarrjes së anëtarësisë, skenar që fizikisht do të ishte e pamundur.

"Në kushtet që teknologjia ka ecur shumë, na ka dhënë mundësinë që në një kohë të shkurtër të mbledhim opinionet e anëtarësisë për të gjykuar. Përveç asaj bindjes që kemi krijuar për punën e secilit, besoj se është mjaft i vlefshëm për të gjithë. Ne kemi qenë gjithmonë pranë strukturave por takimet fizike janë pak të vështira dhe na merr shumë kohë. Kemi digjitalizuar të gjithë organizimin e PS. Kjo platformë na jep mundësinë që të kemi komunikimin online. Ne e kemi bërë online në ndryshim nga 36 fletët që kishin partia opozitare" - tha Pëllumbi.

Ndërkohë ish deputeti i PD-së, Gerti Bogdani thotë se ky proces në teori është i bukur por në praktikë nuk është e tillë. Ai tha se dekriminalizimi është çështje vullneti. Sipas tij, në 2013, Edi Ramës i kanë shpëtuar 2-3 emra  (deputetë) me lidhje kriminale ndërsa në vitin 2017 ka shkuar në 20.

"Jep një tjetër kur keqqeveris. Kursen kritikat në këtë rast. Në teori tingëllon bukur por në praktikë është më ndryshe. Dekriminalizimi është çështje vullneti kështu që shpresoj se në listën e PS-së të jenë sa më pak njerëz të lidhur me krimin. Në 2013 mund t'i kenë rrëshkitur 2-3 emra që kanë pasur lidhje kriminale. Ndërsa në 2017 shkuan 20." - tha Bogdani.

Ndërkohë Arben Pëllumbi ka ironizuar Bogdanin duke u shprehur se PD është keq me matematikën.

"Forca politike ka detyrë që të bëjë një filtrim por jo maksimal. Duhet që secili prej personave të plotësojë formularin e dekriminalizimit. Matematika e PD lë për të dëshiruar dhe e kuptoj që shifrat e Bogdanit janë të gabuara. " tha Pëllumbi.